Zgjedhja e dy anëtarëve të Kushtetueses, PD: Puç kundër drejtësisë me porosi të Ramës

985

Për Partinë Demokratike, zgjedhja e dy anëtarëve të reja të Gjykatës Kushtetuese është konsideruar si një puç kushtetues kundër drejtësisë së pavarur.
Sekretari i përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi në një deklaratë nga selia blu tha se PD dënon projektin e rilindjes për të kapur Gjykatën Kushtetuese.
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Gazment Bardhi e cilëson si një puç kushtetues votimin e dy anëtarëve të rinj të këtij institucioni nga mazhoranca aktuale. Selia blu akuzon kryeministrin Edi Rama se po tenton që të kapë Kushtetuesen. Sipas Bardhit i gjithë procesi i kryer nga kryetari i KED, Ardian Dvorani, me porosi të Edi Ramës, ka sjellë një ‘produkt antikushtetues, që eliminoi garën dhe çoi në votim fiktiv nga Kuvendi’.
“Me porosi të Ramës u vu në jetë një puç kushtetues kundër drejtësisë së pavarur nga politika.
PD mbështet një gjykatë kushtetuese funksionale dhe të pavarur, por kurrsesi kjo që ndodhi me votimin nga pseudomazhoranca aktuale. PD dënon projektin e Ramës për kapjen e Gjykatës Kushtetuese. Rama përmes KED ka paracaktuar anëtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese”, tha Bardhi.. Ai tha se “Afati 30 ditor për Presidentin nuk ekziston në Kushtetutë. Është alibi e ngritur nga Rama, me pasoja në funksionimin normal të Gjykatës Kushtetuese”.
Përsa i përket zgjedhjes së anëtarëve të rinj, sipas radhës, një duhet ta bëjë presidenti, një kuvendi dhe një Gjykata e Lartë, por në kushtet aktuale Gjykata e Lartë nuk është ngritur dhe nuk jemi në kushte normale.
Por për PD-në, këtu nuk kemi të bëjmë me situatë të jashtëzakonshme edhe pse ky institucion ka dy vite qe nuk funksionon. “Nuk ka asnjë situatë të jashtëzakonshme që radha e përzgjedhjes që ka përcaktuar Kushtetuta të mos respektohet. Mungon vetëm Gjykata e Lartë, që është një rrethanë e pavarur nga vullneti i Kuvendit dhe i Presidentit. Prandaj edhe radha që ka caktuar Kushtetuta, për Presidentin dhe Kuvendin, është e detyrueshme të zbatohet” thotë Bardhi.