Tregim nga Sakip Cami
Drini, ishte lumi shekullor me të cilin këto banorë kishin lidhur jetën. Fshati Visiart shtrihej midis lumit të Drinit të Zi dhe Zallit të Mullkastrës, një shtrirje malore me kodra të shumta e të rrumbullakta, me përrenj e gjirize[1] të shumtë. Ky fshat kishte katër lagje, Visiart i poshtëm, Visiart i sipërm, Goldvis dhe Burim. Kjo e bënte që përhapja e tij të ishte shumë e madhe në raport me numrin e banorëve. Por kjo ishte gjë e mirë sepse çdo banori i takonte pak fushë, pak mal, pak lumë, pak pyll, pak djerrishtë, pak lajthishtë dhe shumë pemë e perime, shumë të ardhura nga natyra e begatë. Jo më kot nuk i thonin Visiart. Dyndjet sllave në shekullin e gjashtë deri në shekullin e dymbëdhjetë nuk ja ndryshuan dot as emrin. Defterët e vjetër shënonin emra të tjerë, ndërsa banorët e thërrisnin ashtu bukur, shqip, Visiart. Lagjen e Burimit, që për çudi ishte në një majë kodre sepse atje kishte buruar uji, sllavët e kishin quajtur Izvor, ndërsa banorët vendas Burim. Disa banorëve të kësaj lagje u mbeti mbiemri Izvira, por jo Izvori. Izvira u dukej më shqip, më dibrançe. Goldvis ishte fshat e kaluar fshatit, por administrativisht varej nga Visiarti dhe mbeti në juridiksionin e një lagjeje. E çfarë nuk kishte në këtë fshatlagje ! Me shtëpitë përballë lindjes së Diellit, fshatarët merrnin dy prodhime. Prodhimin e parë në perime dhe prodhimin e dytë në grurë e thekër. Në këtë fshat ishin të gjitha varietetet e mollëve, të dardhave, kumbullave, rrushit, arrave, gështenjave, lajthive si dhe pemëvë të rralla.
Fshati ndahej nga dy fshatrat e tjerë; Gjurishta dhe Mirasi, nga dy kodra të buta që ngriheshin në të majtë të rrjedhës së lumit të Drinit të Zi. Lugina e Drinit ishte pjesë e lagjes së Visiartit të Poshtëm. Vërshimet e Drinit ishin të fuqishme në dimër, por për çudi sa arrinin në Visiartin e Poshtëm, aty sikur zbuteshin derisa arrinin të bëheshin pjesë e jetës së banorëve. Banorët prej tyre shpesh merrnin humus e drurë për t’i përdorur për nevojat e tyre të përditëshme. Lumi i Drinit u ofronte edhe peshkun e veçantë të troftës që banorët i thonin pikakuq sepse kishte disa pika të kuqe të arta. Përveç pikakuqit, musteqari ishte peshku më i mirë i lumit. Kur rriheshin[2] peshqit, banorët e dinin kohën dhe kujdeseshin që askush të mos i trazonte.
Në sezonin e verës fillonte verimi, larja në lumë, zhytja në hurdha, ngrohja në rërën e imët dhe gjuetia për peshkatarët. Peshkatarët ishin zanatalinj. Ata kufizonin vaun me gurë dhe ndërtonin vanakun me gjethe shelgu. Në fund të gurëve bënin një grykë të vogël ku grumbullohej peshku dhe aty vendosej një kosh me thupra shelgu. Peshku trazohej me vanakun e shtyrë nga peshkatarët dhe fëmijët e tyre dhe në fund përfundonte në kosh. Ky ishte gëzim i papërshkruar, si për interesin për ushqim, ashtu edhe për sportin e gjuetisë. Me rërën e imët banorët ndërtonin dhe suvatonin shtëpitë. Në të majtë të Goldvisit ishte përroi me të njëjtin emrin. Në të djathtë ishte përroi i Visiartit. Ky përrua ishte në mes të Visiartit dhe Goldvisit, prandaj që të dy lagjet e kërkonin pronësinë dhe emrin e përroit. Në krye të fshatit Goldvis ishte një kodër rrumbullake e veshur me shkurre e dru lisi që i thonin kodrishtë. Poshtë saj ishte Livadhi i Ristos me kroin në krye të tij. Përroi i Mitros ishte një përrua i vogël, i cili emrin e kishte marrë nga një ushtar sllav që ishte vrarë aty. Banorët nuk ishin lodhur që t’ja ndryshonin emrin se u kujtonte Mitron që e kishin vrarë sepse u preku pyllin e tyre të shenjtë. Edhe Ara e Bllazhos ishte në krye të Livadhit të Ristos. Megjithëse Bllazho e kishte hapur vetë me krahë këtë arë të vogël në mal, përsëri nuk preferonin të ja thonin emrin. Edhe varret sllave te rrënojat e kishës, shekuj më parë, banorët e Goldvisit nuk i shkatrruan. Njeriu është rob i Zotit. Faji është i urdhëruesit të luftërave.
Si një kapele mbi kokë të fshatit qëndron Zabeli i Madh dhe Guri i Shalës. Guri i Shalës ishte me të vërtetë një gur mahnitës, tamam si një shalë kali. Thuhej se këtu një kalorësi pushtues i mbeti shala dhe shala ngriu e u bë gur. Guri i Shalës ishte një monument që ruhej nga banorët. Livadhet e gjata me burimin mbi krye ishin një tjetër mrekulli natyrore e këtij fshati me vise të arta. Si një ombrellë e blertë ishin pemët dhe lisat që banorët u thonin çadrat e Izvirës. Monument natyror i krijuar nga vetë natyra. Më tej Livadhi i Cen Kullës. Nuk dihej nëse Ceni e mori emrin nga kulla që ndërtoi në fund të livadhit apo jo sepse fis Kulla nuk kishte patur në këtë fshat ndër shekuj. Nuk ja prishi as pamjen, as begatinë livadhit Ceni. Kullën e ndërtoi në fund të tij, pranë burimit të ujit dhe e shfrytëzoi livadhin për bar e thekër. Edhe patatet bëheshin sa një kokë njeriu se dheu ishte i lehtë dhe uji i burimit buroi për njerëzit, kafshët e egra, kafshët e buta dhe bimësinë e shumtë. Po të varesh poshtë Livadhit të Cen Kullës do të shkoje në Zallin e Mullkastrës, që derdhej në Drinin e Zi. Po Lajthiza ? ! Me ujin e lehtë dhe të ftohtë që buronte prej saj shëronte çdo sëmundje të aparatit tretës të njeriut. Banorët i thonin ujë i bekuar. E pra këtë fshat të begatë dhe këtë lumë të bekuar donin t’ua merrnin shqiptarëve, dibranëve, banorëve të Visiartit. Banorët thonin se donte ta merrte shkjau, serbi. Disa më të shkolluar thonin se kështu kanë vendosur Fuqitë e Mëdha. Dhimbjen për Drinin nuk mund t’a duronin. Drini ishte ishte fati i tyre. Drini u bë mollë sherri për shtetet dhe Fuqitë e Mëdha sepse vendosën që ai të shërbente si kufi shtetëror. Kjo ishte fatkeqësi e madhe. Që nga ky moment askush nuk kishte më të drejtë të lahej në lumin e tyre, të gjuante peshk, të merrte rërë, të punonte tokën. Nga padronë të tokës së tyre, të lumit të tyre, banorët e Visiartit tani po kthehen në skllevër të padrejtësisë.
-Kjo nuk durohet burra, tha Shaban Cami. Shtëpinë në Gjoricë ma dogji turku se dolëm në luftë kundër Turqisë e Hajredin Pashës, por ne ndërtuam tre kulla të reja, një në Visiartin e sipërm, një në Goldvis dhe një në Miras. Tash duan të na djegin dhe të na zbojmë edhe nga këto troje që të parët tanë na i kanë lanë, por kjo nuk ka për të ndodhur, sepse do t’i mbrojmë me gjakun dhe jetën tonë. Lajmëro burrat e fisit e të krejt fshatit e bëhuni gati për luftë! urdhëroi Shabani.