MINIERA E BULQIZËS NDËR VITE (1948-2023)

1882

Nga Bashkim LAMI

Në kuadrin e 18 shkurtit 2023, kur miniera e Bulqizës dhe vetë qyteti kujtojnë 75-vjetorin, kjo punë e imja u kushtohet njerëzve të vendit tim me të cilët jam rritur. Jam mbështetur në të dhëna që janë botuar nga autorët Hamza Gurra, Arqile Teta, Frano Krroqi, Bujar Pata, Fatos Daci, etj. të cilëve u jam mirënjohës, si dhe në shtypin e shkruar ndër vite. Hartova këtë përmbledhje të disa prej ndodhive që lidhen me ecurinë e qytetit të Bulqizës, të minierës, gjeologjisë, ndërtim miniera, ndërmarrjeve e institucioneve të tjera të vendit ku unë linda dhe u rrita. E hartova këtë kujtimore që banorët e qytetit tim të sjellin në kujtesën e tyre duke lexuar këto rrjeshta të renditur sipas viteve kur kanë ndodhur ngjarjet. Mirënjohje për të gjithë ata që kanë lënë gjurmë mbi zhvillimin e Bulqizës. Me këtë rast dua të kujtojmë me shumë dashuri e respekt të gjithë ata heronj që kanë dhënë jetën në frontet e ndërtimit të Bulqizës, që ne e gëzojmë sot, duke shpresuar se shpirti i tyre prehet i qetë në parajsën e përjetshme. Po ashtu i kujtojmë me shumë respekt edhe ata që nuk jetojnë, por që ne të gjithë i kujtojmë për historitë e punëve të tyre. Ndaj me ju mendimin se do të dëshironim një Bulqizë edhe më të ndërtuar, po të vlerësojej realisht pasuria, që Zoti i ka falë atij vendi dhe puna heroike e minatorëve e gjeologëve, por le ti gëzohemi së pari kësaj që kemi para syve tanë, që është një ndryshim i madh me 18 shkurtin 1948, ditën kur nisi puna dhe ai qytet. Më të rinjtë dhe brezat e ardhshëm besoj se do të bëjnë punë edhe më të mira në atë qytet, që realisht ka pasuritë e veta me të cilat krenohet i gjithë kombi shqiptar. Në këtë 75-vjetor të Minierës dhe të qytetit të Bulqizës kujtojmë e nuk do ta harrojmë rrugën e mundimëshme të të gjithë minatorëve, gjeologëve e të gjithë qytetarëve që e lidhën jetën e tyre me zhvillimin e kësaj qendre minerare.”
Respekte për të gjithë ju bashkëqytetarët
e mij të dashtur, i juaji Bashkim Lami

DREJTUES NDËR VITE NË BULQIZË

DREJTORË: Jorgji Traja, Kiço Kovaçi, Stavri Gostivishti, Vaso Shqevi, Sinan Xhemili, Ferit Alla, Shpend Dega, Sotir Dodona, Llambi Gegprifti, Martin Cukalla, Bujar Pata, Ismail Mema, Thanas Dede, Gëzim Dauti, Selim Daci, Agim Vargu, Jashar Dema, Afrim Okshtuni, Kujtim Gjoka, Zaim Trupja, Fatmir Beqiri, Hamza Gurra, Medat Zogu, Vebi Musta, Petrit Doda, Surja Uka, Hekuran Domi.
ZV/DREJTORË: Mehdi Spahiu, Islam Islami, Mexhit Shehu, Faredin Shehu, Nazmi Perkola, Isuf Kurti, Bajram Alla, Dali Buci, Agim Alla, Hajdar Kacani, Gani Çupi, Bardhul Cani, Bukurosh Koçi,
KR/INXHINIERË: Dhori Pana, Ligor Gurra, Todo Manço, Bujar Pata, Fatmir Beqiri, Jani Pasko, Ismail Mema, Vebi Musta, Kurt Skara, Sami Dervishi, Bajram Bruçi, Nexhmedin Marku, etj.

PRIVATIZIMI i SEKTORËVE TË MINIERËS KROMIT BULQIZË
Miniera Veriore Kromit Bulqizë, është dhënë me konçesion nga Ministria e Industrisë e Minierave dhe aty drejtojnë administratorë e kryeinxhinierë e personel teknik të emruar nga koncesionari.
Janë privatizuar të gjithë sektorët e Minierës Jugore Kromit Bulqizë, Miniera e Kromit Tërnovë dhe sektorë të tjerë më të vegjël, kanë marrë lejë minerare çfrytëzimi të mineralit të kromit (liçensa) nga Ministria e Industrisë e Minierave dhe drejtohen nga pronarë të aktiviteteve, administratorë e drejtues teknikë privatë të liçensuar.

NDËRMARRJA GJEOLOGJIKE BULQIZË
DREJTORË: Ferit Alla (Janar 1958 – Shtator 1960), Tosun Spahiu (Tetor 1960 – Gusht 1966), Mexhit Shehu (Shtator 1966 – Prill 1967), Ferit Alla (Maj 1967 – Prill 1972), Ismail Losha (Maj 1972 – Gusht 1977), Hasan Hajdari (Shtator 1977 – Tetor 1980), Isuf Latifi (Nentor 1980 – Tetor 1983), Halil Hallaçi (Nentor 1983 – Mars 1987), Bajram Puca (Prill 1987 – Shkurt 1989), Sefedin Shabani (Shkurt 1989 – Prill 1992), Jashar Gjoka (Maj 1992 – Gusht 1996), Vesel Hoxha (Gusht 1996 – Tetor 1996), Bujar Toci (Tetor 1996 – Shtator 1997), Sulejman Alija (Shtator 1997 – vazhdim).
KRYEGJEOLOGË: Virgjil Buda (Dhjetor 1958 – Maj 1960), Xhelil Karkanaqe (Qershor 1960 – Janar 1961), Sefedin Qorlaze (Shkurt 1961 – Korrik 1971), Bashkim Lleshi (Gusht 1971 – Mars 1973), Irakli Premti (prill 1973 – Maj 1976), Sali Bushi (Maj 1976 – Maj 1979), Koço Gushi (Qershor 1979 – Korrik 1979), Besnik Balla (Korrik 1979 – 1981), Sefedin Qorkaze (Tetor 1981 – Prill 1984), Sefedin Shabani (Prill 1984 – Shkurt 1989),Sulejman Alija (Shkurt 1989 – Qershor 1992), Adil Alku (Qershor 1992 – Maj 1996), Hasan Hajdari Maj 1996 – Prill 1998).

DISA NGJARJE NË BULQIZË PËR TU KUJTUAR.
1949** U ndërtua teleferiku i parë minierë-qytet që do transportonte kromin e prodhuar deri në anë të rrugës automobilistike ku nga tremozhat do ngarkohej në kamiona.
1950** U instalua një grup elektrik i fuqisë 24 kilovat/orë që përdorej për ndriçim.
1950-1951** U ndërtua rruga auto Qafë Bualli-Zona A.
1951** Në Bulqizë për herë të parë ngrihet Këshilli Sportiv në Minierën e Kromit.
1952** Deri në këtë vit kishte vetëm Baraka. Pas vitit 1952 u ndërtuan në fillim zyrat për Ndërmarrjen e Minierës së Kromit; Ndërmarrjen Gjeollogjike; Ndërmarrjen e Furnizimit të Punëtorëve. Zgjerimi i qytetit të Bulqizës ka ecur krahas me zgjerimin e punimeve minerare.
1952-1953** U hap shkolla 7-vjeçare e mbrëmjes, për punëtorët në qytetin e Bulqizës, ku ishin vendosur familjet e para dhe mësimi bëhej në barakat e minjerës në kushte tepër të vështira nga mësuesit Jeshar Kamberi, Fiqiri Myrtezai, Lutfi Hanku. Më 1954 u regjistruan në shkollë policët e burgut të vendosur në minierën e Bulqizës që ishin vetëm me fillore.
1952-1955** Organizimi i punës në ndërmarrjen e minierës u nda në zonat A, B, C, D.
1954** U instaluan dy grupe elektrikë me fuqi 260kë.Mjeshtri mekanik Ilia Kocaqi i mirëmbajti këta motorrë diesel bashkë me një grup mekanikësh të rinj.
1954** U ndërtua në qytet kinemaja me një skenë të vogël dhe me 200 vende, u montuan dy aparate projeksioni për të shfaqur filmat, një sallë lojrash bilardo e një bibliotekë, të cilat admimstroheshin nga katër punonjës, me përgjegjës Hasan Gjimi që ishte dhe fizarmoniçist. Këta e morën përsipër këtë punë dhe krijuan grupet e para amatore të estradës dhe të ansamblit dhe shërbyen për disa vite për dhënien e çfaqjeve të trupës amatore, ku mbeten të pa harruar Hasan Gjimi, Nazmi Zani, Tefta Rusi, Liman Okshtuni, Arif Selmani, Kadri Selmani, etj si drejtuesit e krijuesit e parë të estradës e të teatrit në Bulqizë.
1954** U vendos burgu i të dënuarve ordinerë në Bulqizë, fillimisht me 600 të dënuar. Ky kamp funksionoi për 28 vjet dhe përfshinte zonat nga dishenteria e galerisë 41 e deri poshtë zonën “D”.
1954-1955** Filloi punë shërbimi gjeologo-markshejderik i minierës. Në krye të këtij shërbimi ishte ing. Skënder Dede dhe gradualisht filloi të plotësohej me teknikë marksheder, si Elmaz Sulika, Ismail Kurcani e Veli Lala. Teknikë gjeologë ishin Neim Çevani, Xhevdet Kuçi, Alqi Premti.
1956** Filloi organizimi i sektorit të shpimeve nëntoksore me sonda të vogla që shponin deri 100 m. të tipit GP1 që është fuqizuar nga viti në vit dhe ka punuar deri në vitin 1991.
1956- 1962** U hapën në minierë galeritë 39, 40, 41, 42, 43, 44.
1956-1960** U ndërtua çentrali i ri ku u montuan grupet elektrikë dhe godina e çentralit të vjetër u kthye në ofiçinë. Mirëmbajtës ishte mekaniku mjeshtër Ilia Kocaqi dhe më pas edhe djemtë e tij Spiro, e Koço që u bënë mekanikë të talentuar.
1957** Në nëntor filluan njëkohësisht punimet për hapjen e Galerisë 41 dhe të Pusit Nr. 1. Projekti ishte pregatitur në byronë e projektimit në Tiranë nga inxhinieri Mark Boriçi. Ky projekt ishte pusi i parë në Shqipëri, që hapej me seksion rrethor dhe armatosej me beton.
1957** U krijua Ndërmarrja Gjeologjike e Bulqizës me detyrë të kryente punime për zbulimet gjeologjike për gjetjen e vendburimeve të mineraleve të dobishme dhe punime shkencore në fushën e gjeologjisë. Drejtor u emërua Ferit Alla, i cili siguroi mbështetjen e fortë të personelit inxhiniero-teknik që e quante themelin e sukseseve që synonte gjeologjia me inxhinierët: Virgjil Buda, Rexhep Shehu, Xhelil Karkanaqe dhe teknikët e rinj: Enver Vorfi, Nexhat Lami, Gani Gurra, personel organizativ: Ali Hida, Ismail Losha, Hasan Losha, Rakip Karaj, Ibrahim Balla, Pal Bilaçi, Rushit Toçi, Sulë Kica, etj. Pas një viti ndërmarrja kishte 82 veta personel inxhiniero-teknik dhe katërqind sondistë e punëtorë. Sukses i veçantë në këtë fillim ishte kualifikimi i disa mjeshtrave të shpimit që më pas u bënë themeli i realizimit të projekteve të kërkimit. Me një organizim të arrirë u përballuan vështirësi të mëdha të punës në terrene tepër të vështira kur transportoheshin sondat, motorat e pompat me pesha shumë të mëdha, në krahë, në terrenet e maleve të thepisura dhe pa rrugë.
1957** Filluan punën sondat treqindëshe me motor diezel për herë të pare, ku brigadier ishte Ismail Losha. Në këtë vit, nën drejtimin e Ferit Allës dhe me përkushtimin e gjithë personelit inxhiniero-teknik, ekspedita gjeologjike realizoi 5471 ml shpime dhe 11747 m3 kanale në Bulqizë, Martanesh e Selishtë.
1957** U ndërtua në qytet shkollë e re me 7 klasa, ku u hap shkolla 7-vjeçare e ditës ku vijonin mësimin, fëmijët e Vajkalit e të Qytetit Bulqizës. Drejtorë të shkollës kanë qenë: Luan Xheneti, Sabri Alliu, Ramiz Gjoka, e mësues Fiqiri Myrtezai, Nazmi Plaku, Enver Hysa, Lutfi Hanku, Dilaver Hasa, Melaim Peza, Zenel Disha, Baudin Strazimiri, Prida Qili, Besnik Bedolli, Skënder Sharku, Frida Spiro, Myfit Dërvishi, Shaqir Karahasani, Xhetan Strazimiri, Xhelal Manjani, Sabri Alliu, Pëllumb Qosja, Fiqiri Novaku, Shemsi Ceka, etj.
1958** Erdhi në Bulqizë autobuzi i parë çek “Skoda” 50 vendësh me shofer Xhemal Reçin që transportonte punëtorët nga qyteti deri në “Zonën I”. Me këtë autobuz transportoheshin për eskursione jashtë Bulqize punëtor e nxënës. Më pas me këtë autobuz punoi shofer Rifat Toçi.
1958** U instaluan grupe elektrikë të fuqisë 1720 kilovat/orë.
1958** Filloi shpimin sonda e parë me brigadier Ismail Loshën. Në këtë vit NGJ e Bulqizës realizoi 10450 ml shpime, 1822 ml galeri dhe 11642 m3 kanale e 43 ml puse për kërkimet, që vazhduan deri në shtator 1960.
1958** U hap miniera e kromit në Thekën të Martaneshit, që drejtohej nga specialistët e Bulqizës.
1958-1962** U hap pusi Nr. 1 në zonën qëndrore të minierës dhe Galeria 41. Projekti u zbatua nga specialistët e Minierës me shef Hasan Tabakun, mekanik Ecio Xhimitiku dhe elektriçist Ismail Hida dhe Kasem Ymeri, etj. Këto specialistë bënë edhe montimin e pajisjeve definitive.
1960** Ekipi i specialistëve rusë në kohën kur u larguan thanë: “Batra është shterpë dhe Bulqiza drejt mbarimit”, por puna e palodhur e personelit inxhiniero-teknik dhe brigadave të shpimit vërtetoi se kromi ishte një pasuri e madhe për ekonominë e Shqipërisë. U provua lidhja e zonës mineralmbajtëse Bulqizë-Batër dhe u hartua projekti i rezervave që siguronte funksionimin në shumë vite të prodhimit të kromit.
1960** Personeli i drejtorisë së Ndërmarjes Minierës Kromit Bulqizë ishin 31 veta dhe miniera kishte 1200 punonjës, nga 30 punëtorë me të cilët filloi punë miniera në vitin 1948.
1960** U ndërtua Teleferiku i galerisë 34. Për ndërtimin e mirëmbajtjen e teleferikëve punonin Faredin Shehu, Kamber Koxha, Hysni Duriçi, etj.
1960** U ndërtua rruga auto nga rruga nacionale në kompleksin e Galerisë 41.
1960** Në fund të këtij viti në sallën e re afër pusit Nr.1 u instaluan për herë të parë tre cope elektrokompresorë 60m3/min. të tipit gjerman.
1962** Në nëntor përfundoi dhe filloi punën kompleksi minierës me Pjacale, Bunker, Impjant seleksionimi, Galeria 41, dishenteria e kësaj galerije, me gjatësi 186m me panel vertikal 70m që bashkë me zonën e Pusit Nr. 1, për shumë vjet qenë dy zonat që mbajtën peshë të madhe të planit të prodhimit të minierës.
1964** Krijohet ekipi i futbollit me emrin “Minatori” dhe më vonë me emrin “18 Shkurti”, si dita e hapjes së Minierës së Kromit Në garat kombëtare ka filluar të marrë pjesë pas vitit 1966 (fillimisht mes qendrave të punës dhe më pas në kategorinë e tretë të futbollit).
1965** Deri në këtë vit janë kryer 12000ml punime minerare kërkimi dhe pregatitje që filluan në vitin 1948.
1965** U ndërtua në Bulqizë shkollë e re me 10 dhoma mësimi, poshtë rrugës së qytetit që plotësonte nevojat për vijueshmërinë e mësimit pasi klasat u bënë me nga dy paralele. U ngritën nga mësuesit dhe nxënësit disa terrene sportive, volejbolli, basketbolli e gjimnastike, të cilat shfrytëzoheshin edhe nga rinia e qytetit të Bulqizës.
1965** Në shtator u ngrit në Tiranë ndërmarja e ndërtimit të minierave që kishte ngritur kantiere në disa miniera të Shqipërisë. Kantieri më i fuqishëm i kësaj ndërmarje ishte kantieri i Bulqizës. Për Bulqizën ishte nevojë e ngutshme hapja e puseve Nr. 2, 3, A dhe e traverbankëve A(1200); B(1280); Gal. 12(1360); C(1440); 1050; etj. që u vazhduan në vitet më pas.
1965-1972** Filluan punimet për hapjen e pusit Nr. 2 dhe i kompleksit të sipërfaqes së këtij pusi që lidhej me kompleksin e seleksionimit të galerisë 41. Ky pus ishte projektuar nga ing. Mark Boriçi dhe u hap nga kantjeri i NN Minierave Bulqizë me përgjegjës Nazmi Përkola dhe inxhinier Niko Lula. Hapja është bërë e gjitha nga lart-poshtë në prezencë të madhe uji në gjithë gjatësinë 276m deri në nivelin e tretë.
1966** Filluan të përdoren sondat pesëqindëshe e gjashtëqindëshe, duke arritur zbulime në thellësi e duke u bërë Bulqiza e njohur edhe në botë për sasinë e cilësinë e kromit. Përvojën e Ferit Allës në NGJ të Bulqizës e pasuan me arritje të reja edhe drejtorët e tjerë, si: Ismail Losha, Hasan Hajdari, Isuf Latifi, Halil Hallaçi, Bajram Puca, Sefedin Shabani, Jashar Gjoka, etj.
1966** Filloi transporti i punëtorëve nga Valikardha në Bulqizë të cilët deri atëherë bënin 2-3 orë në këmbë, d.m.th. 4-6 orë në ditë përveç orëve të punës. Ferit Alla dhe Shpend Dega ishin iniciatorët e vendosjes së këtij transporti me një zis që e bënë me karroceri të mbuluar me llamarina për ti mbrojtur punëtorët nga shiu. Ky transport në vitet më pas u shtua me mjete autobuzë dhe linja e transportit u zgjat deri në Krajkë. Punëtorët e tjerë dibranë i dërgonin me autobus në qëndrat në raste festash.
1967-1968** U hap në shtator shkolla e mesme e përgjithshme pa shkëputje nga puna me drejtor Myfit Dervishin ku u regjistruan si nxënës punëtorë e kuadro të ndërmarrjeve që ishin me arsim 7-vjeçar. Në vitin tjetër shkolla u kthye në profesionale me kërkesën e vetë nxënësve që dëshironin këtë lloj kualifikimi në degët për teknikë miniere, teknikë gjeologë dhe elektromekanikë, që lidhej edhe me nevojat e ndërmarrjeve.
1968** U ndërtua Rruga auto nga pjecalja e zonës së Parë në Zonën D.
1968** U ndërtua Faza e parë e impjantit të seleksionimit në Zonën D.
1968** Fuqia elektrike e instaluar arriti 2280kë. Brigadat e elektriçistëve në zonat e minierës përballuan me sukses mirëmbajtjen e makinerive e paisjeve elektrike që erdhën për rritjen e rendimentit të prodhimit si makina ngritëse në puse, elektrokompresorë të fuqishëm, elektrovozë, etj. Në Zonën D u bënë mjeshtra elektriçistat Shefqet Lami, Bajram Imerri, në Pusin 2 shquheshin për gadishmërinë elektriçistat Mihal Kocaqi, Gani Gjoka, Hasan Deda, Mehmet Jangulli, Zija Gurra, Myslim Çakalli, etj.
1968** Filloi ndërtimi i Fabrikës së Pasurimit të Kromit Bulqizë. U ngrit burgu tek vendi caktuar, ku të burgosurit ndërtuan të gjitha objektet sipas projektit deri sa filloi montimi i makinerive.
1968** Në prill përfundoi linja elektrike e tensjonit të lartë që e lidhi Bulqizën me sistemin unik të Republikës.
1968-1971** U bë ndërtimi i fabrikës së pasurimit. Pas vitit 1975 puna në fabrikë u konsolidua. Prodhimi i koncentratit u rrit në mbi 8000 ton/muaj. Minerali i varfër i galerive perëndimore të minierës së Bulqizës, Almarinës, minierës Batrës, Krastës, Klosit dhe të Qaf-Lamës dërgohej në fabrikë. Kështu fabrika merrte lëndë të parë mineral të varfër rreth 850 ton/ditë dhe prodhonte rreth 350 ton koncentrat në ditë. Minerali i varfër merrej zakonisht me përmbajtje mbi 27% dhe koncentrati dilte me mbi 48%. Fabrika është provuar me sukses në pasurimin e mbetjeve teknollogjike të fabrikës së ferrokromit të Burrelit dhe në riciklimin e mbetjeve teknollogjke të dambës që kanë mbi 12% Cr 0. Fabrika e pasurimit në vite është drejtuar nga Ismail Hida, Isuf Kurti, Dali Buci, etj. Rol të rëndësishëm në fabrikë kishin edhe inxhinierët teknologë si, Selaudin Shabani, Ferit Lala, Bukurosh Koçi, Islam Nika, etj. Brigada e montatorëve, mekanikëve dhe elektriçistëve me mjeshtri të admirueshme përballuan mbajtjen në funksion të makinerive duke punuar e duke studiuar rast pas rasti defektet arritën të sfidojnë kohën me novacione, ku u dalluan mekanik Shefqet Duriçi. Faik Dufi, Esat Duriçi, Sazan Bajrami, Mustafa Kajnozi, etj dhe elektriçistët Ismail Hida, Shefqet Lami, Skender Turja, etj. Laboratori i analizave të kromit që më parë ishte për minierën, me ndërtimin e fabrikës u ndërtua i ri dhe u plotësua me paisje laboratorike bashkëkohore për të ndjekur në rrugë shkencore cilësinë e furnizimit me krom dhe të koncentratit të prodhuar, si dhe të mbetjeve teknologjike (rëra ose sterili). Laborantët me përvojë Ibrahim Dërvishi, Haki Lami dhe inxhinieri Keli Dervishi, etj arritën në nivelin e analizave të sakta për shoqërimin e kromit e koncetratit të eksportit me çertifikatë të treguesve të përmbajtjes kimike.
1969** Krijohet Cirku Amator i Bulqizës, me iniciativën e të apasionuarve Riza Gjeta, Selman Alla, Ekrem Muça, Njazi Koçi, Agron Strazimiri, Sabri Gjeta, Behar Gjeta, etj. Cirku i Bulqizës arriti të bëhet e njohur edhe jashtë Bulqizës, duke dhënë shfaqje në disa qytete.
1970** U hap shkolla e mesme profesionale e ditës me degën për teknikë miniere, që më pas u shtuan degët, gjeollogji e çpim pusesh. Nxënësit ishin nga qyteti e fshatrat e Bulqizës, por edhe nga Zerqani, Shupenza e Plani i Bardhë. Teknikët që mbaruan në këto vite, plotësuan nevojat për drejtim të kualifikuar në proçeset e punës në minierë e gjeollogji, që ishin ndërmarrje të mëdha të prodhimit e kërkimit të kromit në Bulqizë. Teknikumi funksjonoi 24 vjet dhe në vitin 1994 u mbyll. Këtë teknikum e mbaruan 1023 nxënës djem e vajza. Nga nxënësit e kësaj shkolle janë diplomuar 67 inxhinierë. Mjaft të tjerë kanë mbaruar fakultetet e mjeksisë, mësuesisë, juridikut dhe ato ushtarake.
1971** Në Bulqizë erdhën televizorët e parë “Iliria”, prodhim shqiptar dhe u vendosën një televizor në sallën e Ndermarrjes Gjeologjike dhe një televizor në një klasë të shkollës Bulqizë. Rinia e qytetarët i ndiqnin programet e zgjedhura artistike e sportive në mënyrë kolektive dhe sallat rrinin hapur në orët e transmetimit të mbushura plot me shikues, ku shumica qëndronin në këmbë.
1971-1975** U bë hapja e pusit Nr. 3 nga sipërfaqja por me qenë se punimet nga pusi Nr. 2 ishin më përpara nga niveli i tretë e sipër është hapur me alimak nga poshtë-lart duke filluar nga niveli i parë. Kjo metodë e shpejtonte hapjen dy herë. Në nivelin e tretë u montua një makinë ngritëse për thellim, midis niveleve të dytë dhe të tretë u vendos tapë dhe niveli i dytë e përdorte pusin Nr. 3 si pus në shfrytëzim, kurse poshtë nivelit të tretë ky pus vazhdonte thellimin. Sapo përfundoi thellimi i pusit Nr. 3 vazhdoi me ritme të shpejta hapja e nivelit të pestë. Hapja e këtij niveli me seksion të madh qe një hop cilësor për kulturën e punës në minierë. Nivelet e pusit Nr. 2 dhe Nr. 3 u kompletuan me unazat, stacjonet e pompimit, nënstacionet elektrikë, dhomat e riparimit të elektrovozëve, të riparimit të vagonave etj.
1972** Filloi në tetor kursi për ngritjen e fanfarës me veglat muzikore të frymës me 18 veta, Kursi i muzikës u drejtua nga mjeshtri i ngritjes së bandave muzikore, Gjysh Shakaj që arriti për një kohë të shkurtër të japë koncertin e parë me vegla frymore në qytet. Kjo trupë muzikore punoi rreth 20 vjet, duke dhënë mbi 1100 koncerte në çdo fundjave si dhe në të gjitha rastet e festave e aktiviteteve masive në Bulqizë.
1973** U ndërtua në Bulqizë shkollë e re trekatëshe me 15 klasa mësimi e 4 kabinete, që plotësoj nevojat e shkollës me 1200 nxënës.
1975** U vu në funksionim Kinoklubi i ri me dy kate, që u financua nga ndërmarrja minierës me sallë kinemaje dhe koncertesh me 350 vende, me bibliotekë e sallë leximi, bar-kafe dhe dhoma e anekse të tjera pune, duke u krijuar kështu mundësia që në këto ambjente të gjallëroheshin aktivitetet kulturore e artistike, sesionet shkencore, reçensionet, bisedat etj.. Ky pallat është rikonstruktuar dhe vazhdon të jetë si qendër kulturore e vetme e këtij qyteti.
1976-1980** U bë ndërtimi i fazës së dytë (shtesës) së impjantit të pusit Nr.2 dhe u montuan pajisjet që e klasifikonte mineralin në katër granulometri, e lante me ujë dhe kokra e çakëlli seleksionoheshin nga punëtorët. Në pjecalen e galerisë 41 u ndërtua një impjant i vogël që punonte me pluhurin që vinte nga larja e mineralit në impjantin e seleksionimit, meqenëse koncentrati kishte treg të leverdisshëm. Ky impjant i vogël ka prodhuar deri njëmijë ton në muaj.
1976** Kampi i burgut mori edhe zonën “D”. Në kohën kur u përfshi në kamp edhe Zona D (pas vitit 1976) kampi ka patur maksimumin e të dënuarve.
1977** Shkolla e mesme u bë drejtori më vete dhe drejtor u caktua, inxhinieri i minierës, Osman Miha, që e drejtoi këtë shkollë deri në vitin 1990.
1980** U ndërtua shtesa e shkollës 8-vjeçare që arriti në 34 klasa e 4 kabinete ku u sistemuan nxënësit që vinin me shtimin e banorëve të qytetit që punonin në ndërmarrjet e Bulqizës.
1980-1990** Vetëm në zonën veriore janë hapur 8 puse vertikalë dhe 8 dishenteri. Përveç këtyre janë hapur 4 puse ndihmës si A’2 i pa përfunduar, 9/5;8/5;10/12;11/14 i cili përdoret për rrugëdalje. Ajo që është vonuar shumë është thellimi i pusit Nr. 7 sipas projektit. Në zonën D janë hapur 3 puse që lidhin punimet nga traverbanku C (1440) deri në Galerinë 1050. konkretisht: Pusi Nr. 4 që lidh Galerinë A, Galerinë 16(1160) dhe Galerinë 1050; Pusi Nr. 5 që lidh Galerinë C(1440); Galerinë 12(1360); Galerinë B(1280) dhe Galerinë A(1200). Është edhe Pusi Nr. 5A që lidh Galerinë 1280(B) me Galerinë 1200(A). Veç këtyre janë hapur shumë fornele ndihmës që kanë shërbyer për transport minerali dhe për rrugë dalje e ajrim. Është për tu theksuar se lidhja e traverbankut A me punimet e Batrës ka ndihmuar shumë këtë të fundit në raste dimri të ashpër për të bërë furnizimin nga Bulqiza dhe si rrugë lidhje me Batrën. Kjo ndërmarje ka ndërtuar edhe disa objekte sipërfaqësorë, si impjantin e seleksionimit të zonës së parë, sallat e kompesorëve në zonën ”D” dhe pusin Nr. 2 etj.
1981** U vu në funksionim spitali i ri katër katësh në qytetin e Bulqizës që rriti nivelin e shërbimeve mjeksore të urgjencës. Që nga fillimi i minierës në buzë të rrugës kryesore qe ndërtuar një spital i vogël me 6-7 dhoma. Në vitet 1960 u ndërtua spitali i cili shërbeu për 20 vjet dhe më pas është konstruktuar dhe shërben për vizitat ambulatore.
1982** U hoq burgu nga miniera e Bulqizës (në periudhën shtator-dhjetor) dhe fuqia punëtore u zëvëndësua me punëtorë të lirë.
1984** U ndërtuan dy shkolla të reja tre katëshe në të dy anët e qytetit Bulqizë, njëra e arsimit të përgjithshëm e tjetra për arsim profesional, ku vazhdonin mësimin nxënës të qytetit dhe të fshatrave të Rajonit të Bulqizës.
1984-1985** Rruga auto nga rruga nacionale, afër ndërmarjes gjeologjike dhe takohet me rrugën e zonës “D” afër galerisë 1050, u ndërtuar pasi u shemb pjecalja e zonës së parë dhe për të mos ndërprerë komunikacionin u vendos përkohësisht një urë metalike (beli) mbi hapsirën e shembur që u mbush me steril.
1985** U ngrit burgu me të burgosurit që do të ndërtonin Qytetin e Ri në Bulqizë. Ndërtimet vazhduar me ritme të shpejta dhe në vtin 1988 u strehuan banorët e parë në këtë lagje. Burgu u përdor edhe në objekte të tjera të rëndësishme të zonës së kromeve. Miniera e Batrës dhe e Tërnovës kanë patur Kampe të dënuarish, po kështu ndërtimi i fabrikës së pasurimit dhe ndërtimi i lagjes “Qyteti i ri” është bërë me kampe të dënuarish që janë përdour vetëm në ndërtimin e këtyre objekteve. Në 28 vite kontributi i të burgosurve ka qenë shumë i rëndësishëm.
1985-1987** Personeli i drejtorisë së Ndërmarjes Minierës Kromit Bulqizë ishte 3500 punonjës (me gjithë fabrikën e pasurimit).
1986** Miniera arriti prodhimin maksimal të saj me 480606ton mineral kromi.
1987** Kantieri i Ndërtimit të Minierave Bulqizë u shëndrua në Ndërmarja e Ndërtimit të Minierave Bulqizë. Ajo mori detyrë të mbulojë minierat e Bulqizës, Batrës, Krastës, Theknës, Klosit dhe Cërujës. Punime shume të rëndësishme për këtë periudhë qenë traverbankët e Klosit që duhet të lidhen me nivelin e pestë të pusit Nr. 3. Ato janë projektuar me gjatësi 7350 m sejcili. Punimet filluan në muajin Gusht -1986 dhe vazhduan deri në vitin 1991, kur u ndërpre financimi. Traverbanket kanë avancuar rreth 5800 m mbeten edhe 1500 m për tu kryer, që të bëhet lidhja me nivelin e pestë.
Në vitet e funksionimit si ndërmarje e ndërtimit të minierave në Bulqizë u kryen punime me volume të mëdha e me problematika teknike, shkencore, organizative shumë komplekse si traverbankët e Klosit, traverbanku i Luçanës, traverbanku i Lugut të Gjatë, ai i Theknës etj.
Një punim problematik qe dhe mbeti Rampa e Qaf- buallit që del në krye të fshatit Plan i Bardhë. Ky punim u krye në rreth 70% të distancës së projektuar dhe pas vitit 1991 u ndalua për mungesë financimi.
1989** U ndërtua shkolla 8vjeçare me 4 kate në “Lagjen e Re”, me 24 klasa, 4 kabinete e palestër sportive.
1992** U krijua Rrethi i Bulqizës që u sistemua në godinën në Qytetin e RI. Deri në këtë vit ishte Rajon i Bulqizës që varej nga ana administrative nga Rrethi i Dibrës. Kryetarë të rethit Bulqizës kanë qenë Bashkim Lami, Meleq Beqiri dhe Arjan Deda deri në vitin 2000 qe u mbyll ky institucion sipas Kushtetutës së vitit 1999
1992** U krijua Drejtoria Arsimore e Rrethit të ri të Bulqizës, që është drejtuar nga, Hysen Likdisha, Halil Begu, Qemal Sejdi, Rudina Spahiu, Miranda Kurti, Agim Tuçi, Diamand Cani, etj.
1992** U krijua Bashkia e Bulqizës si institucion vendor sipas kushtetetutës së re. Kryetar Bashkie kanë qenë Fehmi Dani, Hamza Gurra, Gëzim Dauti, Roland Keta, Mufit Duriçi, Melaim Damzi, Lefter Alla.
2000** U firmos nga qeveria dhënja me koncesion e Puseve të thellësisë të Bulqizës dhe të Fabrikës së Pasurimit të Kromit në Bulqizë dhe në Klos si dhe Uzinat e Ferrokromit në Burrel e Elbasan, për 30 vjet. Me këto ndërmarrje “Darfo” themeloi kompaninë “DARFO ALBANIA” më 14 prill 2000.
2001** Që nga viti 2001, miniera është në pronësi të kompanisë kanadeze Empire Mining Corporation. Miniera e Bulqizës është një nga tetë minierat shqiptare të kromit që ka rezerva mbi 1 milion ton mineral kromi.
2002** Ngritja e Qendrës së Edukimit e Komunikimit në Bulqizë, me mbështetjen e fondacionit “Danida”, që është një hap i rëndësishëm për gjallërimin e jetës kulturore, artistike, kërkimore e krijuese dhe për inkurajimin e vënien në lëvizje të gjithë qytetarëve e në radhë të parë të të rinjve e të rejave, për të marrë pjesë efektivisht në aktivitetet e organizuara nga kjo qendër.
2006** Prodhimi i përgjithshëm i kombinuar i mineralit të kromit nga miniera midis 1948 dhe 2006 arriti në 13,075,500 ton. Niveli XVI i sistemit të puseve arrin një thellësi prej 440 metra. Rezervat e mineralit të kromit në minierë ndahen në dy kategori mbi dhe nën Nivelin XVI. Rezervat e provuara të mineralit të vendosura mbi Nivelin XVI arrijnë në 690,000 ton mineral kromi që klasifikojnë 46.75% mineral kromi. Rezervat e provuara të mineralit të vendosura nën Nivelin XVI arrijnë në 2,126,800 ton mineral kromi që klasifikojnë 44.91% mineral krom. Rezervat totale të minierës arrijnë në 2.82 milion ton mineral kromi që klasifikojnë 45.83% mineral krom.
2007** Fuqia elektrike e instaluar në minierës së bashku me fabrikën e pasurimit ka arritur në 12000 kilovat/orë.
2007** “Albanian Chrome ACR” ka ndërmarrë investime të rëndësishme për të përmirësuar cilësinë e kushteve të punës dhe të sigurisë në minierë. Investimi i firmës “Albanian Chrome ACR” është shtrirë tashmë në 5 nivelet e minierës. Ndërhyrja më thelbësore prek sistemin energo-mekanik, për të arritur një standard më të mirë të kushteve të punës të minatorëve dhe sigurisë teknike në këtë minierë. Specialistët thonë se ndërhyrja që po bëhet në këtë sistem përfshin riparimin e portave në nivelet 12 dhe vendosjen e stakuesve të portave, riparimin e platformave, kontrollet e paisjeve mbrojtëse të tensionit të lartë, zëvendësimin e kafazeve të disa puseve, instalimin e pajisjeve elektrike.
2008** Në minierën e Bulqizës punësohen aktualisht 660 punonjës. Kompania “Albanian Chrome ACR” është e angazhuar që të investojë për një periudhë 4 vjeçare rreth 17 milion euro në sektorin minierar në Shqipëri.
2008** Miniera e Bulqizës, sipas studimit të specialistëve dhe projektit të riaktivizimit të saj, nisur nga gjendja aktuale, kërkon rreth 12 milion $ investime brënda 3 vjetësh (2007, 2008, 2009), për të vënë në efiçense 1,1-1,2 milion ton rezerva të reja të garantuara me 47% Cr2O3 në bllok nën nivelin më të poshtëm aktualisht të hapur (niveli 16, me kuotë – 6m me nivelin e detit), përveç rreth 400 mij ton të garantuara me 47% Cr2O3 në bllok që ka aktualisht mbi nivelin – 6m. Këto investime, si fazë e parë, janë të nevojshme për hapjen e minierës në thellësi (deri në kuotën – 230 m me nivelin e detit.
2009** Në korrik të vitit 2009, “DARFO” i shet 100 % të kuotave të kapitalit themeltar të shoqërisë koncesionare “DARFO ALBANIA”, shoqërisë “ACR Holding” dhe pas kësaj, emri i shoqërisë ndryshohet në “Albanian Chrome” me të njëjtin NIPT.
2011-2012** Një kompani kanadeze e quajtur” Empire Mining Corporation” bëri një studim duke përdorur sonda diamanti dhe kapi horizontet më të thella të kapura ndonjëher me nje mineralizim perj 20-44% krom. Dy muaj më vonë kjo kompani u ndalua nga qeveria me arysetimin se koordinatat e zonave në të cilat do operonte ishin bërë gabim dhe kompanisë i reduktohej ndjeshëm zona në të cilat do të duhej të operonte.
2012** U bë sistemimi dhe asfaltimi i rrugëve e mjediseve në Qytetin e Ri.
2013** “Balfin Group”, me pronar Samir Mane si drejtues më 17 janar 2013 i bleu aksionet e kompanisë “Albanian Chrome” (ACR), shoqërisë “DCM DECO-metal GmbH-DCM Beteilinungs GmbH. Kompania Albchrome shpk”, Albanian Chrome është kompania më e madhe në Shqipëri e shfrytëzimit të kësaj pasurie natyrore dhe sipas të dhënave tatimore realizoi një xhiro prej 32 milionë euro në 2011.
2013** Në Bulqizë janë aktive 35 leje minerare që funksionojnë me organizim privat ku janë të punësuar rreth 600 punonjës.
2013** Ndërmarrja konçesionare Albchrome vijon aktivitetin pa nderprerje, dhe ka të punësuar 652 punonjës. Vazhdojnë të investohen miliona dollarë për të zbatuar marrëveshjen koncesionare të lançuar vite më parë, pjesë e së cilës është Pusi nr.9 i cili do të sigurojë nxjerrjen e kromit edhe për 20 vitet e ardhshme
2013** U protokollua në METE një njoftim më datë 6 shkurt 2013, i “Albanian Chrome”, ku ortakët e “ACR Holding” i kanë shitur shoqërisë “Balfin” 100% të kuotave të “ACR Holding”.
2013** Me 24 maj në hyrje të dy tuneleve në Shëngjun u mbajt ceremonia për fillimin e punimeve të traverbankun Klos – Bulqizë me gjatësi 7310 ml, ku punimet do të kryhen nga Balfin Group që bleu aksionet e kompanisë koncesionare deri atëherë ACR.
2014** U bë rikonstruksioni i shkollës së mesme ku u ndërtua dhe një godinë e re me 8 klasa mësimi.
2015** Ekipi i futbollit i Bulqizës merr pjesë në garat e kategorisë tretë, por për mungesë terreni sportiv i mohohet kalimi në kategorinë e dytë. Ekipit i kanë dhëne ndihmë një numër biznesmenësh të nderuar. Bukurosh Koci, Nedion Muca, Alban Gjoka, etj.
2015** Numri më i madh i lejeve të shfrytëzimit, 117 leje ose 47% e të gjitha lejeve të shfrytëzimit, ndodhet në rrethin e Bulqizës.
2016** Qeveria vendosi të zgjasë koncesionin të kompanisë “Albchrome” me 10 vjet duke premtuar investime përfshi traverbangun Shëngjun Klos – Niveli 5 Pusi 2 Bulqizë, me gjatësi 7310 ml, që i zgjasnin jetën minierës.
2016** U bë rikonstruksioni i pedonales në lagjet “Gjeologu” dhe “Minatori” të Bulqizës.
2016** U bë rikonstruksioni i shkollës 9-vjeçare “Xhevdet Doda” ku u shtua edhe palestër sportive e re.
2017** U vendos në muajin maj memoriali “Gurët e Skënderbeut” në lindje të Fushës së Vajkalit me autor krijues skulptorin Etmond Balja dhe i sponsorizuar nga një grup biznesmenësh bulqizakë për të kujtuar betejat e zhvilluara nga Gjergj Kastrioti Skënderbeu në prill dhe gusht të vitit 1465.
2017** Nga kompania “AlbKrom” që menaxhon minierat e Bulqizës, rroga më e lartë për minatorët është 87 mijë lekë të reja. Vlera totale e investimit është 34 milionë dollarë. Deri në 2021 mund të shkojë në 55 milionë. Po bëhet një investim tjetër prej 14 milionë dollarë për ajrimin e minierës”, ka thënë Mane.
2018** Në minierën e Bulqizës që nga krijimi e deri sot që feston 70-vjetorin e fillimit të punës janë hapur 16 km tunele galeri, puse, rampa, furnele, traverbankë. Janë prodhuar deri tani rreth 15 miljon ton mineral kromi, 2.7 milion ton koncentrat kromi që është eksportuar për fuqizimin e ekonomisë në vendin tonë. Gjithashtu janë nxjerrë nga kjo minierë edhe 1.2 miljon ton gurë e steril që është shkarkuar në stoqet e galerive të kësaj miniere.
2019** Më 18 qershor ka përfunduar lidhja e traverbangut Shëngjun Klos – Niveli 5 Pusi 2 Bulqizë, me gjatësi 7310 ml. Lajmi jepet nga inxhinieri zbatues Kujtim Alliu.
2020** Përfundimi i Pusit nr.9 në kompleksin e puseve zbret në nivelin e 17, ose 40 metra nën nivelin e detit, kalojmë përballë pusit numër 8 dhe dishenderive të vjetra, me të cilat realizohej transporti i njerëzve dhe vagonave vite më pare që zgjaste 1 orë.
2022** Administrator i ndërmarrjes konçesionare është ing Mikel Demçe.
2023** Kompania turke konçesionare YILDIRIM ALBANIA MINING INVESTMENTS me 100% të kapitalit e administruar nga 5 ortakë, ka blerë aksionet e kompanisë Albchrome, ku bëjnë pjesë Miniera Veriore e Kromit Bulqizë (Puset), Fabrika e Pasurimit Kromit Bulqizë e Klos dhe traverbanku, si dhe Ndërmarrje të tjera industriale Burrel, Elbasan, ku janë të punësuar 1008 punonjës nga të cilët, 680 punonjës janë në Bulqizë
* Marrë nga libri në dorëshkrim “BULQIZA NDËR VITE” me autor Bashkim Lami