MINIERAT E KROMIT NË KOLAPS

1222

Për të dalë nga kolapsi, subjektet e prodhimit të kromit Bulqizë kërkojnë që:
– Të hiqet ose të ulet në 2 % renta minerare.
– Të ulen shpenzimet portuale.
– Të mos vihen sanksione tatim-fitimi

Zgjidhja duhet të vijë në një qëndrim për biznesin minerar në shkallë kombëtare, pasi këto probleme nuk janë vetëm për Bulqizën por për mbarë vendin

 

Edmond ISAKU
Anëtar i Këshillit Kombëtar të PD-së

Kompanitë konçensionare të nxjerrjes dhe përpunimit të kromit rrezikojnë falimentimin. Kjo situatë i ka shqetësuar biznesmenët e subjekteve të prodhimit të kromit Bulqizë, të cilët parashikojnë përkeqësimin e situatës financiare të kompanive që ata drejtojnë.
Muajt e fundit çmimi i mineralit të kromit si dhe kërkesa në treg është përgjysmuar si dhe kërkesa në treg ka pësuar një rënie të theksuar, duke qenë prej një viti shumë e ulët. Një situatë e tillë e konjukturës së kromit në treg është prej një viti dhe vazhdon të përkeqësohet.
Çmimi prej një viti qëndron rreth 150 $ deri 200 $ për ton me 42 % Cr2O3. Aktualisht këto subjekte minerare janë në kolaps pasi nuk mbulojnë koston e prodhimit. Ndaj duke u ndodhur në këto kushte, subjektet po hasin vështirësi të mëdha në pagesën e faturave, pagave të punonjësve dhe të detyrimeve tatimore, si dhe detyrimet portuale.
Të gjithë subjektet janë detyruar të marrin kredi dhe overdraft në banka të nivelit të dytë, me qëllim që të mbajnë punëtorët në punë, gjithmonë duke shpresuar që të ketë rritje çmimi. Kjo situatë tashmë i ka goditur dhe i ka zhytur në borxhe, duke vazhduar shitje të materialit të kromit të prodhuar nën kosto. Meqenëse kjo situatë zgjati, tani administratorët pretendojnë ose të ulin pagat e punonjësve, ose të shkurtojnë fuqinë punëtore.
Nga ana tjetër këto subjekte po përballen me kontrolle të shpeshta shteti, nga mjedisi, AKBN, transporti rrugor dhe tatimet. Që nga data 20 e çdo muaj ka presion nga Drejtoria e Pergjithshme e Tatimeve dhe ajo Rajonale për pagësën e sigurimeve shoqërore dhe të kësteve paraprake të tatim-fitimit. Ata e bëjnë këtë me qëllimin e realizimit të planit, ndërsa subjektet nuk paguajnë dot pagat. Në këto kushte këto subjekte janë në situatë falimentimi, prandaj kërkojnë që këstet e tatim-fitimit të mos i paguajnë dhe të mos penalizohen për këtë, pasi janë parapagime.
Duke analizuar shitjen dhe normën e fitimit këto subjekte ekonomike nuk arrijnë tatim – fitimin e vitit të kaluar. Ato janë të bindur se po ju bëhet një padrejtësi. Ndaj janë të mendimit që t’u bëhet një marrëveshje nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve për pagesën e sigurimeve, për një afat 6 mujor. Kjo marrëveshje zgjidh krizën financiare dhe sociale duke mbajtur numrin aktual të punonjësve, për të mos shkurtuar vendet e punës ku humbin pagesën mijëra familje. Njëkohësisht këto subjekte kërkojnë nga qeveria që kontrollet të mos ju bëhen pengesë në realizimin e punës dhe të prodhimit.
Një nga problemet më të rëndësishme që e kanë ngritur edhe më parë por që tani merr rëndësi të veçantë është rishikimi i pagesës së rentës minerare që të mos paguhet për një periudhë të caktuar.
Kërkesa e kompanive konçnsionare të nxjerrjes dhe pëpunimit të kromit, veç të tjerash konsiston që të ndërhyhet në kompanitë e përpunimit të kromit në port për uljen e tarifave për një periudhë deri sa të lëvizë tregu, pasi ka një vit e gjysmë që përballemi me këtë situatë të rëndë dhe tani po paralamërojmë kolapsin e plotë. Ato i bëjnë thirrje qeverisë që t’i mbështesë me masa konkrete për të mos falimentuar dhe për të mos rënë në mbyllje të plotë pasi do të ishte një humbje e madhe për ekonominë shqiptare.
Në qarkun e Dibrës industria minerare zë një peshë të konsiderueshme në të ardhura ekonomike dhe me kontribute të mëdha në tatime.
Duke shpjeguar më në detaje, administratorët e këtyre subjekteve shprehen se konkretisht zgjidhja duhet të vijë në një qëndrim për biznesin minerar në shkallë kombëtare, pasi këto probleme nuk janë vetëm për Bulqizën por për mbarë vendin.
Më konkretisht dhe në mënyrë të përmbledhur kërkesat janë si më poshtë:
– Të hiqet ose të ulet në 2 % renta minerare.
– Të ulen shpenzimet portuale.
– Të mos vihen sanksione tatim-fitimi
Për ta ilustruar në shifra mund të thuhet se situata është kjo:
Kostoja e prodhimit për një ton krom është 120 $.
Nga prodhimi te pika e grumbullimit kostoja shkon 6 $ për ton.
Transporti nga sheshi i grumbullimit deri në Durrës kushton 14 deri 20 $ për ton.
Pas kësaj të gjitha shpenzimet portuale deri në ngarkimin në anije kushtojnë 18 deri 20 $.
Renta minerare varion sipas cilësisë nga 12 deri 25 $ për ton sipas referencave.
Llogaritur këtu edhe derdhjet tatimore, dhe kalon 191 $ për ton, kur dihet se çmimi për 1 ton është 150 dollarë.
Aktiviteti prodhues po shkon në humbje dita-ditës sepse kromi nuk është 42 % dhe humbjet janë shumë të mëdha, pasi për 36 % humbja shkon në 60 $ për ton. Për çdo 1 % humbjet janë 10 $ për ton. Ndaj kompanitë dalin me humbje dhe kështu këto subjekte, po nuk u ndihmuan nga shteti detyrohen të mbyllin aktivitetin prodhues i cili po shkon në humbje dita-ditës.