Nga Agim R. Kasa
Gjithmonë kam qenë i mendimit që racat dhe etnitë e ndryshme të njerëzimit janë si një buqetë me lule të shumëllojshme e shumëngjyrëshe dhe bukuria qëndron në larminë e ngjyrave. Për mua do të ishte njëlloj si të isha shqiptar, bullgar, maqedonas, serb apo grek. Por, e quaj ofenduese kur dikush përpiqet të të ndryshojë etninë. Besoj se kjo vlen për këdo. Ky është filli që përshkon përmbajtjen e këtij libri deri në fund. Njohësit shumë të mirë të zonës së Dibrës, prof. Kristo Frashëri dhe Hilmi Sadikaj nuk jetojnë më dhe gjërat në këtë zonë kanë evoluar në sensin negativ. Akademia e Shkencave e Shqipërisë po tregohet e plogësht në në këtë drejtim, ndërkohë që Akademia Bullgare vitet e fundit po futet edhe me studime etnokulturore për Gollobordën (Kalabardhën – emri i vjetër i saj), duke unifikuar “minoritetin” bullgar në Prespë, Gollobordë (Kalabardha) dhe zonën e Shishtavesit në Kukës, të cilat megjithatë nuk kanë të njëjtat rrjedha historike. Është krijuar kështu një vijë lindore “minoritare” në një kohë që gjysma e popullsisë shqiptare ndodhet jashtë kufirit shtetëror të Shqipërisë. Shteti shqiptar ka njohur “minoritetin” bullgar në Shqipëri pa e përcaktuar cilët janë dhe ku janë ata. Më parë ishte njohur vetëm minoriteti maqedonas në zonën e Prespës, por e njëjta zonë nuk mund të jetë edhe maqedonase edhe bullgare (vetëm në rast se e pranojnë maqedonasit që janë bullgarë)! Pavarësisht se nuk jam historian nga profesioni (që nga viti 1972 u përkas shkencave teknike), por meqenëse kjo është krahina e prindërve të mi, e kam ndjekur në vazhdimësi duke hulumtuar historinë e saj. Për këto arsye, dhe me qëllimin për të nxjerrë të vërtetën dhe vetëm të vërtetën, shkrova këtë libër të karakterit historik për dibranët e jugut ose gollobordasit (kalabardhët). Në këtë libër nuk do të trajtoj etninë e banorëve të Prespës, apo të atyre te Shishtavecit të Kukësit, që identifikohen sot si goranë, mbasi nuk kam njohuritë e duhura dhe ata nuk kanë të njëjtën rrjedhje ngjarjesh si fshatrat e Gollobordës (Kalabardhës), të cilat sikurse do ta shpjegoj në vijim, janë të njëjtë me Dibrën e Epërme, ndërsa me Kukësin dhe Prespën i ndajnë me dhjetëra kilometra.
Puna me librin
Po e shkruaj këtë libër si një detyrim timin ndaj prindërve të mi, të cilët e ndjenin veten thellësisht shqiptarë dhe dibranë, madje të gjithë fëmijëve u vunë emra me kuptim në gjuhën shqipe. Po kështu, ata nuk na e mësuan zhargonin e krahinës, të cilin unë nuk e di. Prindërit e mi nuk e përdorën asnjëherë, sikur ta parashikonin që zhargoni do të instrumentalizohej politikisht për të na ndërruar etninë (të dhënat sllave në këtë libër janë përkthyer nga gjuha angleze). Sikurse do të dalë në vijim, krahina e Gollobordës (Kalabardhës) do të ketë pikun e vet ekonomik në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX. Goditja që i dhanë serbët krahinës në vitin 1913 do të sillte pakësimin e popullsisë, e cila do të shpërngulej në qytete kryesore si Tirana, Elbasani, Durrësi dhe Shkodra. Familja ime i përket një lëvizjeje të mëvonshme, fill pas Luftës së Dytë Botërore. Besoj se jam nga qytetarët më të vjetër të qytetit të Peshkopisë që ende jetojnë, i lindur në lagjen e vjetër të saj, afër përroit. Prindërit e mi i përjetuan pretendimet maqedonase për krahinën dhe mirëpritën librin e Hilmi Sadikajt me titull “Gollobordasit e Dibrës” botuar në vitin 1999, një kopje të të cilit ma dhuruan edhe mua. Por, ata nuk përjetuan pretendimet bullgare, mbasi sikurse dihet, ato filluan më vonë, atëherë kur Bullgaria hyri në Bashkimin Europian dhe u bë me interes marrja e pasaportave bullgare. Që të justifikonin dhënien e këtyre pasaportave, bullgarët e ngritën çështjen edhe në Parlamentin Europian, me pretendimin se Shqipëria nuk njeh minoritetin bullgar! Pra nga një çështje historike, ajo u kthye në një çështje politike. Unë jam takuar me historianin e nderuar Kristo Frashëri disa muaj përpara se ai të botonte librin e tij “Historia e Dibrës”. Gjatë bisedës, i shpreha shqetësimin tim për pretendimet bullgare në drejtim të Gollobordës (Kalabardhës) dhe përpjekjet e tyre për të na ndryshuar etninë. Nga ai mësova se në Arkivin e Shtetit ndodhet një dokument shumë i rëndësishëm, një letër që populli i Gollobordës (Kalabardhës) i kishte drejtuar Komisionit të gjashtë fuqive të mëdha, i cili kishte ardhur për të përcaktuar kufijtë e Shqipërisë me vendet fqinje. Në këtë letër thuhej qartë se kjo popullsi është shqiptare dhe kërkon që të jetë brenda kufijve të Shqipërisë. Për këtë periudhë do të shkruaj më gjerë në vazhdim, por në këtë rast dua të theksoj se brezi i gollobordasve (kalabardhësve) që jetoi në atë kohë, ndonëse në kushte më të vështira ekonomike dhe politike se sot, është treguar më patriot, dhe është ky brez, ai që i vuri vulën shqiptarizmës. Ndërmjet historianëve vendas, dua të veçoj Hilmi Sadikajn, i cili me librin e tij “Gollobordasit e Dibrës”, na dha shumë dokumente të vlefshme si dhe shumë intervista me të moshuar që kishin lindur në shekullin e XIX. Mendimi i këtyre pleqve është shumë i vlefshëm, sepse ata janë gjyshërit apo stërgjyshërit tanë, madje edhe të ndonjërit, që për qëllime që i dinë vetëm ata, na paraqesin ne si bullgarë apo maqedonas. Po kështu është i vlefshëm edhe përcaktimi i tij se jemi 99 për qind shqiptarë, duke lënë një shteg prej 1 për qind që mund të vijë nga martesat e ndërthurura me sllavët ose ndonjë familje sllave e vendosur aty.
Bazuar në dokumente dhe fakte
Ashtu si në shkencën e astronomisë ku nuk mund të bëhet asnjë hap përpara pa u bazuar në zbulimet e mëparshme të autorëve të tjerë, edhe në atë të historisë shkohet nga e njohura tek e panjohura. Si çdo libër tjetër historik, edhe ky nuk është krijimtari, por bazohet në dokumentet dhe faktet që kanë paraqitur autorë të tjerë, veçanërisht Kristo Frashëri dhe Hilmi Sadikaj. Qëllimi i botimit të këtij libri është për të lidhur “hallkat” që kanë krijuar të tjerët në një “zinxhir” ku të duket qartë etniciteti shqiptar i gollobordasve (kalabardhasve), si kundërvënie ndaj spekulimeve të reja të pabazuara në dokumente, veçanërisht të atyre bullgare. Lexuesi do të jetë ai që do të vlerësojë se sa ia kam arritur qëllimit. Duke u ruajtur që të mos shtrembëroj asgjë, si “busull” orientimi po marr shënimin e Moikom Zeqos, në gazetën “Dita” të datës 24.11.2018 ku shkruan se: “Historia është një proces ngjarjesh, dukurish dhe figurash njerëzore, të cilat janë të bazuara në një rezultante historike të përcaktuar shumë qartë… Historianët seriozë mbrojnë karakterin objektiv të historisë dhe janë kundër të gjitha pikëpamjeve antishkencore që e mohojnë historinë në thelb, ose e metamorfozojnë, sipas interesave dhe opinioneve politike. Historia nuk është asnjëherë apriori. Por historia nuk është asnjëherë diçka aposteriori. Historia është ajo që ka ndodhur. Historia nuk konceptohet me një prapavijë dëshirore, pra sipas një “në qoftë se”, pra si do të kishte ndodhur kjo histori në se do të ishte zhvilluar ndryshe, apo pse kjo histori që ka ndodhur në këtë mënyrë nuk duhet të kishte ndodhur, sepse një etapë që vjen pas saj, mund të jetë në kundërshtim, ose ndryshe nga etapa paraardhëse.”
(“Origjina e gollobordasve të Dibrës (Kalabardhët)” botimi më i ri nga “Dituria”