Bulqiza në 75 vite, minierë dhe qytet…

1222

Në vitet 1983 deri 1990 prodhimi i kromit shqiptar zinte vendin e tretë në botë mbas Afrikës së Jugut dhe ish – Bashkimit Sovjetik, me një prodhim vjetor prej 650 mijë ton deri në 1.1 miljon ton. Miniera ishte burimi kryesor i të ardhurave të qytetit të Bulqizës dhe gjithë fshatrave të Dibres, ku në çdo vit punonin më shumë se 5000 punonjës, duke marrë parasysh këtu edhe lëvizjet e ndryshme

 

Shtatëdhjetëepesë vjet më parë, në “Ahishtën e madhe” të Malit të Duriçit, shpërthimi i parë i minave që thërrmonin shkëmbin e gurit me xixa sinjalizoi fillimin e punës për nxjerrjen e mineralit të çmuar të kromit në Bulqizë. 18 shkurti i vitit 1948 shënon kështu krijimin zyrtarisht të minierës më të madhe të kromit në vend. Pikërisht mbi luginën e Vajkalit, e cila në analet e historisë tonë kombëtare ka hyrë si një nga sheshbetejat kryesore kundër pushtuesve turq, të udhëhequra nga Heroi ynë Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu, miniera e sapokrijuar do ta bënte edhe më të njohur këtë luginë ku do të hidhte shtat qyteti minator në prehër të maleve, nga thellësia e të cilave do të nxirreshin mbi 15 milionë tonë krom. (Në vitin e parë të punës në minierën e Bulqizës u prodhuan 10482 ton mineral kromi). Është kjo sasi tepër e konsiderueshme e mineralit të çmuar, që jo vetëm ka mbajtur peshën kryesore të ekonomisë tonë kombëtare, sidomos në katër dekada të sistemit monist, por edhe minerali me të cilin Shqipëria ka “pushtuar” tregjet e botës…
Shtatëdhjetëepesë vjet më parë, në lartësinë 1000 m mbi nivelin e detit, ishin tetë punëtorë nga Rubiku dhe trembëdhjetë punëtorë nga zona e Bulqizës që i dhanë emrin minierës së kromit Bulqizë. Në kronikat e kohës, por edhe në librat studimorë e historikë të autorëve të njohur, si Hamza Gurra, Ymer Keta, Jorgo Kola e Bashkim Lami janë skalitur emrat e minatorëve e specialistëve të parë: Osman Losha, Tosum Spahiu, Myrteza Duriçi, Gjergj Prenga, Sulejman Ruta, Hamit Duriçi, Liman Zogu, Adem Hasa, Gjin Kola, Pal Deda, Riza Duriçi, Din Hoxha, Mexhit Voci, Hysni Duriçi, Mustafa Duriçi, Liman Kola, Baftjar Fida, Ferit Lala, Haxhi Xhari, Abdulla Mehmeti, Ramadan Voci, Isuf Sula, Isuf Hoxha, Mehmet Keta, Dhimitër Kalami, Hamit Beta, Mehmet Kola, Hasan Jashari, Beqir Xhemali, Nazmi Përkola, Bajram Xheka, Tahir Nasuf Spahiu, Faredin Shehu, Mendu Qatja, Kamberr Duriçi, Uke Murrja, Ndue Tusha, Ndue Murrja, Muharrem Stafa, Dodë Preng Gjeta, Llesh Luli e Pjetër Shurbi, si dhe i Drejtori të parë të Ndërmarrjes Miniera e Kromit Bulqizë, Jorgji Traja.
Janë pikërisht këta heronjtë e parë që do të shtronin trasenë nga ku do të ecnin qindra mijëra të tjerë, të cilët në 75 vite do të me prodhimin kryenin mbi 100 mijë km punime minerare.

PAK HISTORI…
Gati një shekull më parë, burri i mençur i Vajkalit Baba Fejza, do t’i porosiste bashkëfshatarët e tij që ta ruajnë të mos ua grabisin gurin e zi me xixa që është më i rëndë se të tjerët dhe që do të vlerësohet shumë vjet më vonë…..Dhe profecia e tij doli. Megjithëse kromi hyri në përdorim industrial relativisht vonë interesimi për të është i hershëm. Vendasit thonë që Italia me Serbinë janë konfliktuar ashpër për vendosjen e kufirit, të cilin Serbia e kërkonte në Qafë të Buallit kurse Italia e kërkonte në Fushë-Bulqizë. Pra, secili shtet kërkonte ta përfshinte në territorin e pushtuar prej tij. Kjo ka ndodhur në vitin 1918.
Në vitet e Luftës së Dytë Botërore italianët filluan prodhimin e kromit sigurisht në sasi shumë të vogla, që i transportonin me mushka. Ndoshta kjo e bëri të detyrueshme ndërtimin e rrugës automobilistike nga Klosi në Bulqizë, e cila u lidh me rrugën automobilistike të Zerqanit, që ishte ndërtuar në vitin 1932. Në këtë kohë italianët kishin instaluar një repart ushtarak në mbrojtje të minierës.
Në vitin 1943 çeta partizane e Dibrës e sulmoi me armë dhe i përzuri italianët dhe që nga ajo kohë punimet për nxjerrjen e kromit u pezulluan, për të rifilluar më 18 shkurt 1948 kur zyrtarisht u krijua miniera e Bulqizës. Për 45 vite që nga ajo datë historike Bulqiza mbajti në kurriz një pjesë të madhe të buxhetit të shtetit. Por shumë pak u bë për vetë Bulqizën. Me moton “kromi çan bllokadën”, pothuajse nomenklatura e kuqe e vuri Bulqizën në epiqendrën e platformës së saj për shfrytëzimin barbar të kësaj pasurie të çmuar nëntokësore. Më e dukshme kjo strategji në vitet 1980-1990 kur vetëm në zonën veriore janë hapur 8 puse vertikalë dhe 8 dishenteri. Përveç këtyre janë hapur 4 puse ndihmës si A’2 i pa përfunduar, 9/5;8/5;10/12;11/14, i cili përdoret për rrugëdalje. Gjithsesi, ai që është vonuar shumë është thellimi i pusit Nr. 7 sipas projektit. Në zonën D janë hapur 3 puse që lidhin punimet nga traverbanku C (1440) deri në Galerinë 1050. Konkretisht: Pusi Nr. 4 që lidh Galerinë A, Galerinë 16(1160) dhe Galerinë 1050; Pusi Nr. 5 që lidh Galerinë C(1440); Galerinë 12(1360); Galerinë B(1280) dhe Galerinë A(1200). Është edhe Pusi Nr.5A që lidh Galerinë 1280(B) me Galerinë 1200(A). Veç këtyre janë hapur shumë fornele ndihmës që kanë shërbyer për transport minerali dhe për rrugë dalje e ajrim.

KA MINIERË, KA QYTET. S’KA MINIERË, S’KA QYTET!
Miniera dhe qyteti janë lidhur në mënyrë të pazgjidhshme: Ka minierë, ka qytet. S’ka minierë, s’ka qytet. Këtë apostulat, të bazuar mbi historinë e qyteteve minerare në botë e ka zbërthyer më së miri Hamza Gurra, një nga inxhinierët dhe drejtuesit e njohur të minierës së kromit dhe të Bashkisë Bulqizë. Sipas tij, Bulqiza e barakave me dërrasa e viteve ’49-’50 u rrit gradualisht bashkë me minierën e saj. Në vitet 50-60 u ndërtuan disa ndërtesa njëkatëshe.
Pas vitit 1960 filloi ndërtimi i ndërtesave dykatëshe dhe vetëm pas vitit 1975 nisën të ndërtohen godina banimi tre e deri pesë katëshe. Shumë njerëz këtë e lidhin me nënvleftësimin që i bënte shteti këtij qyteti dhe ish-inxhinieri e drejtuesi Gurra nuk me merr përsipër të vërtetoj të kundërtën por një gjë është e qartë: Në vitet e para perspektiva e Bulqizës ishte krejt e pa sigurtë, kërkim -zbulimi i këtij vendburimi është bërë krahas shfrytëzimit dhe kërkimi nuk ka përfunduar edhe sot as në thellësi dhe as nga krahët. Prandaj dhe qyteti u rrit me zor krahas rritjes së zbulimit të rezervave. Qyteti i Bulqizës me rreth 2000 banorë deri në vitin 1955 u rrit deri në 18000 banorë në vitet 1995-2000. Krahas rritjes së qytetit u formuan edhe ndërmarrjet e institucionet e qytetit. Në vitet e para qyteti nuk kishte ndërmarrje komunale kështu që të gjitha punët komunale i bënte ndërtimi i minierës ose bëheshin me punë vullnetare. Në vitet 1985-87 u ndërtua lagja e re e quajtur “Qyteti i ri” ku u strehuan rreth 1000 familje. Pas viteve 90 kur filloi pluralizmi qyteti u përshtat shumë shpejt me mënyrën kapitaliste të jetesës. Me ndarjen e Bulqizës rreth më vete (deri atëherë në juridiskionin e rrethit Dibër) dhe aktualisht si një nga 61 bashkitë e vendit, u strukturua mjaft shpejt administrata lokale dhe jo vetëm që nuk pati probleme por përkundrazi jetesa u përmirësua mjaft. Në mënyrë të veçantë e përmirësoi jetesën tregu privat. Megjithatë, aktualisht qyteti i Bulqizës vuan plagën e papunësisë dhe të mungesës së infrastrukturës bashkëkohore.