Lamtumirë miku e shoku ynë MENDU OSMAN DEMA!

6
  • Do të kujtojmë me shumë respekt e dashuri ashtu siç ishe, një studjues i historisë së
vendlindjes dhe një edukator i përkushtuar e i dashtur në punë dhe shoqëri

 

Nga Bashkim LAMI

Me datë 4 nëntor 2024 mësuam me hidhërim të thellë nga njoftimi i familjarëve, se ka ndërruar jetë në moshën 91-vjeçare mësuesi pensionist, Mendu Dema.

Ai ka lindur më 1935 në fshatin Homesh, të Shupenzës, Bashkia Bulqizë. Në vendlindje mbaroi shkollën fillore më 1946 me nota shumë të mira.

                              

Ishte ndër nxënësit e parë në konviktin e Peshkopisë, ku mbaroi shkollën Unike e Pedagogjike në vitin 1953.

Më 1953 emërohet mesues në shkollën 7-vjeçare, Shupenzë.

Më vitin 1960 u emërua mësues në shkollën 7 – vjeçare të fshatit Tuçep.

Gjatë viteve 1962 -1964 kreu shërbimin ushtarak në Korçë, ku u dallua si ushtar shembullor. Në vitin 1964 emërohet mësues në shkollën 7 – vjeçare të Maqellarës.

Më 1967 dërgohet mësues në shkollën 8-vjeçare Zogje, ku punoi për 12 – vite. Pa u shkëputur nga puna si mësues, vazhdoi Institutin Pedagogjik në Shkodër, në fakultetin Histori -Gjeografi, ku u diplomua në vitin 1970 me rezultate mjaft të mira.

Punoi në shkollën 8 -vjeçare Gjoricë e pastaj në Dovalan dhe më pas emrohet pak kohe në Zerqan.

Më 1980 emërohet përsëri mësues në shkollën 8 – vjeçare në Shupenzë si dhe në shkollën e mesmë të përgjithshme, ku punoi deri në vitin 1992 kur ka dalë në pension. Ishte i martuar në vitin 1962 me znj. Bukurie Dema (Cami) dhe ka katër fëmijë. Kudo ku punoj ai shquhej për përkushtim e profesionalizëm si edukator dhe mësimdhënës.

Mendu Dema ka kryer disa kualifikime si dhe ka qenë për disa kohë anëtar tek “Shoqata e Historianëve të Dibrës”. Gjatë kohës si mësues dhe si pensionist është marrë me studime në fushën e Historisë për periudha të ndryshme. Ka përgatitur referate, kumtesa e monografi për në sesione, jubile e përvjetore. Ka shkruar e botuar disa artikuj në gazetat lokale, duke ndriçuar historinë e zonës. Në vitin 2018 ka botuar në gazetën “Dibra” Poemë historike për Luftën e Drinit, 1844, me titull “HAJREDIN PASHA”, që është pritur shumë mirë nga lexuesit dibranë e më gjërë. Ka bërë një studim shumë të detajuar për vendlindjen e tij Homeshin me botimin e librit “HOMESHI NË SHEKUJ” në vitin 2020. Historia e kombit fillon nga vendlindja, kjo devizë e nxiti Mendu Demën të shkruante këtë libër që kontribuon në historinë e Dibrës dhe më gjërë.

Autori e fillon librin e tij studimor që nga koha e neolitit, që nga Uskania dhe penestët dhe e mbaron në ditët e sotme. Shumë ngjarje zhvillohen edhe jashtë fshatit, shumë nga veprimtarët e fshatit të tij me histori, bashkëveprojnë me figura të mëdha historike të Dibrës, Një kujdes të veçantë autori ka përmendur figurat që kanë lënë gjurmë në Grykën e Vogël dhe ka hartuar dhe shpjeguar toponiminë e fshatit Homesh në këtë studim të tij. Gjatë kohës ka marrë vlerësime për punë e sjellje të mirë. Nga viti 2005 jetonte bashkë me familjen në Tiranë, ku merrte pjesë dhe ndiqte me kujdes e dashuri të gjitha aktivitetet historike e letrare të studjuesve dibranë e më gjërë.

Ai me punën e sjelljen e tij mbetet në kujtesën e njerëzve që e njohën, nga të gjithë fshatrat e më gjerë, që ruajnë respekt për punën e tij educative me brezat e të rinjve e mirësjelljen në shoqëri. Puna dhe vepra e tij mbeten të paharruara në mendjet dhe zemrat e të gjithë atyre që e njohën e punuan me këtë njeri që do të na mungojë, por që do ta kujtojmë me shumë dashuri e respekt për punën e kujtimet e bukura që ka lënë.

Miku ynë Mendu Dema ishte krenar për familjen e tij, bashkëshorten Bukurie dhe katër fëmijët, për nipërit e mbesat, që i qëndruan pranë dhe e mbështetën me shumë dashuri në jetën e tij modeste në Homesh dhe në Tiranë. Ai qe një pinjoll i denjë i fisit “Dema”, intelektual e dibran i nderuar, mësues i përkushtuar, studjues i talentuar i historisë së vendlindjes, si bleta punëtore shkonte fshat në fshat të “Grykës së Vogël” e nëper Dibër duke mbledhur copëza të historisë apo edhe pjesë të folkorit që i ka lanë si pasuri për brezat në libra e shkrime me vlera të mëdha historike. Ai do te kujtohet edhe si familjar shembullor e rrëfimtar i odave. Do të na mungoi, por urtësinë e mençurinë e tij i kemi në mendje e nuk do ta harrojmë. Ndarja e tij nga jeta është një humbje e madhe për familjen, të afërmit, shokët e miqtë e tij.

Kryesia e “Shoqatës Atdhetare Kulturore Bulqiza” shpreh ngushëllime familjes, fëmijëve të tij e gjithë familjarëve, të afërmve e kolegëve të të ndjerit, Zoti ju dhëntë durim të tejkaloni dhimbjen për njeriun tuaj të dashtur! Lamtumirë miku e shoku ynë i dashtur Mendu Dema! Do të kujtojmë me shumë respekt e dashuri ashtu siç ishe i mënçur e i dashtur në familje, në punë e shoqëri.

Shpirti i Mendu Demës u prehtë i qetë në parajsë dhe i qoftë dheu i lehtë! Të rrojnë e ta kujtojnë familja, të afërmit dhe të gjithë miqtë e tij!