Basha në Bulqizë: Statusi i minatorëve do të jetë realitet brenda 6 muajve të parë të qeverisjes

915

“Ne e dimë që në detin e vuajtjeve spikat ajo e minatorëve të Bulqizës, naftëtarëve të Ballshit, ndaj kam ardhur sot këtu, për të shpallur e bërë të njohur një nga ndryshimet kryesore të qeverisë time, për resurset minerale. Ndaj dua ta përsëris, nga ky shesh i Bulqizës, për çdo minator nga Bulqiza, minator shqiptar, për familjet e tyre dhe fëmijët e tyre, për sindikatat e minatorëve dhe pensionistët minatorë që kanë shpenzuar jetën e tyre nën tokë.
Qartë, prerë e shkurt, brenda 6 muajve të parë qeveria ime do të miratojë statusin e minatorit sipas parimeve Evropiane.
Kjo është më e pakta dhe detyrimi më i vogël për ju, fëmijët tuaj, për shkollimin e tyre, sigurimin e jetës së tyre.
Brenda 6 muajve të parë në dialog dhe në konsensus me përfaqësuesit tuaj statusi i minatorit do të jetë realitet. Do heq traun në rrugën e Kombit. Detyra e parë e atij që kërkon votën për të qeverisur është të mbaj zotimet. Ndaj kam ardhur këtu të votohem prej jush, sepse statusi i minatorit do të jetë i garantuar me PD dhe qeverinë e ardhshme”. Ai i ftoi ata që më 25 prill të bashkohen për ndryshimin dhe për të garantuar të ardhmen në Shqipëri.
“Ju ftoj të investoni tek ndryshimi që po vjen, të shkoni derë më derë, tek minatorët, fermerët e Bulqizës dhe t’i bëni pjesë e ndryshimit tonë të madh më 25 prill. Ora e ndryshimit po troket si asnjëherë tjetër, shqiptarët do të kenë një orë vendimtare për ju, fëmijët tuaj dhe për atë që do të ndodhë. A do të shkojmë drejt Evropës a do të mbetemi në fund të vendeve të Rajonit.
Nuk shkohet në Evropë me shëndetësi të rrënuar, nuk shkohet pa respektuar punën, nderin, minatorët e fermerët”.