NGA DR.ADRIATIK BALLA
Sikurse të gjitha zonat e Dibrës, Bulqiza ishte në frontin e luftës 9-vjeçare me krajlët, kryesisht serbët, midis viteve 1912 dhe 1921. Kudo e kurdoherë, populli i kësaj zone shfaqet me të gjithë madhështinë e vet në llogore për të ruajtur, siç e thotë plot emocion në letrën e tij komandanti i trupave qeveritare në qafë Buall, Ali Rizai, “emnin e hymnueshëm shqiptar”. Autori Bashkim Lami, i lindur në Vajkal në vitin 1947, me profesion arsimtar, por njëherësh kuadër e intelektual, si dhe organizator e drejtues i shoqatës kulturore e atdhetare “Bulqiza”, botoi një vit më parë librin e tij historik, “Qëndresa e bulqizakëve në luftërat për liri”, me parathënie nga Prof.Asoc.dr. Bernard Zotaj, me fokus zhvillimet e dy shekujve të fundit në trevën e Bulqizës. “Kam jetuar shumë kohë me ndjenjën e përgjegjësisë, – thotë autori, – për të pasqyruar sakrificat dhe heroizmin në vendlindjen time, në kujtim të përpjekjeve mbinjerëzore të luftëtarëve bulqizakë, përkrah luftëtarëve dibranë në luftën për liri”.
Dhe autori ia ka dalë mrekullisht, jo vetëm ta përmbledhë studimin e tij në një libër, por t’u lënë bulqizakëve një “testament”, ku secili të përfitojë informacionin e duhur të historisë së tij e të familjes së tij, të fisit e të krahinës. Ashtu si Barleti që shkruan Historinë e Skënderbeut me fakte literature e arkive por edhe nga fjala e burrave të besës, ngjashëm dhe Bashkim Lami, ka monitoruar arkivat dhe dokumentet, por njëherësh, duke qenë nga të parët që është marrë me këtë çështje (që nga viti 1980), ai ka pasur rastin të intervistojë protagonistët e ngjarjeve direkte në luftime dhe që kanë pasur dijeni për zhvillimet në zonën e Bulqizës dhe më gjerë. Kjo lëndë e parë e vjelë nga protagonistët, e ballafaquar me dokumentet arkivore, i kanë dhënë autorit fushëpamjen e mjaftueshme dhe shtegun e duhur për të dalë në konkluzione mjaft të qarta. Autori ka përmbledhur në 307 faqe të librit të tij gjërat thelbësore por edhe detaje të veçanta që s’janë thënë më parë në historinë e Bulqizës në 2-3 shekujt e fundit. Autori e ka ndarë punën e tij në katër kapituj themelorë, duke ruajtur madje dhe një baraspeshë në volum për secilin prej tyre, gjë që reflekton dimensionin intelektual e deri akademik të tij, pasi zbaton rigorozisht kriteret shkencore të pasqyrimit të një nisme të tillë. Në kapitullin e parë autori Bashkim Lami na njeh me situatën ku ndodhej Bulqiza para vitit 1912, kryengritjet e shumta antiosmane, organizimi vendor, prijësit, çetën e Bulqizës si dhe fiset më të njohura e më me ndikim në zonë. Në kapitullin e dytë na njeh me valën e parë të pushtimit serb, që korrespondon me fundin e vitit 1912 dhe fillimvitin 1913, masakrat e përbindshme të pushtuesit, rezistencën e bulqizakëve, vendin e zhvillimit të ngjarjeve dhe të rënët në luftë. Në kapitullin e tretë, autori na njeh kryesisht me valën e dytë të pushtimit serb, pra 1918 deri në vitin 1921, me ngjarjet kryesore, me protagonistët, luftëtarët dhe dëshmorët, por edhe me tiparet politike të atyre viteve, marrëdhëniet me zonat e tjera, raportet me qeverinë e Lushnjës etj. Në pjesën e katërt e të fundit, autori ka vëllimin thelbësor të trajtesës, pasi ai hyn në detaje të ngjarjeve, të personazheve, të kuvendeve, të marrëdhënieve ndërkrahinore, mbi avantazhet dhe dobësitë politike e deri tek analiza e figurave qendrore të rezistencës.
Baba Fejzë Sali Canga, “shkëndija e parë” e lirisë
Në këtë kapitull autori vë në rend kronologjik figurat më të rëndësishme të Bulqizës, duke nisur me drejtuesit e Teqesë së Madhe, një varg shehlerësh e dervishësh me kontribute të rëndësishme, si dhe me ndikim në Bulqizë e më gjerë. Nuk mungon baba Fejzë Canga, një patriot i madh bulqizak e shqiptar, i cili iu kundërvu pushtetit osman deri në atë pikë sa udhëhoqi një kryengritje të armatosur, që kulmoi me betejën e Xixullës në Martanesh në vitin 1860. Baba Fejza do të spikaste si një figurë e madhe fetare, por edhe një figurë e madhe e mendimit filozofik e patriotik. Portreti i tij liridashës do të mbushte shpirtërisht atdhetarët në vitet e mëvonshme për pavarësi e dinjitet kombëtar. Fejzë Sali Canga, i përshkruar mjeshtërisht nga autori, larg dogmave dhe me këmbë në tokë, përbën një arritje në librin e Bashkim Lamit. Me interes është dhe trajtimi i personalitetit të Eba Muslimit, djalit të Sheh Fejzës. Sheh Myslimi ishte njeri i duruar, mjaft i matur, i mençur e kanunor. Po në pjesën e katërt, autori na sjell në vëmendje pushtetin e Karajit si qefali i vendit, duke nisur me Bajram Karajin e që u lartësua me Dalip Karajin.
Mehmet Duriçi, personazhi që mori shkëlqimin e merituar nga pena e Bashkim Lamit
Natyrisht, në pikëpamjen tonë, puna origjinale e autorit është sjellja në fokusin kryesor të jetës dhe veprës së “Burrit të Maleve”, Mehmet Duriçi, udhëheqës dhe strateg i kalitur në luftërat për liri të bulqizakëve. Mehmet Duriçi u lind në Vajkal, në vitin 1852, në një familje me ndjenja të shprehura patriotike, një familje që kishte dhënë shembuj të pjesëmarrjes në luftë kundër osmanëve gjatë rezistencës së Sheh Fejzës. Mehmet Duriçin e takojmë kudo, si njeri i mexhlisit, si organizator, një burrë i madh që u rreshtua krah burrave më të mëdhenj të Dibrës në fundshekullin XIX e fillimshekullit XX. Autori Bashkim Lami ka nxjerr në pah karakteristikat e këtij patrioti dhe gjithë veprimtarinë e tij si njeri i mendjes, i sofrës dhe i pushkës. Që më 1872 goditi karakollin turk në Urën e Qytetit dhe krijoi çetën e tij. Me kalimin e viteve Mehmeti arrin ta konsolidojë çetën e tij dhe ishte po Mehmeti, që u vu në ballë të rezistencës bulqizake ndaj agresionit dhe mizorive serbe mes viteve 1912-1921. Tashmë ai ishte bërë një figurë kyçe e rezistencës jo vetëm në Bulqizë, por në mbarë Dibrën, aq sa, në vitet 1920-1921 të gjithë funksionarët më të lartë të qeverisë së dalë nga Kongresi i Lushnjës dhe më pas qeveria e Tiranës, zbarkonin tek kulla e Duriçeve në Bulqizë, sepse nga aty nisnin veprimet direkte luftarake ndaj trupave dhe vendqëndrimeve ushtarake serbe. Ai nuk u dyzua kurrë, ai nuk pranoi asnjë ofiq dhe shpërblim monetar nga asnjë forcë ndërluftuese në Luftën e Parë Botërore, duke u arsyetuar se lufta e tij bëhej vetëm në të mirë të Shqipërisë dhe se ai ishte ushtar i vendosur për mbrojtjen e Shqipërisë. Mehmet Duriçi shpalosi krenari, burrëri e vizion kombëtar. Si asnjë burrë tjetër në pozitat e tij në trevat e Dibrës, ai dha shembull personal të pjesëmarrjes direkte në luftime gjatë vitit 1920-1921, edhe pse po i afrohej të 70-tave. Si askush tjetër në Dibër, Mehmet Duriçi vuri në vijën e parë të frontit djemtë e tij, familjarët e tij, disa prej të cilëve ranë dëshmor. Ky ishte një akt i pashembullt atdhedashurie. Ai e shpenzoi tërë pasurinë e tij për atdheun dhe ishte prej atyre që në fund të luftës 9-vjeçare me krajlët, ishte po aq i varfër sa edhe familjet e tjera bulqizake. Kjo pasi ai i kishte dhënë gjithçka luftës dhe mbrojtjes së Bulqizës e mbarë Dibrës. Historiografia jonë ka shkruar pak për Mehmet Duriçin, pasi ai nuk ka pasur sekretar personal sikurse kanë pasur disa të tjerë, nuk ka pasur as pushtet financiar e politik, por dokumentet arkivore dhe fryma popullore e mbajnë lart këtë figurë emblematike të Bulqizës (dhe jo vetëm) në ngjarjet e mëdha e dramatike para e pas shpalljes së pavarësisë. Ky burrë i madh bulqizak, vdiq në vitin 1925 në moshën 72 vjeçare, duke lënë pas një emër të mirë, një histori të mbushur me atdhedashuri.
Masakra e serbëve ndaj Shabëve në Dragu dhe kundërpërgjigja popullore
Autori është ndalur edhe tek disa ngjarje të bujshme historike sikurse është lufta në kullën e Shabës (ku u masakrua e tërë familja 7-anëtarëshe e Sul Shabës në Dragu), në kullën e Muçës, në kullën e Licit, në Vajkal tek Gurët e Skënderbeut, apo në aksionet kundër serbëve në Urën e Qytetit. Duhet thënë se nga këto masakra të përbindshme që bënë serbët në Bulqizë, kanë humbur jetën me dhjetëra vetë të pafajshëm, janë djegur mbi 30 shtëpi, ka pasur rrëmbime të pasurisë dhe tortura nga më çnjerëzoret. Për 9 vjet me radhë, duke tentuar të kapin e mbajnë qafën e Buallit, me pretekstin e “vijave strategjike”, serbët bënë terror masiv, shkuan në thikë e dogjën për së gjalli pleq e plaka e deri fëmijët e djepit. Në punimin e Bashkim Lamit, krahas analizës së ngjarjeve e personazheve kryesorë, pasqyrohet edhe jetesa e bulqizakëve në dy shekujt e fundit, si organizoheshin fiset dhe çfarë marrëdhëniesh kishin ata me parinë dhe klerin. Një tjetër dimension i trajtesës së autorit është lëvizja kaçake në Bulqizë, ku na sjell të dhëna të reja për veprimtarinë e Sul Hupit dhe grupit të tij. Trajtesa e këtij personazhi bëhet duke marrë të mirat dhe të këqijat, pasi, siç dihet, Sul Hupi ka qenë një personazh kontrovers, me disa arritje në aspektin e luftës kundër turqve, por nga ana tjetër mjaft mizor. Bashkim Lami ka rrëfyer me një gjuhë të thjeshtë, të kuptueshme, pa ngjyrime e pa tepri, duke u bazuar vetëm në fakte.
Është kuptimplote dhe mjaft e dobishme, po ashtu, përmbyllja e studimit të autorit Bashkim Lami, i cili na njeh me dëshmorët e Bulqizës. Kjo armatë dëshmorësh qëndron sot si kurorë lavdie e pavdekësie në luginën e Bulqizës, ku historia është shkruar me shpatë, me pushkë e me gjak. Libri “Qëndresa e bulqizakëve në luftërat për liri” e Bashkim Lamit, shënon kështu një “gur kilometrik” të dallueshëm e të rëndësishëm në studimet historike në Dibër e më gjerë, ndërsa vetë autori është kujdesur që kjo çështje të jetë e hapur për analizë të mëtejshme. Duke e përmbyllur, po citojmë vetë autorin në shënimet e tij në fund të librit: “Ky popull, i varfër por me shpirtin e madh të dragoit, në kushtet e një terrori masiv, nuk u përkul asnjëherë gjatë shekujve, deri në ditët e fitores së lirisë, ai arriti të mbijetojë dhe shkroi historinë e tij me gjak e sakrifica që nuk harrohen”.