E NJË GJAKU ME ËNDRRËN

1074

Agron Tufa

Nëse Elsa Skënderi Rakipllari (me gjithë kompleksitetin e autorësisë), për hir të një trilli të beftë do të kishte parapëlqyer, që ta ndryshonte “unin” e vetës së parë rrëfyese në prozën e saj të gjatë “Krom dhe luledele” me neutralen “ajo” të vetës së tretë, atëherë, jashtë çdo dyshimi, do të kishim të bënim me një roman. Madje në përputhje të plotë me natyrën dhe ligjet narratologjike që përcakton zhanrin e romanit, sikurse na paraqitet përnjëmend proza e saj, me strukturimin kompozicional me një prerje kronotipike, ku mbruhet pak e fije personaliteti fëmijnor i shkrimtares së ardhme. Përpikmërisht këtë na vërtetojnë dhjetra përvoja letrare në krijimtarinë e shumë shkrimtarëve, madje, përveçmas, në veprat e tyre të para. Kjo instancë rrëfimore neutrale, sikurse është funksioni i përemrit vetor të vetës së tretë njëjës “ajo”, do ta përligjte kushtin teorik për të konsideruar në formë e në përmbajtje (në sintaksë e semantikë) një roman, vepër mirfilli letrare, një nga ato lloje romanesh të natyrës (auto)biografike, që quhen rëndom “portret artistje në vegjëli”.
Mirëpo Elsa nuk e bën këtë. Ajo mbetet te “uni” i saj, qartësisht i shpallur dhe i identifikuar me emër. Ajo nuk e ka aspak hallin te narrativa për të tjerë, sepse Elsës i intereson filli lidhës i identitetit vetjak, e asaj pjese, ku nis të ngjizet legjenda metafizike e misterit të “unit”, diku, në kohë e hapësirë. Dhe këtë fill lidhës ajo e bën përmes gjuhës (rrëfimit), me një tipologji shkrim të imët, të dendur, intim, gjithnjë përmes magjisë e habisë së gjuhës. Është gjuha që ajo, jo pak herë e rizbulon me variantet e gojëfoljeve lokale, dialektore, në shprehjet, ngjyresat, metaforat, pasthirrmat dhe lokucionet krahinore, si projeksion psiko-mental të mjedisit të ashpër urban, në atë trekëndësh provincial Bermunde të Veri-Lindjes sonë.
Ashtu siç lidh malet personazhi fantastik në përrallën magjike që rrëfen Tota (gjyshja), duke u kaluar atyre një litar (fill), si të ishin rruazare, ashtu dhe rrëfimi i Elsës kalon në fill skaje e momente të identitetit të saj nga mituria, deri në epilogun e largimit, në klasë të dytë. Përftohet kështu “rrethi i identitetit të saj” me unitet kompakt, që nëpërduket në raportet dhe projeksionet e saj të brendshme me veten dhe botën. Dhe kur kupton se po largohet përfundimisht prej atij habitati (“vendi i dajakut”) ku u formësua ky rreth i identitetit të saj, sërish ai na paraqitet i kompaktësuar në trajtën e një “byzyliku me petale bojëqielli”, të cilin Rrëfimtarja (Elsa) e shpërndan, duke i dhuruar secilit bashkënxënës nga një petale të kristaltë nga ky byzylik. Çfarë mbetet? Vetëm rrethi bosh që i kishte bashkuar ato petale, d.m.th., filli lidhës, uniteti përbashkues i të gjithave e gjithçkaje që na rrëfehet.
“Krom dhe luledele” është një prozë plotë xixëllima (ashtu si gurët e kromit, që kanë vlerë tjetër e janë më të rëndë midis gurëve të zakonshëm).
Gjuha e (auto)rrëfimit në këtë tekst proze të gjatë është gjuha plot sharm, ironi, përsiatje paradoksale e tutologji infantile me përshkrime të imëta lirike e poetike, detaje skrupuloze, skena e situata të thukëta, të përcjella me vetëpërmbajtje ironike e koprraci të ndershme. Dominantja e këtij ligjërimi është letrariteti i spikatur, që e lejon atutoren të çajë thellë në aventurën e saj të rizbulimit të Kohës dhe Gjuhës, për të ringjallur edhe një herë rrjedhën e viteve, qenien e vet të dikurshme brenda asaj guacke molusku, që tashmë qëndron aty, endur me rrathë të sedeftë.
Kjo botë e trazuar që kundrohet me sytë infantilë, në një qytet thuajse të braktisur minatorësh (Bulqiza), ku çdo gjë është e dyshimtë, ambigue, me shkallët e larta dhe idolin modern skulptural e socrealist të përmendores së Minatorit, i cili rri i shastisur e qyq mes një peisazhi urban, që i ka humbur tashmë referencat, bëhet qendër e një organizimi të dyshimtë psikik në raportet e fëmijës me botën (jashtësinë). Bota brenda (përbrenda) dhe bota jashtë (përjashtë) – janë një dikotomi që përpiqet, por nuk ia arrin të zbutet, ndërkaq, tok me rritën, vetëdija e vajzes së vogël me imagjinatë jashtëzakonisht pjellore e të uritur, meton t’i shndërrojë realet ekzituese me përfytyrime arbirare. Realitetet dhe raportet e njerëzve me to, vijnë duke u majisur, ndërsa vajza e vogël jeton stinën e zmadhimit të syve: habitë janë të pashtershme, andaj vogëlushja përpunon mënyrat e saj, diqysh t’ia dalë mbanë, të çlirohet nga frika somatike e gjësendeve, duke i ç’magjepsur ato nga energjia e keqe përmes sajesës, emërtimit. Kështu, pak e fije, ajo arrin të ndërtojë farë kozmosi të saj, si të ishte në fazën mitologjike të njerëzimit. Prapa shtëpisë, përtej një kopshti të vogël, ajo kuvendon heshtazi me Stokun, në gjuhën e saj, derisa më vonë qielli i shfaq “zbulesën” e Zotit, që për dreq, rezulton të jetë konstrukti i një antene në majëmal.
“Krom dhe luledele” pra flet për një vogëlushe dhe rritjen e saj mes kozmosit shpirtëror shtëpiak dhe një qyteti të flimentuar minatorësh, të varfër, të ashpër e të ftohtë, ku jeta është pështjelluar në një nyje të ankthshme paralize, ndërsa perspektiva e së ardhmes pushtohet nga gjëmimet, kallashët dhe tragjeditë e vitit 1997. Brishtësia e fëmijëve që rriten është si brishtësia e “luledeleve”, që sado të rritura më frymën e ngrohtë të dashurisë prindërore, përmes sakrificash e mungesash, zor se do t’i mbijetojnë peisazhi inorganik alien, që paraqet qyteti minator.
Rrëfimi i Elsës përshkallëzohet me dendësimin e simptomave të alarmit, ankthit e panikut, deri në kulmin e pëzishëm të dëshpërimit, zisë e vjatimit. Fëmija rritet, ndryshojnë vendet e banimit, format e arsyetimit, raportet me njerëzit, botën, rritet nostalgjia, rritet mosbesimi përsa bota bëhet më e pasigurt, më e trazuar, duke u rrokullisur drejt protestës, destruktivitetit të pakontrollueshëm dhe dëshpërimit pa rrugëdalje. Kronologjia e ngjarjeve është e mbushur me episode, personazhë e ngjarje tragjike: xhaxhai emigrat kthehet me “vete të humbur”, prej përvojave të pariparueshme të dhunës; banditët vërshojnë në rrugë; armët hyjnë në për shtëpi, në duar të fëmijëve loja e birit me armë vret një nënë (“Omeri vret Ajkunën”); qeni angullin përvajshëm e këmbëngulës te porta dhe, sipas superticionit, dikë të afërt në atë shtëpi e merr; edhe në repertorin e shenjave tradicionale të zisë dhe vajtimit, dikush mjeron e pikëllohet, dikush tjetër shtiret e luan komedi. Por kutesa dhe vëzhgimi i fëmijës mbërthehet pas detajeve, pas gjendjeve dhe raporteve të reja, të cilat i fikson si përvoja të para, që lënë gjurmë: “Kisha kuptuar se vdekja ishte e frikshme, rrëgjuese; se shkohej në tokë dhe jo në ndonjë qiell. S’di në ishin rrekur të më mbushnin mendjen ndonjëherë për ndonjë lartësim drejt Zotit, por të njëjtin botëkuptim me timin duhej të kishin pasur edhe fëmijët paganë dikur atyre anëve”.

A ka ngushëllim? Sigurisht ka. Mbrojtja nga jashtësia armiqësore dhe e pasigurt gjendet midis kozmosit shtëpiak, në udhëtimin imagjinar me Holgersonin dhe patat e tij, duke e nxjerrë huq realitetin përjashta: “Sa niste muzika hyrëse e filmit vizatimor, bëheshim pjesë e udhëtimit të mrekullueshëm të Nils Holgersonit; hynim fill në botën e Nilsit dhe të patave të tij. Nëse te lajmet s’kishim dot asnjë pikë qasjeje, gishtoja i patave të egra vinte miqësisht nga ekrani në shtëpinë dhe ëndërrimet tona. Ç’patë fisnike ishte Akka! Ç’e poshtër dhelpra Smirre, më ngjante me folësen e lajmeve. Ç’fole ëndrrash me misione ngadhënjyese shtëpia jonë e stokut. Ç’Holgersonë unë e im vëlla që ia përngjasonim Bulqizën universit qiellor të patave të Nilsit”.
Ashtu sikurse në veprat letrare, “Krom dhe luledele” është kompozuar me një “epilog” në fund të rrefimit, i cili tërë këtë botë, duket sikur, me kthimin në vendlindje, e mat me sy të picërruar e nostalgji therëse, gjithnjë në rrekje për t’i përfshirë në një kuptim thelbësor të identitetit këto shenja të një bote, që tash, paradoksalisht duket e zvogëluar. Këto parajsa të largëta të fëmijërisë, me harenë dhe trishtimin e tyre na kanë pritur të kthehemi, t’i rizbulojmë e të nisim me ta një tjetër kuvendim, mbase më thelbësorin prej sosh, atë, që i jep peshë dhe vlerë, ngjyrë dhe shije kuptimit të ekzistencës tonë.
Në këtë kyç, rikthimi në tempujt e fëmijërisë (teqeja e Dervish Çaushit) dhe gjetja, midis sendeve mbi varrin e shenjtëve të një ditari anonim, merr vlerën e një shenjuesi eksplicit, përtej përvojës sonë, e njëherësh, universalizimin, kërkimin e etur përtej përvojave tona të brendshme, në një zonë ku duhet të gjendet “tjetri i ngjashë”, binjakësia jonë, ndoshta kipci ynë, ndoshta alter ego-ja jonë e një gjaku me ëndrrën.
* * *
Sikur autorja ta kishte bërë rrëfimin e prozës “Krom dhe luledele” nga veta e tretë njëjës, duke e mënjanuar vetën e parë rrëfyese, do të zhdukeshin të gjitha simptomat dalluese të një vepre letrare memuaristike dhe ne, sipas përkufizimeve klasike, do t’i vinim një emërtim të saktë zhanrit të kësaj proze, duke e quajtur atë roman. Po përderisa, sikundër u munduam ta dëshmojmë më sipër, për nga gjuha, maniera e të shkruarit, penelatat lirike, kompozimi dhe semantika, vepra i ka të gjithë këto thelbe letrare, atëherë pse të mos quhet roman? Kush na pengon?
Mendoj se kemi të bëjmë me tipin e romanit autobiografik, njësoj, fjala vjen si romani autobiografik “Fëmijëria” i Lev Tolstoit.