Basha në tubimin e Metës: Liria rrënohet kur kushtetuta shkelet!

808

Lideri demokrat Lulzim Basha i është bashkuar tubimit të president Ilir Meta më 2 Mars, duke dalë jo nga zyra e tij në selinë e PD-së, por nga kafja e hotel Rogner, ku më herët kishte takuar ambasadoren amerikan Yuri Kim.
“Mesazhi im është një falënderim nga zemra për gjithë qytetarët që i janë përgjigjur thirrjes për të mbrojtur Kushtetutën. Le të citojmë sot një prej baballarëve themelues të SHBA Thomas Jefferson: e vetmja garanci për ruajtjen e lirisë është mbrojtja e Kushtetutës dhe se liria dhunohet, kur Kushtetuta shkelet. Në Shqipëri kushtetutës i ka mbetur vetëm kapaku. Mendoj se kriza politike duhet zgjidhur një orë e më parë për Shqipërinë dhe shqiptarët dhe se e vetmja zgjidhje janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare në një ditë me zgjedhjet legjitime vendore. Kjo nuk është një protestë, është një tubim drejtuar gjithë qytetarëve shqiptarë në mbrojtje të Kushtetutës dhe unë këtu ndodhem si qytetar, si prind, si bir nëne e babai, si bashkëshort dhe si bashkëqytetar i juaji. Unë kam dalë bashkë me miq të nderuar, me zotin Mustafaj, me zotin Bisha dhe miq të tjerë për të dhënë mesazhin e qartë se ky është tubim qytetar. Thirrja u është drejtuar qytetarëve dhe ky është një bashkim qytetar“, tha Basha.
Krah kryedemokratit Lulzim Basha, janë parë në tubimin e presidentit Ilir Meta, edhe figura të tjera të opozitës si Fatmir Mediu, Besnik Mustafaj, si dhe kreu i FRPD, Belind Këlliçi.
Në këtë protestë nuk ka munguar edhe kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi. Ajo është parë përballë kryeministrisë së bashku me ish-deputetë të LSI-së, larg podiumit ku u mbajtën Ajo ka deklaruar se i bashkohet tubimit si qytetare dhe jo si kryetare e një partie politike.