Edhe për vitin 2025, ne mendojmë se duhet të mbajmë këto nivele prodhimi, ku në total, me të tre fabrikat, duhet të prodhojmë 25,000 ton koncentrat kromi me cilësi 38-52% Cr2O3
Entuziast për bilancin mjatf pozitiv me të cilin mbylli vitin 2024, Administratori i Fabrikës së Kromit Bulqizë, Ing.Bukurosh Koçi flet për investime që garantojnë perspektivën e kësaj sipërmarrjeje, konkuruese dinjitoze në rang vendi. Në intervistën ekskluzive për “Gazeta Bulqiza”, ai rendit rezultatet mjaftë pozitive të arritura gjatë vitit 2024, ndërsa për vitin 2025, shprehet i sigurtë për të mbajtur këto nivele prodhimi, ku në total, me të tre fabrikat, parashikon të të prodhojnë 25,000 ton koncentrat kromi me cilësi 38-52% Cr2O3.
- Koçi, Fabrika e Pasurimit të Kromit që Ju administroni është ndër sipërmarrjet më të suskseshme në rang vendi. Më konkretisht, a keni një bilanc të arritjeve për vitin 2024?
-Së pari, ju urojmë Gëzuar Vitin e Ri 2025 të gjithë punonjësve të shoqërisë Fabrika e pasurimit të Kromit në Bulqizë, Kalimash, Gjakovë, si dhe minierave në Tërnovë, Qafë Lamë, Kalimash. Po ashtu, u urojmë Gëzuar Vitin e Ri 2025 të gjithë banorëve të Bashkisë Bulqizë. Sa i përket pyetjes suaj, shoqëria jonë ka arritur rezultate pozitive edhe gjatë vitit 2024, të cilat i renditim më poshtë:
- Është punuar dhe realizuar detyra në prodhimin dhe eksportin e koncentratit të kromit, duke arritur të eksportojmë 100% të prodhimit të vitit 2024.
- Prodhimi i koncentratit është rritur me 12.5% në krahasim me vitin 2023.
- Objektivi i dytë ka qenë realizimi i investimeve në fabrika me qëllim përmirësimin e vazhdueshëm të procesit teknologjik, rritjen e shkallës së rikuperimit dhe përmirësimin e cilësisë së koncentratit.
- Një investim tjetër ka qenë përfundimi i instalimit dhe vënia në punë e paneleve diellore me fuqi të instaluar prej 1 MW, të cilat, nga muaji mars deri në 1 dhjetor 2024, kanë prodhuar rreth 1 MW.
- Jemi angazhuar në përmirësimin e kushteve të punës dhe të sigurisë në punë për punonjësit në fabrika dhe miniera.
- Investime të tjera janë bërë në blerjen e makinerive dhe mjeteve të rënda, si sondë, ekskavator, fadroma, kamionë etj., duke rinovuar parkun tonë të makinerive të rënda dhe transportit.
- Investime të rëndësishme janë bërë në kryerjen e punimeve minerare në minierat “Livadhi i Dashit”, “Tërnovë”, “Qafë Lamë Klos”, dhe “Kalimash” në Kukës, ku janë hapur më shumë se 800 metra galeri, si dhe 3 kariera, me qëllim prodhimin e mineralit të kromit si lëndë e parë për fabrikat e pasurimit.
- Eksporti i koncentratit ka arritur nivele të kënaqshme, pavarësisht rënies së kursit të dollarit, dhe gjithashtu të ardhurat janë rritur me mbi 30% krahasuar me vitin 2023.
- Kjo si rezultat i rritjes së cmimit te eksportit në gjashtë mujorin e dytë te vitit.
- Po ashtu, është punuar intensivisht për kërkim-zbulimin e mineralit të kromit, me qëllim rritjen e rezervave për shfrytëzim, duke përfshirë mineralin e varfër që do të përpunohet në fabrikat e pasurimit, si dhe për eksport.
- Një rëndësi të veçantë i është dhënë edhe kualifikimit të punonjësve të rinj, dhe aktualisht kemi mbi 100 punonjës, ku 25-30% e tyre janë punonjës të rinj.
- Gjithashtu, gjatë vitit 2024, kemi realizuar një rritje të pagave në mënyrë të diferencuar, në përputhje me profesionin, eskperiencen, arsimin dhe detyrat që secili punonjës kryen.
- Është punuar gjithashtu për kontrollin dhe monitorimin e mjedisit në fabrikë, me qëllim sigurimin e kushteve të përshtatshme dhe përmbushjen e standarteve mjedisore.
Ju e keni shtrirë aktivitetin edhe në Kalimash e Gjakovë. Ç’mund të thoni për performacën e tyre?
-Që nga viti 2011, zhvillojmë aktivitet në Gjakovë, Kosovë. Edhe atje, puna ka vazhduar rregullisht gjatë vitit 2024, me ritme normale, duke prodhuar koncentrat kromi.
Në Gjakovë, është punuar për të mbajtur gatishmërinë teknike, përmirësuar kushtet e punës, si dhe për sigurimin e lëndës së parë. Gjithashtu, gjatë vitit 2024, janë rritur pagat me mbi 30% krahasuar me vitin 2023. Po ashtu, është punuar për monitorimin dhe kontrollin e vazhdueshëm të mjedisit, si dhe të shkarkimeve të ujit, duke realizuar të gjithë parametrat e kërkuar.
Sa i përket fabrikës së ndërtuar në Kalimash, Kukës, në vitin 2017, puna ka vazhduar normalisht. Gjatë vitit 2024, kjo fabrikë ka shënuar një rritje të përpunimit dhe të prodhimit prej mbi 40% krahasuar me vitin 2023. Po ashtu, është rritur prodhimi i mineralit të varfër nga minierat që ne administrojmë. Siç jeni të informuar, kjo fabrikë është një ndër fabrikat më moderne të automatizuara, ku përdoren teknologjitë më të avancuara të pasurimit.
Kujdes i veçantë është treguar për kualifikimin e punonjësve, pasi shumica e tyre, rreth 90%, janë të rinj, me moshë 20-25 vjeç. Ne mendojmë se kemi formuar një staf të mirë punonjësish, të cilët janë të aftë për të punuar në fabrikë. Po ashtu, edhe në minierat që ne administrojmë, janë organizuar grupe pune të afta për të kryer të gjitha detyrat.
Cilat janë sfidat me të cilat jeni përballur?
-Ky lloj biznesi është një biznes i vështirë, pasi jo çdo kush mund ta realizojë. Sfidat janë të shumta dhe fillojnë që nga sigurimi i lëndës së parë, të cilën ne pjesërisht e prodhojmë vetë dhe pjesërisht e blejmë nga palët e treta.
Një tjetër sfidë është sigurimi i fuqisë punëtore të nevojshme për fabrikat dhe minierat, si dhe kualifikimi i tyre.
Luhatjet e mëdha të çmimit të mineralit të kromit dhe të koncentratit në bursë paraqesin gjithashtu një sfidë të madhe.
Po ashtu, një tjetër sfidë është gjetja e tregjeve të qëndrueshme dhe të garantuara, të paktën për një vit.
Përveç kësaj, duhet të plotësojmë kërkesat e tregut lidhur me llojin e koncentratit të kromit. Ne eksportojmë koncentrat kromi për nevojat e metalurgjisë, por edhe për industrinë kimike.
Deri tani, kemi arritur të sigurojmë kontrata eksporti njëvjeçare për në Kinë, Francë dhe Bullgari.
Nisur nga eksperienca e 24 viteve, sfidat kanë qenë të mëdha, por deri tani i kemi përballuar me sukses.
Çfarë objektivash konkrete synoni për vitin 2025?
-Edhe për vitin 2025, ne mendojmë se duhet të mbajmë këto nivele prodhimi, ku në total, me të tre fabrikat, duhet të prodhojmë 25,000 ton koncentrat kromi me cilësi 38-52% Cr2O3.
Për të arritur këtë, duhet të prodhojmë dhe blejmë në total rreth 300,000 ton mineral të varfër si lëndë e parë, me cilësi mbi 10% Cr2O3.
Me uljen e cilësisë së prodhimit të mineralit të kromit, duhet të përshtasim teknologjitë e pasurimit për të arritur pasurimin e mineralit me përmbajtje deri në 5-6% Cr2O3, duke siguruar që fabrika të mbetet rentabel. Kjo do të bazohet në eksperiencën e fituar në fabrikën e pasurimit në Kalimash ku po punohet duke pasuruar mineral kromi me përmbajtje 5-6%Cr2O3.
Kjo është detyra më e vështirë, pasi do të duhet të ndryshojmë përsëri teknologjinë, duke futur procesin e parapasurimit me suspenca dhe triflo, ose pasurimin manjetik. Kjo teknologji, megjithatë, nuk është gjithmonë e suksesshme, pasi varet nga shumë faktorë, si natyra dhe përmbajtja e mineralit.
Në fabrikën e pasurimit të kromit në Bulqizë, do të përfundojë montimi i plotë i linjës së parapasurimit. Po ashtu, do të realizohet montimi i impiantit të riqarkullimit të ujit brenda fabrikës, me la mela.
Do të montohet linja e furnizimit me lënde të parë duke montuar ushqyes me pllaka dhe baraban dezintegrues të mineralit në hyrje.
Gjithashtu, do të instalohen panele diellore me fuqi 0.5 MW brenda territorit të fabrikës.
Në përfundim, do të kryhet rikonstruksioni i laboratorit dhe zyrave të fabrikës.
Intevistoi: Halil RAMA