PROFILE DREJTUESISH QË FRYMËZOJNË

548

Pa profilizimin e atyre që i dhanë jetë minierës më të madhe të kromit në vend, filmi do të ishte i mangët. Por konsulenti Cukalla dhe regjisori Pepo janë treguar tejet të vëmëndshëm në evidentimin dhe promovimin e tyre, duke na i paraqitur ata me foto e çaste të sinkronizuara në frontet e punës. Kështu, periudha me ritëm rritje veçanërisht të lartë për minierën e Bulqizës lidhet me një emër të veçante per Bulqizen: Bujar Pata kryeinxhinieri dhe drejtori i palodhur e i pakursyer në përpjekjet e veta për të zgjidhur cështjet e vështira që kishte nxjerrja e kromit. Djalë i një familje modeste nga Peladhia, Bujar Pata u formua inxhinier miniere në Universitetin e Tiranës dhe iu përkushtua profesionit të vet duke e njesuar jetën e tij me atë të minierës. Miniera dhe njerëzit e saj. Në film tregohen histori njerëzore, heroike, të heshtura, të thjeshta deri në madhështi…
Inxhinier Todo Manço në vitin 1955 transferohet ne Bulqizë si kryeinxhinier i minierës. Një ish partizan sypatrembur, i diplomuar në Poloni inxhinier miner, sakrifikoi gjithë jetën në ketë minierë. Në këtë film ai evidentohet si miku i minatorëve dhe i gjithë qytetarëve, balli i luftës kundër vështirësive të motit e rreziqeve të nëntokës, që me personalitetin dhe veprimatrinë e çmuar, u bë emblemë dhe frymezim për të gjithë inxhinierët e minierave të vendit!. “Ai jetësoi punën e tij për kromin e markës shqiptare”, shprehen ndër kujtime ish punëtorët dhe koleget e tij të minierës. Në respekt për këtë inxhinier – ikonë ndershmërie e përkushtimi ndaj punës, miniera mban emrin e tij: MINIERA E KROMIT “TODO MANÇO”, Bulqizë”!
Të mirat dhe fajet thuhet se i mban mend ndërgjegja. Shpesh në jetë njerëzit harrojnë ato që thua, ato që ke bëre…por kurrë nuk harrojnë mënyrën se si i ke bërë të ndihen.
Martin Cukalla edhe sot kur shkon në minierën e Bulqizës duket sikur dje është larguar prej saj. Në film jepen çaste se si ai rrethohet nga respekti e mirënjohja e njerëzve aty. Dhe kjo ështe lumturi. Në botë vijmë me asgjë, largohemi prej saj pa marrë asgje, dhe i lumtur është ai që ka lënë një kujtim në mendjen dhe në zemrën e dikujt. Martin Cukalla është një tjetër drejtues i aftë e i drejtë që kerkonte të vërtetën.
Njerëzit e respektojnë, se ai gjithnjë i ka dashur dhe respektuar. Një buzëqeshje apo shtrëngim dore me njeriun e thjeshtë asgjë nuk na kushton, por atij që ia jep e lumturon, pa varfëruar atë që e jep.
Hamza Gurra është një nga inxhinierët që jetën e tij e ka të lidhur me minierën. Mbi 50 vjet ka jetuar në qytetin e vogël të Bulqizës. Pervoja profesionale, gadishmëria dhe ndërgjegja e tij në punë janë shembull i gjallë në kujtesën e njerëzve me të cilët ka punuar. Një shpirt i bukur artistik që, siç tregojnë shokët e tij, hynte galerive të minierës me arie të Bethovenit, Vivaldit në gojë ..”Ti je artist” i thoshin shokët. -Artist je kur çdo punë e bën me pasion gjegjej ai”.
Fatmir Beqiri kujtohet si inxhinieri i vlerësuar për aftësitë e tij organizative e teknike, njeri që nuk përtonte e që ishte thuajse çdo çast në galeri e pranë minatorëve dhe i ndëshkuar padrejtësisht nga goditjet që vinin nga lart. Kurrë nuk u thye ai njeri, përkundër u ngrit sërish e më i nderuar në krye të punëve e të sakrificave dhe meritoi respektin e kolegëve e të minatorëve në detyrat e ngarkuara si kryeinxhinier e drejtor i minierës veriore.
Artistikisht pasqyrohen në filmin “…E nderit është nëntoka e Bulqizës…” edhe një brez i ri inxhinierësh që mbartën mbi shpatullat e tyre përgjegjësitë e mëdha të organizimit të punëve e të rritjes së pandërperë të nxjerrjes së kromit. Përmenden këtu Shefqet Kllogjeri e Jani Pasko, Vehbi Musta e Fadil Cami, Gezim Dauti, Bukurosh Koçi e dhjetra të tjerë.