BUKUROSH KOÇI: Në Fabrikën e Pasurimit të Kromit u investuan 5.2 milion dollarë

3161
  • Puna në këtë fabrikë që filloi në vitin 2011 na dha eksperiencën për një sipërmarrje tjetër në Kosovë me fabrikën e pasurimit të kromit në Devë, Gjakovë-Kosovë, me një kapacitet përpunimi 120 mijë ton dhe një vlerë investimi mbi 1.8 milion USD

 

 

 

Inxhinier Bukurosh Koçi, të cilit në vitin 1980 i refuzohej e drejta e studimeve të larta për “njolla në biografi” sot është ndër sipërmarrësit më të suksesshëm. Autori i disa studimeve të kryera për pasurimin dhe parapasurimin e mineraleve të kromit në zonën e Bulqizës, Batrës, Krastës, Tërrnovës, Kukësit, Tropojës, Hasit etj, si dhe bashkpunëtor në kryerjen e disa studimeve nga Instituti i Studimeve të Teknologjisë së Mineraleve, Tiranë; po ashtu autor dhe bashkautor i ndërtimit të disa Fabrikave e impianteve për pasurimin e mineralit të kromeve të varfëra, si dhe i disa rikonstruksione Fabrikash Pasurimi, ka ngritur e konsoliduar një Shoqëri nga e cila janë përpunuar dhe vazhdojnë të ripërpunohen mbi 2.5 milion ton sterile dambe, duke prodhuar koncentrat kromi për eksport.  Sot në këtë shoqëri që po mbush afro 23 vjet, punojnë rreth 100 punonjës të profesioneve teknologë, mekanikë, elektrike,  manovratorë e shoferë.

Në këtë intervistë eksluzive për gazetën “Bulqiza”, Bukurosh Koçi shprehet për përfshirjen më të gjerë të shoqërisë, jo vetëm në përpunim por dhe prodhim të lëndës së parë, qoftë dhe për kromite të varfëra, duke vërejtur se sasia e sterileve që mund të riciklohet po shkon drejt përfundimit, ndaj orientimit të ri të shoqërisë dhe drejt objekteve të reja të shfrytëzimit të kromit apo dhe kërkim-zbulimit të trupave të rinj minerare.

 

-Zoti Koçi, më 18 shkurt mbushen 75 vjet nga krijimi i minierës së kromit Bulqizë. Si një nga ekspertët dhe drejtuesit e Fabrikës së Pasurimit si e përjetoni këtë jubile?

 

Ky jubile është një ngjarje e veçantë që realisht më prek jo vetem mua, por prek  ndjenjat e shumë njerëzve që jetën e tyre dhe të familjeve e lidhën me këtë minierë. Miniera e Bulqizës me rezervat e saj unikale ka bërë të njohur Shqipërinë në vite si vendi i trete në prodhimin nominal të kromit dhe vendi i parë në botë për prodhimin e kromit për frymë popullsie.

Industria e mineralit të kromit me fillesat e saj prej viteve 40-të, me punën eksploruese të gjeologut  Injac Gj. Ndojaj,  që ka shkruar për kromin e Iballës, dhe shfrytëzimin nga italianët të vendburimit të Kalimashit, mori rolin si një nga degët bazë të ekonomisë shqiptare me zhvillimin e veprimtarisë minerare në Bulqizë në vitin 1948.

Miniera e kromit “Todo Manço” në Bulqizë, që përfshin minierën e Bulqizës dhe një seri vendburimesh të tjerë, si Tërrnovë, Selishtë, Livadhi i Dashit, Pylli Zi, Qafë Lame, Qaf Bualli, etj, për gjithë këto 75 vite, ende sot mban peshën kryesore të industrisë së kromit në Shqiperi, duke prodhuar përgjatë këtyre viteve mbi 12 milion ton xeheror kromi. Fillesat e saj dhe aktiviteti i realizuar ndër vite janë kontribut i mijëra punonjësve, punëtorë, teknikë  e inxhinierë, të cilët e lidhën pjesërisht ose përjetësisht jetën e tyre me këtë minierë.

Shqipëria megjithëse ka një sipërfaqe të vogël, është një nga vendet më të pasura me vendburime dhe shfaqje të kromit. Rezervat e kromit në Shqipëri për 285 vendburimet e vlerësuara, përllogariten në 37 milion ton. Masivi i Bulqizës me një shtrirje prej 374 km2, në raport me gjithë masivet e tjerë ka rezultuar masivi me përqëndrime më të mëdha të trupave minerare në shfrytëzim.

Duke qenë pjesë e kësaj historie për pothuaj 40 vite tashmë, si inxhinier, drejtues e sipërmarrës pranë Fabrikës së Pasurimit, më krijon efekt të veçantë  duke më kthyer pas në vite në kujtime me fillesat e kësaj fabrike, si dhe të gjithë miqtë e shokët e mi ndër vite që kontribuan pranë kësaj fabrike si:  Selaudin Shabani, Mirdash Dani, Sabri Troci, Sokol Mati, Pirro Zoga, Ramazan Sula, Shpëtim Lleshi, Gjergji Dishnica, Budjon Xhuti, Ferit Lala, Lloreni Kola, Rolanda Dervishi, Islam Nika, Ahmet Ckurti; Përgjegjësit e Fabrikës: Ismail Hida Isuf Kurti, Avni Kaltanji, Arif Jashari,Ylli Hoxha, Dali Buci ; Drejtuesit e laboratorit, ing. Zenepe Shehu, Perlat Sadikaj; teknikë: Ibrahim Dervishi, Haki Lami, Rihana Bode, Drita Perkola,Kujtime Koçi. Lume Teta, Zuliha Zuna, Fatime Bici, Sanije Stojku, Enverie Sejdini etj.

Fabrika e pasurimit të kromit në Bulqizë është vënë në punë në vitet 1971–1972 për përpunimin e pasurimin e mineraleve të varfëra të kromit, të çakellit e pluhrave që dalin pas impianteve të seleksionimit e fraksionimit në minierat e zonës Bulqizë –Bater. Fabrika ka një kapacitet maksimal përpunimi deri në 240.000 ton në vit. Në vitet e fundit ka shërbyer gjithashtu, si objekt riciklues i sterileve të mëparshme të cilat janë përdorur si lëndë e parë sekondare për këtë fabrikë. Pranë kësaj fabrike kanë dhënë kontribut mbi 1200 punonjës, dhjetra inxhinierë teknologë, kimistë, mekanikë, elektrik, ndërtimi, etj, pjesë e ndërmarrjes minerare Bulqizë, por dhe të Institutit të Teknollogjisë së Nxjerrjes dhe Përpunimit të Mineraleve (ISPTM).

Prej vitit 2001 Fabrika drejtohet nga ing. Bukurosh Koçi – Administrator. Gjithashtu punojnë: ing. Islam Nika, financierë : Munir Konesha,  Gerta Koxha, e Aqif Lasku,  teknikë: Mustafa Kajnozi e Naim Kajnozi si dhe përgjegjës transporti Bardhul Gjimi. Një kontribut të veçantë kanë dhënë edhe specialistët energomekanik si : Shefqet Duriçi, Mustafa Kajnozi, Naim Kajnozi, Bashkim Duriçi, Sazan Bajrami, Luan Gjimi, Rrushdi Koçi, Zenel Prejsi, Dylber Llorja, Almir Dufi, Fatos Llani, Gazmir Tyçi, Lirim Fiku ; teknollogët : Nazmi Lika, Kasem Dervishi, Marjanta Duriçi, Sabri Koçi, Mustafa Kamishi, Ramazan Duriçi, Majlinda Duriçi, Dafina Dedja, Fatime Hupi, Mite Dervishi, Milita Nika, Lirie Hoxha, Shpëtim Hoxha, Ilmi Alla, Arben Cami, Ledio Koçi, Sidorela Koçi, Shqipe Koçi, Shazimete Kazani, Shqipe Keta, Hatixhe Basha, Mimoza Zogu, Farie Osmani, Anila Hasbajrami etj. Gjithashu kanë dhënë kontribut manovratorët dhe shoferët : Bajram Cani, Ylli Duriçi, Petrit Koçi,  Besim Duriçi,  Eduart Pupa, Ramiz Qoku, Eduart Kamishi, Lutfi Llani, Kadri Koçi, Agim Pepa, Mufail Mazari, Agron Jashari, Bujar Llaka, etj.

 

 

-FABRIKA që ju menaxhoni është ndër sipërmarrjet private më të suksesshme. Konkretisht një bilanc të saj?

 

Fabrika e pasurimit në Bulqizë, pas kolapsit të industrisë minerare të viteve 1991 arriti të mbijetonte dhe disa vite më pas. Si shumica e objekteve minerare të shfytëzimit dhe përpunimit kaloi në konservim. Përgjatë këtyre viteve që prej vitit 1985, unë kam qenë pjesë e saj si inxhinier dhe drejtues. Kjo fabrikë rifilloi punë kur unë si sipërmarrës pas vitit 2001, si shoqëri nënkontraktore e konçesionit të Bulqizës mora përsipër rikonstruksionin dhe rivënien në punë të saj, fillimisht me kapacitete të reduktuara dhe më vonë në kapacitet të plotë. Puna dhe shfrytëzimi i fitimeve të krijuara prej saj ndër vite garantuan investimin pranë kësaj fabrike në vlerë prej pothuaj 5.2 milion USD. Ky investim bëri që aktualisht fabrika të ketë një kapacitet përpunues prej 260 mijë ton në vit, dhe një prodhim vjetor rreth 18 mijë ton në vit koncentrat kromi me një përmbajtje 39-40 % Cr2O3.  Me këtë fabrikë e kanë lidhur jetën e tyre rreth 100 familje nga qyteti i Bulqizës duke qenë punëdhënësi për 100 persona aktualisht.

Puna në këtë fabrikë që filloi në vitin 2011 na dha eksperiencën për një sipërmarrje tjetër në Kosovë me fabrikën e pasurimit të kromit në Devë, Gjakovë-Kosovë, me një kapacitet përpunimi 120 mijë ton dhe një vlerë investimi mbi 1.8 milion USD.

Më pas, në vitin 2017 u realizua një investim i ri në Kalimash për ndërtimin e një fabrike të re pasurimi kromi, me një skemë teknologjike të avancuar si në aspektin e teknologjisë së aplikuar por dhe të pajisjeve të përdorura për një kapacitet përpunues 100 mijë ton në vit me një vlerë investimi që i kalon 2.5  milion USD.

Me të tre këto objekte përpunues, shoqëria jonë aktualisht është prodhuesi kryesor i produkteve të përpunuara të kromit (koncentrat kromi të cilësive të ndryshme), me një treg në Europë dhe global (Francë, Bullgari, Itali, Hollandë, Kinë).

 

-Cili është synimi juaj për të ardhmen ?

 

Në kuadrin e sfidave të ndryshme që industria minerare po përballet globalisht synimet tona në të ardhmen janë drejtuar fillimisht në:

  1. Uljen e kostos së prodhimit. Në këtë kuadër elementi i kostos “energji elektrike” na bëri që të orientojmë investimin në afatshkurtër tek fabrika e Bulqizës, tek mbulimi në masën 33%-50% të kërkesës për energji të saj, nëpërmjet instalimit të paneleve diellore mbi çatitë e kësaj fabrike, me një kapacitet 1 MW, një investim mbi 700 mijë Euro që do të vihet në efektivitet të plotë këtë vit.
  2. Përmirësimet teknologjike, si në skemën e trajtimit të xeherorit ashtu dhe në rinovim pajisjesh teknologjike në një vlerë mbi 200 mijë USD.
  3. Për futjen e teknologjive të reja për pasurimin e xeherorëve të kromit është dhe ndërtimi i një linje të re për parapasurimin e mineraleve të varfëra të kromit, e cila do të përfshijë një skemë të plotë për parapasurimin e kromiteve të varfëra me një investim prej më shumë se 320 mije Euro; një skemë që ka rezultuar efektive pranë fabrikës së Kalimashit për Kromitet e varfëra të masivit të Kalimashit.
  4. Përfshirjen më të gjerë të shoqërisë, jo vetëm në përpunim por dhe prodhim të lëndës së parë, qoftë dhe për kromite të varfëra, duke vërejtur se sasia e sterileve që mund të riciklohet po shkon drejt përfundimit, ndaj orientimit të ri të shoqërisë dhe drejt objekteve të reja të shfrytëzimit të kromit apo dhe kërkim-zbulimit të trupave të rinj minerare.
  5. Po ashtu një punë për rritjen profesionale të nxënësve dhe krijimin e mundësive për t’u përfshirë në bizneset e kromit në Bulqizë dhe jo vetëm, në Kalimash, has, Tropojë por dhe në Kosovë.

Intervistoi: Halil RAMA