Elegji për Mehmet Duriçin

101

(Mbeshtetur ne qendresen e Bulqizes ne luften e viteve 1912-1921)

Memhet Durici

1.

Kur të flasim për luftën e Dibrës,

e nëntë vjet betejë me Krajl,

s’harrrohet, jo, roli i Bulqizës,

dhe burri i maleve në Vajkal.

2.

Shpirt njeriu ish Mehmet Duriçi,

trim si ai nuk bën ma nana,

kish thith ajër nga Muriqi,

zëri i tij porsi kambana.

3.

Në luftë me turkun peseqind vjet,

për të ardhur tek pavarësia,

amaneti kurrë s’ish tret,

derisa mbërriti e ëmblë liria.

4.

Festa e fitores nuk ish shijuar,

armiq të rinj erdhën tek dera

vranë e prenë, duke dhunuar

Shqipëria, ç’hoq e mjera!

5.

Gjithë Dibra u ngrit në këmbë,

me grusht e zjarr e priti dushmanin,

luftoi ajo dhëmbë për dhëmbë

me serbin gjaksor, si shejtanin.

6.

Krahinat të gjitha u bënë bashkë,

me besa-besë për të shpëtuar,

katundet digjeshin porsi ashkë,

por, asnjëherë të dorëzuar.

7.

Kur serbët mësynë në luginë,

dogjën, prenë e masakruan,

shumë fëmijë i lanë jetimë,

me qindra vranë e torturuan,

8.

U mblodhën burrat vullnetarë,

të lidhur n’besë e dorë për dorë.

u lutën që punët të shkojnë mbarë,

spikatën udhëheqësit popullorë.

9.

Mblidhen krerët në kuvend,

n’kullë t’Mehmetit rrëzë Dhoksit,

diskutojnë e bëjnë mend,

me të madhe i bien gjoksit.

10.

Mehmeti foli e u tërbue,

disa rrugën paskan tradhtue,

“Për Shqipninë kush s’do me luftu,

ta dijë mirë, ka punë me mu”.

11.

Por fjalën dikush ia preu,

ish nga Sllova, Elez Ndreu,

“sa të jemi gjallë, Mehmet o vlla,

Dibrën s’e lshojmë me gjak pa u la”.

12.

Në fjalë ftuan Bajram Currin,

këtë kreshnik të Malësisë,

në gjunjë u ulën, puthën flamurin,

s’i lanë gjë mangët historisë.

13.

Mehmeti organizoi Bulqizën,

mbrojtjes me shpirt iu përkushtua,

tradhtarëve u hoqi “vizën”,

ndër beteja, fitimtar u dallua.

14.

Ҫeta e tij me njëqind vetë,

për serb katilët u bë tmerr,

shumë trima e paguan me jetë,

por armiqtë i çuan në ferr.

15.

Duke ardhur anës fushës,

i goditi tek kulla e Muçës,

Porsa ish çel gjeth i lisit,

i goditi tek kulla e Licit.

16.

E mbajti premtimin e Babës,

u hakmor për kullën e Shabës.

Shtegun e lirisë i tregoi miletit,

dogji karakollin në Urë t’Qytetit.

17.

Kudo shkeli këmbë e tija,

mjaltë e ëmbël vinte lirija.

luftoi me krajla, u bëri ballë halleve,

Mehmet Duriçi, Burri i Maleve.

18.

Bulqizës i la një amanet,

që as dheu nuk e tret,

“Po të rrini të bashkuar,

askush s’ka për t’ju dhunuar”!

 

Shënim: Gjatë viteve 1912-1921, për plot 9 vjet, krahina e Dibrës përjetoi tmerre të mëdha nga pushtues të huaj, kryesisht serbët, të cilëve Dibra iu përgjigj me armë. Në këtë luftë krejtësisht të pabarabartë me armatën serbe, spikati organizimi popullor dhe udhëheqësit lokalë, të cilët vuajtën shumë por ia dolën të ruanin brenda Shqipërisë politike atdheun e tyre. Në këtë luftë, sikurse çdo krahinë, dha një kontribut të rëndësishëm edhe Bulqiza, e cila kishte organizimin e saj dhe udhëheqës i çetës vullnetare të Bulqizës ka qenë Mehmet Duriçi, burrë patriot, i vendosur, dhe të cilin kjo luftë e evidentoi si një strateg dhe udhëheqës i Bulqizës e më gjerë në ato vite.