Negociatat nuk hapen as me propagandë, as me “plaçin fashistët”

896

• “Prej tre vjetësh mbizotëron një mosbesim nga vendet anëtare në raport me raportin e Komisionit Europian për Zgjerimin. Thënë më qartë, raportet e Komisionit Europian për Zgjerimin konsiderohen nga një pjesë e mirë e vendeve anëtare të zbukuruara që nuk paraqesin realitetin”

Negociatat nuk hapen as me propagandë, as me “plaçin fashistët”. Kështu u shpreh gjatë konferencës së tij për shtyp lideri i PD-së, Lulzim Basha menjëherë pasi BE vendosi të mos hapë negociatat me Shqipërinë. Sipas kryedemokratit, prej tre vjetësh mbizotëron një mosbesim nga vendet anëtare në raport me raportin e Komisionit Europian për Zgjerimin.
Duke iu referuar edhe deklaratës së zv/kryeministrit Erion Braçe, bërë vetëm pak çaste pasi BE i mbylli derën Shqipërisë, i cili akuzoi Europën si “fashiste” dhe “ekstremiste”, Basha deklaroi se, negociatat nuk hapen as me propagandë dhe as me sulme.
“Është e vërtetë që jo vetëm në mbledhjen ku mora pjesë në Berlin, por tash tre vjet mbizotëron një mosbesim nga vendet anëtare në raport me raportin e Komisionit Europian për Zgjerimin. Thënë më qartë, raportet e Komisionit Europian për Zgjerimin konsiderohen nga një pjesë e mirë e vendeve anëtare të zbukuruara që nuk paraqesin realitetin. Dhe këtë tha edhe Hollanda, kur u shpreh se, nëse në rastin e Maqedonisë ishin dakord, në rastin e Shqipërisë, problemi i krimit, i korrupsionit dhe i ndarjes së pushteteve i ndalonte në mënyrë absolute të merrnin një vendim për hapjen e negociatave, në kontrast të qartë me raportin e zbukuruar për herë të tretë të Komisionit Europian. Këtë tha edhe Franca, jo vetëm në raport me krimin dhe korrupsionin, por edhe në raport të cilin Franca e ndjen dhe e sheh përditë, problemin e azilkërkuesve shqiptarë.
Këto janë të vërteta të cilat për fat të keq si shumë të vërteta të tjera që kanë të bëjnë edhe me proceset brenda vendit nuk kanë gjetur pasqyrimin e duhur në raportin e Komisionit Europian të Zgjerimit, as këtë vit, as vitin e kaluar, as para një viti. Dhe kjo e shtyu Bundestagun gjerman të ndërmerrte atë që ndërmerr gjithmonë, kur nuk i beson Komisionit, të bëjë vlerësimin e vet., duke i vendosur 9 kushte të forta qeverisë shqiptare”,-deklaroi ndër të tjera kryetari i PD-së.

Qeveria, përgjegjëse totale për mos hapjen e negociatave me BE-në
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha dënon propagandën mashtruese të Edi Ramës, i cili deklaron se qeveria ka bërë detyrat, e duke gjetur armikun jashtë tij, për mos hapjen e negociatave me Bashkimin Europian. Basha tha se, Shqipëria po bën hapa mbrapa, kurse thekson se qeveria është përgjegjëse totale për moshapjen e negociatave.
“Shqipëria po shkon pas. Dy kushte të reja nga Bundestagu janë që të arrestohen hajdutët e votave dhe po ashtu të përsëriten zgjedhjet e 30 qershorit, që ishin diktatoriale. Kryeministri shqiptar vuri interesin e vet mbi interesat e shqiptarëve. Ka një përpjekje për ta paraqitur situatën sikur ka përplasje mes Francës e Gjermanisë dhe jo gjendjen e Shqipërisë.
Kjo është një tentativë qesharake. Në këtë gjendje nuk ka shanse të hysh në BE. Dil e pyet një shqiptar të thjeshtë a është gati Shqipëria e do të thotë jo. Kush nga ne nuk e di se çfarë valë emigrimi ka Shqipëria?!.
Vendi ynë ka numrin e azilantëve më të madh në planet. Rama u puth me Mogherinin e kujtoi se ia hodhi. Këta thonë ne kemi bërë detyrat, plastë armiku, plastë fashisti. Në Europë nuk shkohet me propagandë”, tha Basha.
“Ndarja e politikës nga krimi”, reforma zgjedhore emergjencë kombëtare
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha në një konferencë për mediat menjëherë pasi BE vendosi të mos hapë negociatat me Shqipërinë, deklaroi se, një reformë zgjedhore mirëfilltë, është emergjencë kombëtare për vendin. Sipas liderit të opozitës, kjo reformë duhet ti japë fund një herë e mirë për të mos patur një sistem si ky, ku 10 njerëz janë pronarë të gjithçkaje, qeverisë, prokurorisë, gjykatave, policisë, mediave, bregdetit.
“Dua t’ju them me përgjegjësitë e reja, si kryetar i opozitës së bashkuar por edhe e shumicës që do ndryshimin, kjo nuk vjen as me një protestë e as me një reformë. E para dhe kryesorja, reformë zgjedhore që ta ndajë politikën nga krimi. Që ti japë fund një herë e mirë për të mos patur një sistem si ky, ku 10 njerëz janë pronarë të gjithçkaje, qeverisë, prokurorisë, gjykatave, policisë, mediave, bregdetit. Be kërkon arrestimin e atyre që vodhën votat.
Së dyti, sistem zgjedhor që përfaqëson dhe të pranuar nga të gjithë shqiptarët dhe ndryshime kushtetuese që bëjnë ndarjen mes pushteteve, të cilin Holanda e ngriti si problem.
Reforma zgjedhore sot është një emergjencë kombëtare. Një reformë që ia kthen qytetarëve të drejtën për të zgjedhur pushtetin që i qeveris dhe që ia merr pushtetin kur keqqeveris”, u shpreh Basha.