Një gjyshe e lumtur

1302

Nga Zabit Lleshi

Në një nga emisionet televizive të TVSH-së u diskutua për gjyshërit dhe gjyshet, për rolin e tyre në mirërritjen dhe edukimin e fëmijëve. Kjo i bënte ato të lumtur, u jepte shpresë dhe u zgjaste jetën duke u mbushur një pjesë të mirë të kohës së tyre të lirë gjatë moshës së tretë.
Përjetova emocione, kujtimet më çuan larg në fillimet e jetës sime si edukator në vitet 70. Ndërmend më erdhën shumë kolege, edukatore që nga Bulqiza, Peshkopi e deri në Baldushk të Tiranës ndërmjet tyre: Eleni Kola, Shirete Sharku, Fiqirete Strazimiri, Yllka Spahiu, Liljana Dapi etj.
Njëzet vjet të punës në Tiranë ishin dhe mbetën një përvojë interesante e jetës sime në arsim. Midis tyre tre vjet në Baldushk gjeta një ambient të përshtatshëm për punë, mora me vehte respektin e pritjen e atyre njerëzve të çiltër, puntor, bujar e mikpritës. E ndiej për obligim të shkruaj për ato kolegë të dashur e miqësor me të cilët i ruajmë konsideratat pas kaq vitesh tashmë në pension.
Baldushku ka një traditë të shkëlqyer në fushën e arsimit dhe kulturës. Të shumtë janë mësuesit vendas dhe të ardhur që kanë dhënë ndihmesën e tyre në shkollat e kësaj treve arsimdashëse që nga Vishnja në Vrap. Kësaj radhe dëshiroj të ndalem në njërën prej tyre dhe konkretisht për Liljana Dapin:
Liljana punoi si mësuese në ciklin e ulët, në pjesën dërmuese të punës në arsim ajo dha mësim në kopësht. Është e njohur tashmë që edukimi i fëmijëve fillon në kopësht, aty merren elementet e para të edukatës shkollore prandaj edukatorja nuk harrohet nga fëmijët, prindërit dhe nga mbarë shoqëria.
Liljana Puriqi lindi më 16 janar 1956, në një familje qytetare të vjetër të Beratit. Babai i saj Stavri me punën e tij të ndershme në ndërmarjen e transportit të autobuzëve rriti nëntë fëmijë, tetë vajza dhe një djalë. Pas shkollës tetëvjeçare “Çlirimi” në Berat Liljana ashtu si motrat e saj bëri përpjekje për të filluar punë për të ndihmuar sado pak familjen, por ajo ishte në periudha të shkurtëra dhe pa ndonjë perspektivë.
Në vitin 1974 ajo u njoh me Rrahman Dapin nga Baldushku me shërbim ushtarak në Bera, pas dy vjetësh njohje vendosën të martoheshin pa dëshirën e prindërve. Në familje gjeti rezistencë që ndeshej shpesh në ato vit. U deshën durim e këmbëngulje që sollën mirëkuptimin e dy familjeve. Si të gjithë prindërit edhe ata mendonin se vajza është larg, disa gojë të liga nxirrnin pengesë fenë. Liljana e krishterë e Rrahmani musliman.
Lili, kështu e thërrasin nusen e re erdhi në një familje patriote e arsimdashëse në Tiranë. Vjehrri i saj Muharremi, veteran i luftës nacional-çlirimtare, përkrahës i së resë përparimtare, arsimdashës kërkoi dhe arriti të pajtoi familjen me ato të miqësisë së re, ndërsa Lilin ta dërgoi në shkollë për mësuese në pedagogjiken e Tiranës së bashku me vajzën(kunatën ) Nurijen.
Strehimin për mësueset e ardhshme e mori përsipër gjyshja nga nëna e Rrahmanit, Kumrie Dorëzi, bashkëshortja e Halil Dorzit dëshmor i luftës Nacional-Çlirimtare nga Peza.
Me mbarimin e shkollës së mesme u emërua mësuese në ciklin e ulët në Baldushk ku punoi 37 vjet. Në punën e re ajo u ambientua shpejt, u njoh me kolektivin dhe detyrat e reja që shtroheshin për shkollën në ato vite. Dalngadalë krijoi përvojën dhe eksperiencën e saj për edukimin e brezave. Ajo kish marrë me vehte kulturën qytetare të Beratit prandaj dhe u shqua për marrëdhënjet me fëmijët e prindërit si dhe kolegët. Gjithnjë u dallua për disiplinë, rregull, pastërti gjë që u reflektuar në rezultatet e saj si mësuese dhe edukatore.Për një periudhë të shkurtër, Liljana do të njihej nga drejtuesit e shkollës “Feti Vogli” dhe ato të institucioneve të rrethit të Tiranës ndër mësuesit që përvojën e mirë e traditat e shkollës së Baldushkut do t’i çonte më përpara në fushën e edukimit të brezit të ri.
Çdo njeri përpiqet të lërë gjurmë në punën e tij, pastaj varet se sa këto gjurmë lënë mbresa që ruhen për shumë vite. Kujdesi i Lilit për të lënë mbrapa kujtime që zor se shuhen nga ndërgjegja e shumë të rinjëve dhe të rejave ishte për t’u admiruar. Siç na thotë edhe ish drejtori i shkollës Gjet Buna, Liljana shprehte inetres e kujdes të veçantë për mirëedukimin e fëmijëve , për pastërtinë, higjienën, rregullin, elementet e para të edukatës, ajo mbante lidhje të rregullta dhe bënte një punë të lavdërueshme me prindërit.
Me nënat e reja, merrte informacion shqetësimet e përditshme të tyre, për shëndetin, ushqimin e deri tek problemet e ngrohjes, sigurimin e bazës materiale e konkretizmin e orës së mësimit.
Mësuesit e Baldushkut dalloheshin për një punë sistematike, unitet e ndihmë të kualifikuar e reciproke për njeri tjetrin. Suksesi varej nga puna zinxhir e vazhdueshme nga kopshti në klasat e para. Rezultatet e mira të kolegëve Ferik Sula, Hysni Ferati, Nurie Rama, Rina Vrapi, Fatmir Vrapi, Muharrem Ahmeti etj, ishin domosdoshmërisht edhe një pjesë e mirë e punës së Liljanës në arsimin para shkollor. Pa dyshim puna dhe merita e këtyre mësuesve, thotë Bashkim Miftari, që shkolla e Baldushkut radhitej ndër shkollat më të mira të Tiranës. Shkolla jonë është vlerësuar vazhdimisht nga kontrollet e Ministrisë Arsimit dhe Drejtorisë Arsimore të rrethit.
Eksperienca e mirë e kopshtit të Baldushkut është njohur nëpërmjet seminareve, orëve kualifikuese e model që janë organizuar me pjesëmarrjen e gjithë edukatoreve të kopshteve të zonës Baldushkut e më gjerë. Sigurimi i mjeteve të pregaditura nga vetë mësuesja,konkretizimi i mësimit, këmbëngulja për përvetësimin e njohurive aq sa kërkohen për moshën, lidhja e bashkëpunimi me prindërit ka qenë çelsi i sukseseve në punë të edukatores Liljana Dapit, na tha Ferik Sula mësues i vjetër në Baldushk.
Në vitin 2013-2017 punoi si edukatore kopshti në Koçaj duke e kthyer në model të kopshteve në njësinë administrative të Baldushkut. Atje solli përvojën shumë vjeçare të saj tashmë në një ndërtesë të re që e paisi me mjete bashkëkohore të përgaditura vetë që u shoqërua me mjaft rezultate pozitive në klasën e parë të asaj shkolle. Liljana Dapi ndërtoi marrëdhënje të mira korrekte me drejtuesit që nga Lesko Gjata, Përparim Pirushi,Vladimir Shaka, Bashkim Miftari, Gjet Buna, Mehmet Hasani, Veli Plaku, Lumtor Ibraliu, Osman Harizi e deri tek më i riu Renald Dapi në Koçaj ish nxënësi i saj etj.
Liljana Dapi me kolegët e saj pati rastin të edukoj një brez që i dha shumë kuadro që ndihmuan për përparimin shoqëror e kulturor të trevës së Baldushkut. Ata shërbejnë me devotshmëri në fushën e arsimit ku ndërmjet tyre përmendim: Renald Dapi, Bledar Vrapi, Brunilda Rama, Gentian Tafa si mësues, Jonida Bali si ekonomiste e shumë të tjerë në fushën e biznesit e sektorë të tjerë të ekonomisë.
Mëuesit e Baldushkut kanë dhënë një ndihmesë të çmuar në fushën e kulturës e gjallërimit të verpimtarive sportive. Ato mbajtën gjallë dhe çuan më përpara traditat në këto fusha të rëndësishme të edukimit, emancipimit shoqëror e përparimit të ekonomisë në rrethin e Tiranës.
Bashkëshorti i Liljanës, Rrahmani punoi si hidraulik në ujësjellsin e fshatit. Pas ardhjes familjarisht në Tiranë, në vitin 200 u sistemua në profesionin e tij në Ndërmarjen e trajtimit studentëve. Liljana krijoi familjen me Rrahmanin i cili sot është në pension. të dy së bashku kanë tre fëmijë: Dhuratën, Nardin dhe Romeon. Ata mbaruan shkollën e mesme në Baldushk. ishin një shembull për shkollën në sjellje e në marrëdhënje me shokët e mësuesit.
Dhurata një nxënëse ekselente për 11 vite ishte krenaria e shkollës. Sipas shembullit të prindërve ajo me dashuri u martua me Artan Lulën. për disa vite punuan në Greqi(1997-2010). Kanë tre fëmijë: Nikolla student në universitet, Kristina në gjimnaz,Iljana në nëtëvjeçare. Ashtu si Dhurata edhe ato janë ekselentë në shkollë e jashtë saj. Familjarisht punojnë në një biznes privat në Sauk. Nardi, djali i madh, mjeshtër druri, ka dy djem; Renald dhe Albioni.
Romeo është martuar me Rajmonda Shadikun matemacine, të dy punojnë në firma private, kanë një vajzë që quhet Vivja.
Liljana është në pension por nuk është larguar nga profesioni, ajo mban dhe kujdeset për edukimin e Vivjas si edukatore në rolin e gjyshes. Bashkë me Rrahmanin u gëzohen nipërve dhe mbesave ku gjejnë lumturinë duke marrë edhe dashurinë ,frymëzimin e krenarinë etj.
Si të gjithë gjyshërit në Tiranë ato i bëjnë një shërbim të madhe shoqërisë duke edukuar e kujdesur për mirërritjen e fëmijëve, duke zëvëndësuar kështu shpesh herë e prindërit e rinj por edhe mësuesit. Shoqërojnë e përcjellin fëmijët në kopësht, shkollë, veprimtari kulturore edukative në mësimet jashtë klase e shkolle, kurse etj.Kursejnë kohën e punës për nënat e baballarët e tyre .Këto të fundit janë shumë mirënjohës për atë çka bëjnë e shërbimet që u afrojnë të vegjëlve gjyshërit.
Si shumë qytetarë të tjerë, na thotë Rajmonda:” fatmirësisht i kemi afër” Lili, shfrytëzoi natyrën e qetë të kodrave të liqenit që fatmirësisht kemi afër, ambientin e kulturuar të pastër për shëtitjen me fëmijët. Ajo na ka lehtësuar shumë, shkojmë me mendje të fjetur në punë se vajza jonë do të ushqehet, pushojë e argëtohet më së miri gjatë kohës që është me gjyshen e saj.
Vetë gjyshërit gëzohen e lumturohen kur ato mësojnë mirë në shkollë, rriten të shëndetshëm, stërviten në ekipet sportive, marrin pjesë në veprimtari artistike e bëjnë një jetë të pasur e aktive.
Sa më mirë ti bëjmë këto aq më mirë e më me dinjitet garantohet vazhdimësia e brezve, aq më mirë e më e shëndoshë do të jetë shoqëria e familja. Kjo është detyrë e përhershme dhe e vazhdueshme që duhet të realizojnë gjyshërit nga brezi në brez.
Jemi përpara dy festave, 7 marsit festës së mësuesit dhe 8 marsit festës së gruas. Si nënë, gjyshe e mësuese i urojmë Liljana Dapit festa të gëzuara, ditë të lumtura, jetë të gjatë e mbarësi në familje.