HË, BESO PO DESHE
M’gënjeve një herë veten s’e fajsova,
T’dija burr me vlerë, ndaj unë të besova
Më gënjeve prapë, ah, ç’ma bëre mirë,
Se vetë u tregova budalla me brirë
Ndaj dhe ju, o njerëz, mos besoni shumë
Se do t’përfundoni budallenj si unë.
E bukura rini
Je ti, rini, e thjeshtë si thjeshtësia,
Je e dashur ti si vetë dashuria,
E ëmbël dhe e bukur si vetë bukuria,
E vrullshme, shpërthyese si vetë stuhia.
Tek ti ndizet flakë zjarri i dashurisë,
Ti zgjat përjetësisht dorën e miqësise.
Je plot besim në veten tënde e thua:
“Vetëm unë jetoj, ja shikoni mua!”.
Hidhërimi dhe brenga ty të kanë hije,
E hedh vallen ti me hap nusërie,
E çan rrugën ti me dorë burrërie,
E sheh t’ardhmen ti me ndjenjë krenarie.
Në rrugët e jetës edhe pse ndjen dhembje,
Shpresa e besimi janë në mendjen tënde,
Forca, bukuria të shihen në sy,
Të ardhmen e ndritur ke përpara ti.
Mos u perbalt në llumin e kësaj bote,
Shih të ardhmen tënde veç te shpresa jote,
Dlirësia jote nuk duhet të zhgërryhet,
Pastërtia jote s’duhet të përlyhet.
Hidhe vallen hidhe, vallen arbërore,
Me pleq e fëmijë kapur dorë për dore,
Këndoje me zjarr këngën e lirisë
Te ushtojë kudo anë e kënd Shqipërisë…
Ujkun e bëjnë bari
S’kishte ndodhur kjo çudi,
Ujkun ta bëjnë bari.
U mblodh fshati mu te rrapi
I kish zënë i madhi hall,
Ish bërë puna lesh arapi
S’i çonin delet në mal.
Folën gjatë e diskutuan
Për të gjetur një bari,
Por asnjeri nuk pranonte
Të shkonte me bagëti.
U ngrit njeri andej nga fundi:
Më degjoni, kam një mendim,
Meqë s’ ka bari katundi
A çojmë ujkun n’ vendin tim?
Ju them kështu, mos u çuditni,
Ujku s’është siç ish më parë,
Nuk i ha më delet tona
Është bërë “qingj” e mjaft i mbarë.
Ujku që rrinte mënjanë,
Lëpiu buzët me kënaqësi,
U ngrit menjëherë në këmbë
Dhe foli me përulësi:
-Ju o njerez mos u zini,
Hiç merak ju të mos kini,
Delet ua ruaj unë,
Jam i zoti për këtë punë
Më dëgjoni, o njerëz të mirë,
Unë një gjë po ju premtoj
Sa t’jem gjallë e deri sa t’ vdes
Bagëtinë do t’jua mbroj.
E vendosën më në fund
Ujkun ta bënin bari,
Ashtu t’ lodhur u shpërndanë
Edhe shkuan në shtëpi.
.
I kenaqur bari ujku
Në kullotë delet i çoi,
Shkuan ditë dhe gjë nuk ndodhi,
Kjo fshatarët i gezoi.
Por një ditë ndodhi kërdia,
S’erdhen delet në shtëpi,
Ujku i shtyrë nga babëzia
T’gjitha delet i kish gri.
O ju njerëz të trullosur,
Po si more ju lanë mendtë?
Po pse more të marrosur
E vutë ujkun t’ ruajë dhentë?
E harruat thënien e mençur
Që në shekuj ka udhëtuar,
Ujku qimen e ndërron,
Zakonin s’e ka harruar?