Me “Rrugën e Arbrit”, Bulqiza si “lagje e Tiranës”

583

Qytetarët e Bulqizës, si edhe gjithë dibranët këndej e matanë kufirit (në Bllatë) i gëzohen si askush tjetër avantazhit që ka sjellë për ta ndërtimi i Rrugës së Arbërit. Duke i afruar vetëm një orë larg Tiranës bulqizakët e ndjejnë veten si në një lagje të metropolit shqiptar.
Bulqizës, tashmë i janë shtuar shanset për zhvillimin e turizmit. Turistë, të shumtë, jo vetëm vendas por edhe nga Europa, gjermanë, danezë, polakë etj, po shijojnë atraksionet turistike të kësaj zone. Pasi kanë udhëtuar që në mëngjes herët me mikrobuzë, një grup të rinjsh polakë, me çantat në sipinë kanë udhëtuar drejt liqeneve të Dhoksit. Të mahnitur nga bukuria e këtyre liqeneve mes malesh me pyje të larta e të dendura, ata shprehen se do të vijnë këtu edhe herë të tjera.
Më vënien në shfrytëzm edhe të segmentit nga Ura e Vashës në Qafë të Buallit, Rruga e Arbërit ua ka lehtësuar shumë lëvizjen drejt kryeqytetit dhe anasjelltas qytetarëve të Bulqizës, por edhe turistëve të shumtë.
Për dy orë vajtje-kthim na është mundësuar furnizimi me të gjitha mallrat që marrim nga Tirana, thotë një tregtar bulqizak i shitjes së mallrave me shumicë. Por edhe qytetarë të thjeshtë nuk e fshehin kënaqësinë, kur thonë se tashmë u është mundësuar edhe vajtja në plazhet ditore të Durrësit e Gjirit të Lalëzit. Po ashtu edhe shoferët e furgonëve taksi që e bëjna këtë rrugë dy-tre herë në ditë.

Balluku: Tuneli i Murrizit në
400 metrat e fundit, por nuk japim afate për mbarimin
“Ecuria tani është konstante dhe ka rëndësi që të përfundojë hapja e tunelit. Ne sërish nuk do të japim afate për tunelin e Murrizit, pasi ky është rast, që siguria rrugore, çështjet e sigurisë në të ardhmen, janë shumë më të rëndësishme se dëshira për të mbaruar sa më shpejt”.
“Puna në tunelin e Murrizit po vijon. Janë metrat e fundit që edhe kjo vepër, më e rëndësishmja e Rrugës së Arbrit, të jetë plotësisht e hapur dhe e aksesueshme për të gjithë drejtuesit e automjeteve. Gjeologjia solli vonesat në ecurinë e këtij projekti, por puna nuk është ndalur dhe nuk do të ndalet deri në përfundimin dhe hapjen e plotë të tunelit, i cili bën të mundur që i gjithë qarku i Dibrës të jetë akoma edhe më afër me Tiranën”, shkruante me datë 30 maj 2023 në profilin e saj në Facebook znj. Belinda Balluku, zv, kryeministre dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Më datë 29 maj 2023, Balluku, e shoqëruar nga z. Evis Berberi, Drejtor i Përgjithshëm i Autoritetit Rrugor Shqiptar si dhe punonjës të kompanisë “Gjoka ‘87”, inspektuan punimet në tunelin e Murrizit, duke e përshkruar në këmbë dhe në makinë të gjithë gjatësinë e tunelit, si dhe duke sjellë për herë të parë para publikut një video mbi ecurinë e punës dhe problematikat e shfaqura. Videoja prej 30 minutash u publikua në Facebook-un e ministres së Infrastrukturës, e cila, së bashku me drejtorin e ARRSH u munduan të japin sqarime për të gjitha vonesat e deritanishme në grafikun e punimeve në tunelin e Murrizit, duke e lidhur këtë me problemet gjeologjike të paparashikuara.

“Puna në terren në disa fronte”
“Ashtu siç e kemi premtuar, për të bërë një inspektim edhe për të informuar qytetarët, të cilët tashmë me përfundimin e pothuajse gjithë segmenteve të Rrugës së Arbrit, janë shumë të interesuar për të ditur ecurinë e këtij tuneli, i cili ka nisur në 2018, por për shkak të gjeologjisë shumë komplekse që kemi pasur këtu, na është dashur që të përballemi me situata që sigurisht kanë marrë më shumë kohë nga sa ishte parashikuar”, tha Balluku ndërkohë që po hynte në galerinë kryesore të tunelit të Murrizit në hyrjen nga Tirana.
Tuneli i Murrizit ka dy tuba kalimi, të gjatë 3.78 km secili, të cilat lidhen përmes tyre me 11 tunele bashkuese.
“11 tunelet bashkuese janë të gjitha të hapura ashtu siç është edhe tuneli i emergjencës i gjithi i hapur”, – tha Balluku.
Duke folur për punimet brenda tunelit, Evis Berberi tha se “në tunelin e emergjencës janë betonuar 650 metra dhe vazhdohet me ritme të mira për ta çuar deri në fund betonimin”, ndërsa në tunelin kryesor betonimi ka ecur më shpejt. Sipas tij, nga dy kantieret e ngritura në dy anët e tunelit “janë betonuar nga 1.1 km në secilën anët, në total 2.2 km, ndërsa është duke u punuar në 400 metrat e fundit në tunelin kryesor”. Berberi la të kuptohej se, meqë puna vazhdon në të dy frontet, tuneli avancon çdo ditë nga 3 metra.
Balluku gjatë vizitës në kantier tha se “është kënaqësi të shikosh se ka fronte të hapura gjithë kohën, duke filluar nga të gjitha makineritë dhe punëtorët, të cilët kryejnë procese të ndryshme nga gërmimi tek armatimi, tek ankorimi dhe gjithçka tjetër, dhe kjo është diçka që ne duhet ta themi”.
“Tuneli do të ketë dy korsi lëvizje me 3.75 metra si dhe trotuare me gjerësi 1.5 metra. të kombinuara me 11 galeritë lidhëse me tunelin e emergjencës. Parashikohet që trafiku në tunel të mos bllokohet asnjëherë, sepse nëse ndodh një defekt në mjete apo ndonjë aksident, ekziston mundësia të nxirren në anë të rrugës pa e bllokuar trafikun”, tha Berberi.
Punimet në brendësi të Murrizit janë komplekse dhe sipas drejtorit të ARRSH “janë të pavarur nga njëri-tjetri dhe vazhdojnë si me betonimet, gërmimet e transportin ashtu dhe me hapjen e themeleve”.
“Ne kemi bërë gati dhe porositë për pajisjet elektromekanike, pasi është një tunel i gjatë dhe pajisjet elektromekanike janë duke u prodhuar specifikisht për këtë tunel”, tha Berberi.
“Kur do të takohen të dyja portalet për të parë dritë në krahun tjetër, do të jetë një moment që ne do ta bëjmë live, ashtu siç kemi bërë dhe Llogoranë dhe Kardhiqin, për t’ua treguar të gjithëve, pasi do të jetë një moment shumë i rëndësishëm, duke qenë se Rruga e Arbrit është një nga arteriet më të rëndësishme të vendit tonë”, tha Balluku.
Balluku dhe Berberi nuk preferuan të japin afate për hapjen e galerisë kryesore, por duke pasur parasysh ecurinë e punimeve të fundit, besohet se në fund të shtatorit apo gjatë muajit tetor, dy tunelet të bashkohen, duke u hapur plotësisht si galeri drite.