ZGJEDHJET NË KOSOVË, LEKSION DEMOKRACIE

995

Nga Edmond ISAKU

Antar i Këshillit Kombëtar PD-së

 

Zgjedhjet e fundit në Kosovë me qetësinë, kulturën demokratike, zbatimin e Kodit Elektoral, debatin elektoral të përmbajtur, pa eksese dhe pa konfrontime që shpesh herë i kemi përjetuar në Shqipëri, përbëjnë një leksion demokracie edhe për Shqipërinë, e cila më shumë se kurrë sot po kërkon të ngrihet në standardin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike. Dalja dhe pranimi i rezultateve shpejt dhe pa bujë e rrëmujë, përbën një shembull që ka vend për të mësuar edhe Shqipëria. Kësaj here në Kosovë u votua për ndryshim, dhe ky ishte emërtuesi i përbashkët; qe një votë shumice kritike që u dha për të ndryshuar qeverisjen.
Këto zgjedhje kanë diçka më shumë se ç’prodhon një rrotacion politik, ku opozita fiton në garë më partitë në pushtet. Për Kosovën kjo është një shpresë e re që lind. Alternativat politike konkuruese respektuan Kodin Zgjedhor.

Fituan VV e LDK, dy parti me program modern dhe bashkëkohor. Ranë partitë e kapjes së shtetit. A do të ndodhë kjo në Shqipëri? Le të shpresojmë se zgjedhjet në Kosovë do të kenë jehonën e tyre për zgjim dhe reflektim edhe këtu. Kosova po na jep leksion me dy partitë që kanë fituar zgjedhjet. Por, nëse këto dy parti do të funksionojnë brenda programeve të tyre për të hartuar një program të përbashkët, atëherë leksioni përbën vërtetë emancipim politik dhe elektoral për t’u marrë shembull. 7 tetori qe lindja e një shprese të re për Kosovën demokratike. Kosova ka në gjirin e saj një konflikt të papërfunduar me Serbinë, ndërsa Shqipëria bart një konflikt të brendshëm historik midis neokomunistëve dhe demokratëve. Neokomunistët tashmë të pagëzuar me emrin “Rilindje” kanë kapur shtetin në të gjitha hallkat e tij.
Të ngjashmet simetrike në realitetet politike të dy vendeve do t’i gjenim: te LDK Kosovë dhe PD Shqipëri, si parti të qendrës së djathtë, dhe LSI Shqipëri dhe VV Kosovë, si përfaqësuese të spektrit socialdemokrat të majtë.
Të katër këto parti mendojmë se janë në akord të plotë me alternativën zhvilluese të BE, dhe kërkesave të kohës, për integrim evropian dhe zhvillim shoqëror, ekonomik dhe kulturor. Jo vetëm duke parë ngjashmëritë dhe shembëllimin politik të dy realiteteve politike por besojmë se zgjedhjet në Kosovë janë një leksion demokracie edhe për Shqipërinë për të realizuar sa më shpejt zgjedhje të parakohshme në standarde demokratike, si e vetmja rrugë për të dalë nga kriza shumëplanëshe që ka mbëthyer politikën dhe shoqërinë shqiptare. Shtetin e kapur nga krimi dhe korrupsioni mund ta çlirojë vetëm alternative e opozitës së bashkuar.