Tragjedi në Familjen Tola në Ostren të Bulqizës. Nëna, Rajmonda, bashkë me dy fëmijët, Rudinën 18 vjeçe dhe Fajtonin 14 vjeç, kanë humbur jetën në rrethana ende të paditura. Ngjarja ka ndodhur gjatë natës, ndërsa tragjedia është zbuluar paraditen e 14 shkurtit 2020. Ka qenë kunata e Rajmondës ajo që ka zbuluar tragjedinë, pasi kur shkoi t’u hidhte bagëtive për të ngrënë rreth orës 11:30, trokiti në derën e familjes dhe askush nuk iu përgjigj. Pas tentativave për të hapur derën, ajo njoftoi fqinjët e saj, të cilët me forcë hynë brenda, por u përballën me skenën e rëndë. Rajmonda bashkë me dy fëmijët kishin ndërruar jetë në banesë, ndërsa vajza e vogël kishte shenja jete dhe u transportua në spital. Nëna me 3 fëmijët jetonin të vetëm, pasi burri ishte emigrant në Greqi.
Tre jetë të humbura nga e njëjta familje
Familjarët, të afërmit dhe banorët e fshatit Ostren, në Bulqizë, ju dhanë lamtumirën e fundit nënës me dy fëmijët e saj, vajzës dhe djalit, të cilët humbën tragjikisht jetën më 14 shkurt 2020.
Ato u përcollën në banesën e fundit nga mijëra banorë nga e gjitha zona e Gollobordës.
Ngjarja ka tronditur familjarë e të afërm, por edhe mbarë opinionin publik, ndërsa nuk dihet ende shkaku i vërtetë i vdekjes së trefishtë.
Rudina, e cila do ta kurorëzonte dashurinë e saj me një banor të fshatit fqinj me Ostrenin, mbante veshur fustanin e nusërisë, jo për në altar, por fatkeqësisht për në banesën e fundit. Fajton Tola 14-vjeç, më 14 dhe 15 shkurt do duhet të ishte në shkollë bashkë me shokët dhe shoqet e klasës. Por të shtunën e 15 shkurtit, ata me lule në dorë kanë shkuar në shtëpinë e tij për ta përcjellë për në banesën e fundit, duke i shprehur ngushëllimet familjarëve të tij. Fatjoni bashkë më nënë Rajmonda 45-vjeç dhe motën Rudina vdiqën të asfikuar nga tymi i sobës me dru, me të cilën po ngroheshin
Familja ka hapur dyert e mortit, dhe trupat e pajetë u përcollën për në banesën e fundit. Për të lehtësuar sadopak dhimbjen, shpenzimet për ceremoninë mortore u mbulohen nga Bashkia e Bulqizës, ndërsa për të shprehur ngushëllimet në familjen Tola ishte edhe kryebashkiaku Lefter Alla.
Në fshatin Zapoq të Ostrenit mbizotëron zia, lotët e dhimbja
Në fshatin Zapoq të Ostreni, ku ka ndodhur tragjedia, mbizotëron zia, lotët e dhimbja. Tre jetë të humbura nga e njejta familje.
Ditën e 14 shkurtit, Fatjon Tola duhej të kishte hapur derën e shtëpisë për të shkuar në shkollë ku vazhdonte klasën e tetë. Mungesa e tij vuri në lëvizje të afërmit e familjes Tola, fqinj në fshatin Ostren të Bulqizës, duke trokitur në familjen e Ylberit. Por nuk kanë marrë asnjë përgjigje. Kunata e shtëpisë, ka kërkuar ndihmën e fqinjëve të tjerë, ku pasi kanë hapur derën me forcë, kanë mbetur të shtangur. Rajmonda dhe dy fëmijët e saj, Fatjoni 14-vjeçar dhe Rudina 22 vjeç, e cila këtë shtator do të martohej, ishin të pajetë! Në mesin e kësaj dhimbje të papërshkrueshme, sytë e shpresës u kthyen nga vajza tjetër e shtëpisë, Merita, 16-vjeçare, e cila kishte shenja jete. Për kryefamiljarin Ylber Tola, i cili ishte në Greqi si emigrant ku bënte punë sezonale vajtje-ardhje, telefonata e asaj dite (14 shkurt 2020) nga të afërmit, do të ishte më tragjikja në jetën e tij. Ai mori lajmin se bashkëshortja e dy fëmijët humbën jetën mbi dyshimet se janë asfiskuar nga tymi i sobës me dru me të cilën ngroheshin, ndërsa mrekullisht, Merita e kaloi rrezikun për jetën pas ndihmës mjekësore që mori në Spitalin e Traumës në Tiranë.
Kthimi në atdhe nuk ishte aspak i lehtë për Ylberin. Do duhej tu jepte lamtumirën më të hidhur. Thotë se nuk e di më se çfarë ndjen, përveç boshllëkut të pazëvendësueshëm që i lë humbja e njerëzve të zemrës. Megjithatë, atij i mbetet të bëhet i fortë, për vazjën tjetër që ia hodhi kësaj tragjedie, por edhe për vajzën më të madhe, e cila është e martuar. Mbi të gjitha për 16-vjeçaren, e cila ende nuk e ka mësuar se nëna, motra dhe vëllai i saj i vogël nuk mundën të mbijetojnë brenda të njëjtave mure prej nga ajo doli e gjallë. Me gjithë mallin për fëmijët dhe lodhjen nga puna në një shtet të huaj, nuk ndihet fajtor që ka qëndruar larg familjes, pasi nëse nuk do të kishte punuar në emigrim, siç Ylberi thotë – “asgjë nuk do të kishim bërë”.
E afërmja e tre personave që u shuan: Më dhemb shpirti, tri kufoma në një shtëpi! Lindën dhe vdiqën në fshat
E afërmja e vetme që ndodhet pranë Merita Tolës në spitalin e Traumës në Tiranës, është nusja e dajës së Rajmondës, e cila ndërroi jetë së bashku me dy fëmijët e tjerë të saj në banesën e tyre në Ostren të Bulqizës. Lumturie Bajrami thotë se lajmin tragjik e ka marrë edhe bashkëshorti i Rajmondës, që ndodhet emigrant në Greqi, dhe ka marrë rrugën për në atdhe, për t’i dhënë lamtumirën e fundit familjarëve të tij. Zonja Bajrami thotë se nuk e di se çfarë ka ndodhur në banesë që i mori jetën nënës dhe dy fëmijëve, por kërkon ndihmën e shtetit në një familje që kanë për të varrosur tre persona!
“E mora vesh përmes televizorit, dhe sa pashë emrin e mbesës në televizor, mora në telefon kunatin e mbesës, dhe tha po është e vërtetë. Si ka ndodhur i thash? Nuk dimë asgjë, 3 janë të vdekur, dhe një në spitalin e Bulqizës. Unë u nisa direkt në spital. Komunikova me infermieren, për momentin është mirë më thanë. Jemi të traumatzuar, i thonë 3 kufoma. Rajmonda ishte shtëpiake. Bashkëshorti në Greqi në emigrim me tre mujorsha, vajtje-ardhje. E kanë marrë në telefon edhe atë, është nisur nga Greqia. Kufomat i kanë çuar në Peshkopi të bëjnë ekspertizën. Aty përdornin zjarr për ngrohje se janë në mes të fshatit, por të vërtetën nuk e di se çfarë mund të ketë ndodhur. I mora në telefon, aty kishte vetëm të qara. Më dhëmb shpirti. Me bagëti merren, nuk kanë gjendje të mirë, të kishin gjendje të mirë nuk shkon burri në Greqi emigrant me i lënë fëmijët. Ndihma nga shteti është mëse normale se është gjendje shumë e rëndë, tre kufoma në një shtëpi. Janë në gjendje kritike, në mes të fshatit, jetojnë me sakrifica të mëdha. Ata kanë lindur dhe po vdesin në fshat. Aty kanë jetuar”, tha Lumturie Bajrami.
Basha: E ndoqa lajmin me dhimbje, shërim të shpejtë vajzës tjetër
Kreu i Partisë Demokratike ka reaguar në lidhje me tragjedinë e ndodhur në Bulqizë, ku një nënë me dy fëmijë gjetën vdekjen. Basha shpreh ngushëllimet për familjen Tolaj si dhe i ka uruar shërim sa më të shpejtë pjesëtarit tjetër të familjes, që sipas kreut të opozitës është vajza tjetër e familjes.
“Me tronditje dhe dhimbje ndoqa lajmin për tragjedinë në Ostren të Bulqizës ku humbën jetën një nënë dhe dy fëmijët e saj. Shpreh ngushëllimet e mia të thella për familjen Tolaj dhe uroj shërim të shpejtë vajzës tjetër të familjes që po merr ndihmën mjekësore” shkruan Basha.