Dhurata Çupi Tyli
Jam ndier krenare kur një nga hapesirat më të rëndësishme të kryeqytetit shqiptar, iu rezervua shtatores së Mbretit Zog I. Një figurë e ndritur e historisë së vendit tonë, një themelues i devotshëm i institucioneve demokratike në vend, Mbreti Zog meritonte respektin maksimal të çdo shqiptari që vlerëson themeluesin e demokracisë.
Jam ndier krenare për veprën që ai la pas, por edhe si Matjane dhe për lidhjen e ngushtë familjare nga vendi i origjinës së Mbretit Zog I.
Në kohën kur u vendos shtatorja diskutimi ishte për pikëvështrimin e shtatores, e sigurisht atij i duhej lënë përballë gjithë vepra që la për kryeqytetin e sotëm.
Ndërsa në këto vite u la i pluhurosur, qëllimisht, para disa ditësh u krye akti i fundit barbar ndaj shtatores së tij duke u sulmuar dhe e bërë qëllimisht pis.
Dashakeqësit mund të godadin nje shtatore por jo historinë që la pas Mbreti Ahmet Zogu, nje histori që shërbeu për themele të forta të shtetit shqiptar.
Përgjegjësit duhet të gjenden e të përgjigjen për këtë akt të turpshëm. Ftoj institucionet të kryejne detyrën per ti kthyer origjinalitetin shtatores.
NJË AKT VANDAL
TIRANË- Një akt vandal ka ndodhur në Tiranë, ku është dhunuar shtatorja e ish-mbretit Zog, e cila qëndron e vendosur tek ish-stacioni i Trenit në kryeqytet. Në pjesën e bazamentit të kësaj shtatoreje është shkruar: Poshtë tradhtari. Spiun i Serbisë!
Mëngjesin e datës 2 tetor 2019 shtatorja e ish-mbretit Zog I është gjetur e mbushur me parulla të shkruara me grafitë ofendues ndaj figurës së tij.
Shtatorja e ish-mbretit Ahmet Zogu u vendos shtatë vite më parë, në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë së shtetit shqiptar. Qeveria Berisha asaj kohe do të niste vlerësimin e figurave, duke vendosur disa buste në sheshet kryesore të kryeqytetit si vlerësim për kontributin e tyre në pavarësinë e vendit dhe në krijimin e shtetit shqiptar. Ndërkohë ka ardhur edhe reagimi i Partisë Demokratike, përmes ish-deputetes Dhurata Çupi, e cila kërkoi respekt maksimal për figurën e mbretit Zog 1.
Shtatorja e Ahmet Zogut ka një lartësi prej 3 metrash dhe është vendosur në fund të bulevardit “Zogu I”, pranë Stacionit të Trenit në Tiranë. Shtatorja prej bronzi u përurua në vitin 2012 nga qeveria e PD-së.
Ahmet Zogu ka qenë përfaqësues i Shqipërisë nga periudha 1925 deri më 1939, kur edhe u largua nga Shqipëria pas invadimit të Italisë fashiste. Mbreti Zog vdiq si i arratisur më 1961 në Paris. Eshtrat e tij u sollën në vitin 2012 dhe u varrosën në Mauzeliumin Mbretëror në Tiranë.