25 prilli është dhe duhet të jetë një ditë çlirimi dyfish për Dibrën

1198

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha është pritur me entuziazëm të jashtëzakonshëm në Dibër, të shtunën më 10 prill 2021, ku theksoi se ka ardhur koha për ti dhënë fund dimrit 8 vjecar.

Basha është pritur me entuziazëm nga mijëra qytetarë të cilët kishin dalë në shesh me flamujt kombëtar e të PD-së në duar. Po ashtu nuk kanë munguar as brohoritjet me thirrjet ‘Rama ik!’, ‘E gjithë Dibra është me ty’.
Në fjalën e tij kreu i opozitës është zotuar për të rikthyer aty filialin e universitetit, të cilin ua mbylli qeveria “Rama”. Po ashtu ai ka thënë se pas 25 prillit nëse do të jetë në krye të qeverisë programet e trajnimit dhe punësimit për të rinjtë, do të vihen në zbatim.
“Tё bësh njё gabim ёshtё realitet i jetesë por qartësisht me fuqizimin dhe rifuqizimin e këtyre individëve ёshtё e qartë qё nuk bёhet fjalë pёr njё gabim, bёhet fjalë pёr njё vendim tё kryeministrit në ikje i cili në kurriz të dibranëve, madje do të thosha edhe në kurriz të socialistëve të ndershëm dibran ka ngritur një sekt me qëllimin e vetëm për të grabitur pasuritë e kësaj zone, për të nëpërkëmbur banorët e kësaj zone dhe për ta kthyer atë në një çiflig të tekave të tij personale.
Ndaj, 25 prilli është dhe duhet të jetë një ditë çlirimi dyfish për Dibrën. Çlirim nga një stres, nga një akth, nga një makth i pushtimit të gjithë hapësirës institucionale, vendore, qendrore, publike, ekonomike nga një bandë që nuk e lidh asgjë me vlerat, virtytet, ëndrrat, ambiciet e familjeve dibrane për fëmijët e tyre dhe nga ana tjetër bashkimi për një program, me një ekip i cili synim kryesor ka që këto pasuri magjepsëse të Dibrës dhe virtytet për të cilat Dibra njihet në të gjithë vendin, ato të punës, të mençurisë, të mirëadministrimit të kthehen në mirëqenie për Dibrën dhe dibranët.
Kostoja e arsimit të fëmijëve dibranë është shtuar, ndërkohë që është shkulur padrejtësisht ajo që duhet të ishte një vatër jo vetëm për trevën e Dibrës por për të gjithë Shqipërinë verilindore.
Dhe jo më kot në programin tonë ne kemi vendosur arsimin e lartë si një prioritet absolut dhe hapjen e rihapjen e institucioneve të arsimit të lartë me fokus të veçantë tek trajnimi profesionalë i rinisë..