Konferencë shkencore për hidrogjenin natyror në minierën e Bulqizës

14

Tetë muaj më parë, Agjencia e lajmeve Reuters i kushtoi një reportazh zbulimit të një rezervuari që përmbante nga 5 mijë deri në 50 mijë ton hidrogjen të bllokuar mes minerës së kromit Bulqizë, i cili mund të ndihmojë ne sigurimin e përgjigjeve për reduktimin e emetimeve të gazit në rajon.

Tetë muaj më pas, Bulqiza nuk po lakohet, jo vetëm si një nga minierat më të mëdha të kromit në vendin tonë, por edhe si vendi, nëntoka e së cilës përmban gjithashtu një rezervuar të madh hidrogjeni, një burim potencial i energjisë së pastër.

Nisur nga ky fakt, zbulimi i një rezervuari modest të hidrogjenit natyror në një minierë kromi nëntokësore (xeheror kromi) në Bulqizë dikton domosdoshmërinë e organizimit të një konference shkencore. Për këtë, Prof. Asoc. Dr. Bardhyl Muceku, pasi bën një përmbledhje të shkurtër në lidhje me zbulimin e një rezervuari modest të hidrogjenit natyror në Shqipëri: (ndërkohë që Hidrogjeni natyror, ose gjeo-burim, (H2) ka tërhequr interes të madh për shkak të potencialit të tij si një burim energjie primar i nxjerrshëm), i është drejtuar zyrtarisht kryetarit të Akademisë së Shkencave, Prof. dr. akademik Skënder Gjinushit, për organizimin e një konference shkencore.

Gjithashtu Prof. Muceku bën të ditur se personalisht ka marrë konfirmimin e Universitetit të Grenoble të Francës «Universite Grenoble Alpes» si dhe të Universitetit Politeknik, ENSEGID të Bordos në Francë, të cilët janë dakort që të sjellin kontributet e tyre në lidhje me këtë konferencë.

“Një studim i fundit, i botuar në revistën Science, trajton në mënyrë specifike këtë çështje të rëndësishme duke vënë në pah degazimin jashtëzakonisht të lartë të hidrogjenit, të paktën 200 tonë në vit, dhe konstant për të paktën 6 vjet, në një minierë kromi nëntokësore (xeheror kromi) në Bulqizë. Ky është fluksi më i lartë natyror H2 i matur deri më sot. Një nga manifestimet e tij fizike e shndërron një pellg kullimi të vendosur 1000 m thellë në minierë në një xhakuzi 30 m2 që flluskon me H2 pothuajse të pastër (84 vol%)”, shprehet ndër të tjera Prof. Asoc. Dr. Bardhyl Muceku në propozimin për Akademinë e Shkencave.  Ai argumenton shkencërisht se “Ky degazim i konsiderueshëm natyror ngre çështjen e origjinës së hidrogjenit dhe perspektivat e mundshme ekonomike. Megjithëse kjo rrjedhë është minimale në krahasim me prodhimin global të hidrogjenit nga industria petrokimike (100 milion ton në vit), vëzhgimet in-situ dhe simulimet numerike të paraqitura nga autorët e këtij studimi tregojnë ekzistencën e një rezervuari të thellë të vendosur në një zonë tektonike”. Kjo sipas Prof. Asoc. Dr. Bardhyl Muceku për faktin se punimet minerare e kanë prekur këtë rezervuar, duke shkaktuar rrjedhje hidrogjeni në vende të ndryshme të lokalizuara mirë në galeritë më të thella.

Bulqiza, objekt studimi shkencor  për eksplorimin e hidrogjenit natyror

Prof. Asoc. Dr. Bardhyl Muceku argumenton se ky zbulim hedh themelet për modele të reja për eksplorimin e hidrogjenit natyror. Në këtë kuptim, sipas profesorit të mirënjohur Muceku, miniera e kromit Bulqizë, duke ofruar një pamje të drejtpërdrejtë të nëntokës, përbën një mjet shkencor kyç për studimin e sistemit hidrogjenor dhe për të kuptuar kushtet e formimit dhe akumulimit të këtij gazi. “Masivët ofiolitikë, formacionet gjeologjike me origjinë nga korja oqeanike (litosfera oqeanike) dhe të transportuara në kontinente me anë të tektonikës së pllakave, duket se janë nikoqirë të mundshëm të këtyre rezervuarëve të hidrogjenit me cilësi të lartë. Këto formacione të mëdha gjeologjike dhe të përhapura në Tokë tashmë janë identifikuar si burime hiperalkaline dhe prani të flluskave të hidrogjenit. Historikisht, ofiolitet nuk kanë qenë objekt i fushatave kërkimore nga industria e naftës dhe gazit, sepse nuk kishin interes për sa i përket burimeve hidrokarbure. Në disa aspekte, ky zbulim mund të jetë një ndryshim i lojës në kërkimin tonë të pandërprerë për burimet e energjisë”, shprehet Prof. Muceku. Gjithsesi, ai pohon se është ende herët të thuhet nëse hidrogjeni natyror do të zërë një vend të rëndësishëm në përzierjen tonë të burimeve energjitike, apo do të mbetet thjesht një kuriozitet. Kjo për faktin se hidrogjeni natyror nuk është një burim i rinovueshëm, në kuptimin që shpejtësitë e prodhimit janë shumë të ngadalta në krahasim me nevojat globale për energji. Përveç kësaj, prof. Muceku argumenton se këto mjedise gjeologjike shpesh strehojnë një biosferë të thellë dhe të brishtë e cila përhapet veçanërisht falë pranisë së hidrogjenit. Parë nga ky kënveshtrim ai jep gjithashtu një mesazh kujdesi dhe fton një reflektim të thellë mbi ndikimet e mundshme mjedisore të çdo eksplorimi në të ardhmen. “Ky zbulim mund të ripërcaktojë qasjen tonë ndaj burimeve të energjisë dhe hap perspektiva emocionuese për eksplorimin e hidrogjenit natyror. Megjithatë, është thelbësore të vazhdohet kërkimi duke marrë parasysh ndikimin mjedisor dhe qëndrueshmërinë e këtyre nismave”, shkruan Prof. Asoc. Dr. Bardhyl Muceku në propozimin drejtuar Kryetarit të Akademisë së Shkencave.  Në këtë kuadër  ai propozon që Akademia e Shkencave të Shqipërisë në bashkëpunim me Universitetin Politeknik të Tiranës të organizojnë një konferencë shkencore me titull : “Albanian ophiolites and overlying basins as a case study for H2 exploration”, “Ofiolitet shqiptare dhe basenet mbi të si një rast studimor për eksplorimin e H2”.  Por në mënyrë që të parashikohen «përmasat» e saj, profesori i mirënjohur Muceku kërkon që paraprakisht të analizojnë buxhetin që Akademia mundet të dedikojë për organizimin e saj, duke përfshirë edhe shpenzimet e të paktën tre personaliteteve shkencore ndërkombëtare që do të duhet të marrin pjesë në këtë konferencë.

 

Inxh. Niko Naska: Hidrogjeni në Bulqizë, karburant bërthamor për prodhim energjie

 

Ing. Niko Naska  shprehet se Hidrogjeni i Bulqizës si karburant energjitik duhet të shoqëruar me studime e projekte ndërtimore për prodhimin e energjisë. Nisur nga fakti se shpërthimi i bombës së parë atomike, që u bë më 16 korrik 1945 u ndoq nga bomba me hidrogjen e cila prodhon energji jashtëzakonisht të madhe, Ing. Naska argumenton se “Ndarja e Uraniumit, që bëhet në reaktorët bërthamor për prodhimin e energjisë,ka disa të meta. Njëra prej të cilave është krijimi i mbeturinave radioaktive. Prandaj përdoren proçese të tjera bërthamore të cilat nuk krijojnë sasi shqetesuese mbeturinash radioactive”.

Me tej Ing. Naska vijon se “Proçesi më i mirë është ai i bashkimit të bërthamave të atomeve të hidrogjenit.Format e bërthamave të hidrogjenit që paraqesin një interes të veçantë për bashkime të tilla, janë ato të izotopeve të DEUTERIUMIT, ose të hidrogjenit të rëndë dhe të TRITIUMIT,”si dhe hidrogjeni normal. Kur një bërthamë deuteriumi bombardohet me një bërthamë tjetër deuteriumi çlirohet një energji prej 4000000 ev. Kur një bërthamë tritiumi bombardohet me një bërthamë deuteriumi çlirohet një energji prej 17000000 ev”. Sipaqs ekspertit të njohur Naska, përdorimi i deuteriumit si lëndë djegëse është veçanërisht interesant, sepse një gjashtëmijta pjesë e ujit të zakonshëm përbëhet prej tij. Si rrjedhim, ujrat e oqeaneve përmbajnë rezerva praktikisht të pashtershme të kësaj lënde djegëse të fuqishme bërthamore. Ai argumenton se përparimi i teknikës do ta bënte nxjerrjen dhe përdorimin e deuterimit shumë të lirë. Kjo, për faktin se tritiumi është radioaktiv dhe paraqet avantazhe për prodhimin e një sasie të madhe energjie.