• Kujtesë/ gjakhumburit e jetëharruarit e minierave në kërkim të floririt…
• Njerëz të lirë që dhanë jetën galerive të kromit…
• Njerëz të burgosur që dolën në “liri” në një mënyrë që askujt mos i ndodhtë…
• Njerëz që kur hynin galerive uronin: “Dalshim shëndoshë”…
Abdurahim Ashiku*
Gjakhumbur e jetë harruar, mbledhur në një libër që tash pesë vjet askush, nga ata “kushët lart”, nuk e ka marrë në dorë, pa le ta shfletojë, të lexojë jetët e të kërkojë gjakun pikuar e rrjedhë honeve të errëta të nëntokës.
Mbase ky libër duhet të ishte (dhe të jetë) në tryezën e atyre që ”shkruajnë e shuajnë germa e fjalë” në tepër të përfolurin “projekt-ligj” në këto 27 vite… “Statusin e minatorit”!
Ymer Keta, minator, shkrimtar, publicist NJERI me germa kapitale duke iu drejtuar në 65 vjetorin e Minierës së Kromit të Bulqizës, lexuesve (mirë do të ishte t’i drejtohej Kuvendit) shënon:…
“Në ato ditë të vështira, kur pushka me gjalmë kërciste në male për çlirimin e vatanit e gjaku i derdhur mbushte lumenj, nuk pati më shumë viktima se sa në Minierat e Kromit Bulqizë e Batër, apo edhe në ato të bakrit e të qymyrit, pas çlirimit, lubi e pangopur në jetë njerëzish varrosën minatorë në galeritë e nëntokës, por edhe në sektorë të mbitokës jo pak djem nënash nga zonat e Dibrës, të Matit, të Mirditës dhe nga e gjithë Shqipëria”.
Gazetar e publicisti Sali Ymeri, njohës i minierës së Bulqizës si punonjës i “Avari shpëtimit” duke pyetur se si lindën këto kujtime shkruan…
“ E marr me mend se ç’ka përjetuar ky ish minator, sot shkrimtar, në moshën më të bukur, kur ka punuar në galeritë e minierës në vitet 1969-1975, në ato mëngjese, pasdite apo turne nate në ato galeri të frikshme. Autori kujton ato shokë, miq e të afërm, me të cilët përshëndetej në fillim të turnit: “dalshim shëndoshë”!….
Dalshim shëndoshë!
Një fjali që edhe legjendat dridhen e ngrijnë qelizash rrëfimore. Dalshim shëndoshë!…
Edhe në luftë, në ato beteja që e kanë shkatërruar shoqërinë njerëzore, kjo fjali nuk është shkruar e dëgjuar të dilte nga kordat zanore njerëzore.
Këto 434 faqe libri, me qindra fotografi e skica, afro 500 portrete e emra heronjsh të nëntokës, nuk mund t’i shkruante askush, nuk mund t’i dokumentonte njeri igjallë pa një shpirt të madh, pa sy që shpërthejnë liqenin e lotëve brazdave të pleqërisë, nuk mund t’i dokumentonte askush që nuk e ka përjetuar në shpirt fjalinë “dalshim shëndoshë” sa Ymer Keta.
Nuk do t’i bënte vetëm, por me miq e me shokë jetuar honesh të errëta të nëntokës së Bulqizës, Batrës, Shkallës, Cërujës, Selishtës, Tërnovës, Rubikut, Kurbneshit…
E lotët përsëri do të mbushnin fjalët e tregimeve, si në një krua që rrjedh me shkumë…
Shfletoj librin dhe në sy më vijnë heronj të nëntokës, nga ata që i dhanë jetë e zhvillim dhe nga ata që dhanë gjak të pastër rinor…
Njerëz të lirë që dhanë jetën galerive të kromit…
Njerëz të burgosur që dolën në “liri” në një mënyrë që askujt mos i ndodhtë…Ymer Keta i ka bërë bashkë me të njëjtin respekt dhe përkushtim…Dhe vijnë e radhiten një nga një…
Xhavit Hatibi dhe Todo Maço që një ditë të ftohtë të 18 shkurtit 1948, në krye të 30 minatorëve nga Mirdita, Mati e Dibra, ndezën fitilat dhe bënë që Mali i Duriçit të jehojë…
FeritAlla, Bujar Pata, Kamber Duriçi, Kujtim Gjoka, Bukurosh Koçi… e të tjerë që i vunë shpatullat ndërtimit të minierës së Bulqizës, fabrikës së pasurimit të kromit e ndërtimeve të mëdha kapitale që çuan në deri NJË milionë e dyqind mijë tonë krom në vit për eksportet shqiptare, flori që ndërtoi Shqipërinë, por nuk arriti kurrë të ndërtojë Bulqizën, Batrën, Krastën, Klosin, Burrelin…
Ymeri, në 434 faqe të “Heronjve të nëntokës”, siç i quan ai, hap një faqe që duhet lexuar germë për germë. Nga të gjithë, por në veçanti nga ata që kanë në dorë dhe në mendje t’i venë ata në piedestalin e lavdisë dhe ta venë veten në hulli të mirësisë…
Pa vështrimin mbi këtë “germë”, të vënët përjetësisht nën tokë dhe pasardhësit e tyre në dy breza…
Pa barazinë e tyre njëlloj me ata që u persekutuan nga diktatura…
Pa një vlerësim në “Nenin 1” të Statusit të Minatorit si heronj që dhanë e nuk morën asgjë…Demokracia për të cilën pushtetarët e lartë të të dy krahëve dhe pjella e tyre Kuvendi nuk do të jetë kurrë demokraci, kurrë barazi në të drejtën themelore të njeriut.
Ministri i financave doli disa ditë më parë dhe deklaroi njohjen e vjetërsisë së të burgosurve për efekt pensioni (nuk e specifikoi në ordinerë e politikë) “dy vjet për një vit” ?!
Faqeve të gazetave, “lajm të parë” e “listë në vijim” jepen çdo ditë miliarda lekë dëmshpërblime për nipër e stërnipër të të persekutuarve të regjimit të kaluar a thua se edhe ata kanë qenë në punë të detyruar galerive të kromit e bakrit apo të internuar fushave të Myzeqesë. Kjo, deri në atë masë të shkronjës sa njeriu i thjeshtë ka filluar të thotë hapur “Deri kur do të paguaj unë për to?”. Dhe për “kë do të paguaj?” sepse në listat publike marrin dëmshpërblim edhe ata që kanë vrarë, kanë vjedhë, përdhunuar e shkelur ligjet e kohës. Dhe ndonëse tash një çerek shekulli kërkohen të hapen “dosjet e sigurimit”, asnjëherë nuk është kërkuar të hapen “dosjet e gjyqit”, dosje që me siguri atë që qëlloi policin në kokë për ti marrë jetën nuk do ta cilësonte kush hero e martir të demokracisë…
Nuk e di pse sot, 18 shkurt 2018, mora heronjtë e nëntokës, mallin dhe brengën që lanë pas, vendin e tyre në një kohë pa vend, udhëtova në shkronjë të Ymerit thellësive të nëntokës e majave të maleve, aty ku nxirret flori e atje ku kërkohet flori, atje ku jepet jetë e atje ku humbet jetë…
Nuk e di pse brodha me këto shpirtra që flasin fshatrave të Dibrës me lot në sy në shkronjë të Ymer Ketës që qan për të gjithë por kthehet e qan edhe për vete, për pesë njerëzit e gjakut të tij: Ademin, Bujarin, Mehmetin, Izetin dhe Limanin… që i ka përcjellë me lot e dhimbje në botën pa botë. Nuk e di pse u ndala më shumë Grykës së Madhe e Grykës së Vogël, Fushë Bulqizës e Vajkalit që kanë derdhë mbi gurit e kromit aq gjak sa nuk ka derdhë asnjë fshat i Shqipërisë këto vite lufte pa armë e pa armik…
Nuk e di pse e fiksova shikimin në rrëfenjën për Isuf Sulën që la pas shtatë fëmijë. Pyeta veten ku janë dhe si u rritën ashtu siç pyeta veten për më të riun e nëntorit 2017, Liman Ketën, që iku duke lënë një vocërrak 3 vjeç e një nuse të re në dilemën “Të rrosh apo të mos rrosh”!
I thashë vetes se ai fëmijë, ajo nënë e re duhet të ketë status të plotë me të paktën të barabartë me fëmijën e familjen e një polici rënë në krye të detyrës.
Me pension e hapësirë për studime përballuar nga shoqëria…
Pse jo? Kryeministri të bëhet “Plak i Vitit të Ri” me “thesin e dhuratave” në krah grykave të galerive…
I thashë vetes se boll kemi ngrit grumbuj floriri e derdhë lot mbi bare varresh të harruar e të freskët…
Qeveria, e harruara qeveri, të hartojë sa më shpejt ligjin për “Statusin e Minatorit”, dhe Kuvendi ta dekretojë: “Hynë në fuqi menjëherë”.
Kështu mbase ua lehtësojnë paksa barrën e jetës atyre që u dogjën në shpirt për ata që ikën e nuk do të kthehen kurrë.
*Marrë nga gazeta “TELEGRAF”