Në fokus infrastruktura, bujqësia dhe zhvillimi ekonomik

714

• Për mandatin 4-vjeçar të saponisur, kryetarja e Bashkisë Bulqizë, Festime Mjeshtri, do të fokusohet kryesisht në përmirësimin infrastrukturor, bujqësinë dhe zhvillimin ekonomik. Në këtë intervistë ekskluzive për “Gazeta Bulqiza” ajo pohon se ka nisur punën për bërjen realitet të premtimeve të fushatës elektorale, që sipas saj, kanë qënë rezultat i një analize që ka kryer më parë bashkë me ekipin, bazuar në nevojat e komunitetit.

KUSH ËSHTË FESTIME MJESHTRI

Ka punuar për shumë vite në Njësinë Vendore të Kujdesit Shëndetësor, Bulqizë, në zyrën e promocionit dhe edukimit shëndetësor. Gjatë kësaj kohe, ajo ka bashkëpunuar me shumë organizata kombëtare dhe ndërkombëtare për implementimin e një sërë projektesh edukuese dhe informuese në fushën e shëndetit publik në qarkun e Dibrës.
Nisur nga angazhimi i saj i madh dhe puna që ka bërë në shërbim të komunitetit, veçanërisht gjatë pandemisë së COVID-19, znj. Mjeshtri u promovua nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në pozicionin e drejtoreshës së Spitalit Bashkiak Bulqizë. Pas një viti në këtë detyrë, ajo u propozua që të kandidonte për postin e kryetares së Bashkisë Bulqizë. Kandidimi i saj u përkrah masivisht nga komuniteti, çka u dëshmua dhe nga rezultatet e zgjedhjeve vendore të majit 2023, ku znj. Mjeshtri fitoi bindshëm.
Kryetarja aktuale e Bashkisë Bulqizë ka përfunduar studimet në Fakultetin e Shkencave Mjekësore Teknike, Universiteti A. Xhuvani, Elbasan. Ajo gjithashtu ka marrë pjesë në konferenca dhe evente, duke qenë e përditësuar me politikat shëndetësore në nivel qendror dhe lokal.
Paralelisht me aktivitetin e saj profesional, znj. Mjeshtri ka qenë e angazhuar në politikë për shumë vite. Ajo e njeh mirë qarkun e Dibrës, dhe specifikisht bashkinë e Bulqizës, kulturën dhe traditat, si dhe nevojat e njerëzve të kësaj zone. Mjafton një shikim i shpejtë ne rrjetet sociale, për të kuptuar se Kryetarja që nga dita e marrjes së detyrës po punon çdo ditë për të zgjidhur problemet e banorëve, duke u fokusuar fillimisht tek bujqësia, sektori që ‘vuan’ më shumë nga thatësirat. Më konkretisht vizioni i saj shpaloset në intervistën e mëposhtme.

Znj. Kryetare, ju përgëzojmë për këtë detyrë dhe përgjegjesi të re! Së pari, ne dhe gjithë lexuesit jemi të interesuar të dimë, a keni një plan zhvillimor për bashkinë e Bulqizës dhe nëse po ku konsistojnë pikat kryesore të këtij plani?
Përshëndetje! Ju falenderoj që jeni këtu dhe keni shprehur interes për të folur për pikat e planit zhvillimor për bashkinë Bulqizë. Sigurisht që ka një plan, sigurisht që ka një vizion të cilin e kam shpalosur edhe gjatë fushatës sime elektorale. Premtimet e mia në fushatë, kanë qënë rezultat i një analize që kam kryer më parë bashkë me ekipin tim, bazuar në nevojat e komunitetit.
Puna e Bashkisë Bulqizë do të përqëndrohet në disa drejtime. Fillimisht do të planifikojmë investimet në infrastrukturë dhe kemi nisur në fakt me projektet e para, disa prej tyre kanë qenë në proces. Kam qënë vetë në terren për të parë jo vetëm ecurinë e punimeve por edhe cilësinë e tyre. Infrastruktura është domosdoshmëri dhe do të përpiqemi të adresojmë këtë shqetësim të banorëve duke ndërhyrë edhe në lagje, pasi është thelbësore për lehtësimin e lëvizjes së tyre. Sigurisht që do ti kushtoj vëmendje të veçantë edhe njësive administrative të Bashkisë së Bulqizës. Do të vazhdojnë investimet në zonat rurale, për të përmirësuar infrastrukturën dhe shërbimet publike.
Përgjatë muajit korrik kemi patur prioritet fermerët e të gjitha zonave administrative. Kemi ndërhyrë me aksion për rehabilitimin e kanaleve vaditëse dhe kulluese që ujitja e tokave bujqësore të mos mungojë në asnjë sekond. Investimet në Bujqësi do të jenë prezente gjatë gjithë kohës, pasi e shikojmë si një sektor që ndikon edhe në zhvillimin e ekonomisë së zonës.
Gjatë muajit gusht do të vlerësojmë nevojat për investime në shkolla, kopshte, çerdhe dhe do të ndërhymë sipas prioriteteve. Do të kemi një vëmendje të veçantë tek grupet vulenarabël, kryesisht ata që trajtohen me ndihmë ekonomike nga Bashkia.
Një fokus të rëndësishëm Bashkia Bulqizë do ta ketë tek personat me aftësi ndryshe. Tani që po flasim, përmes një projekti të mbështetur financiarisht nga Fondi Social, do të bëjmë të mundur zgjerimin e shërbimeve sociale në 8 njësitë administrative të Bashkisë Bulqizë. Do të ofrojmë shërbime të specializuara në familje dhe në Qendrën Ditore për fëmijët dhe të rinjtë me aftësi ndryshe. Ata do të përfitojnë rregullisht shërbime mbështetëse psiko-sociale, terapeutike, etj., duke u dhënë mundësinë të zhvillojnë potencialin e tyre të plotë. Gjithashtu, do të kërkojmë bashkëpunimin e donatorëve ndërkombëtarë për të tërhequr sa më shumë fonde, për të rritur gamën e shërbimeve që bashkia mund të ofrojë. Përshembull, aktualisht me mbështetjen e Qeverisë Britanike kemi një qendër sociale të lëvizishme, ku organizohen aktivitete për fëmijët dhe të rinjtë. Qendra po mundëson arsimimin dhe shërbimet psiko-sociale. Do të këmbëngulimin në zgjerimin e të tilla partneriteteve që sjellin më shumë fonde dhe zhvillim për Bulqizën.
Kemi plane për mjedisin. Nuk do të ketë plehra në rrugë, nuk do ketë ndotje mjedisi, por gjatë gjithë vitit do të realizohen aksione pastrimi duke ecur në linjë me Planin Kombëtar të Pastrimit. Do bëjmë sistemimin e kazanëve të plehrave dhe do të punojmë për ndërgjegjësimin e komunitetit, pasi mbajtja pastër e mjedisit kërkon bashkëpunimin e të gjithëve.
Do të kemi një fokus të veçantë tek të rinjtë. Do të punoj për të krijuar më shumë mundësi punësimi për të rinjtë, duke inkurajuar krijimin e bizneseve të vogla dhe të mesme. Ata gjithashtu do jenë pjesë e rëndësishme edhe e administratës së Bashkisë Bulqizë. Në të njëjtën kohë, do të krijoj programe për zhvillimin e aktiviteteve kulturore, sportive dhe artistike në qytet. Kjo do të inkurajojë të rinjtë të angazhohen në aktivitete në kohën e tyre të lirë. Për kulturën, do të ketë investime në organizimimin e eventeve kulturore dhe festivale që do të promovojnë kulturën lokale dhe traditën.
Do të bashkëpunojmë me operatorët turistikë lokalë, apo shoqatat që punojnë në fushën e turizmit për të promovuar turizmin në zonën e Bulqizës. Dhe investimet në infrastrukturë ndihmojnë shumë në këtë drejtim.
Vetëm me investime konkrete mund të arrijmë që Bashkia e Bulqizës të jetë një vend i përshtatshëm për të jetuar, punuar dhe investuar, duke siguruar mundësi punësimi, duke nxitur zhvillimin e bizneseve lokale, duke rritur cilësinë e jetës së qytetarëve.

Cilat janë problemet më emergjente që keni evidentuar?
Sikurse e thashë më lart, plani ynë për zhvillimin e Bulqizës është hartuar bazuar në një analizë të nevojave akute, pra që kanë nevojë për ndërhyrje të menjehrshme dhe atyre që do të bëhen sipas një planifikimi të mëvonshëm. Prioriteti i parë ishte bujqësia për shkak të thatësirave dhe kushteve jo të favorshme. Ishte e nevojshme ndërhyrja për të siguruar infrastrukturën e nevojshme të ujitjes, përmes pastrimit të vazhdueshëm të rrjetit të ujitjes dhe kullimit në të gjitha njësitë administrative për të rritur eficencën aktuale. Përgjatë gjithë muajit gusht, nuk do të ketë pushim, por identifikim dhe prioritizim të nevojave për ndërhyrje duke filluar nga infrastruktura e institucioneve publike: shkolla, kopshte, çerdhe, ndërhyrje për përmirësimin e infrastrukturës rrugore, përmirësim të shërbimeve publike, nxitje të punësimit me fokus të veçantë tek të rinjtë, mbështetje për bujqësinë etj.

Bulqiza ka resurse të shumta mbi e nëntokësore. Cili është vizioni juaj për shfrytëzimin e tyre në dobi të komunitetit?
Gjatë fushatës sime e kam përmendur si një pikë të veçantë planin për resurset nëntokësore. Bulqiza është vërtet një bashki me një sipërfaqe të madhe dhe me një nëntokë të pasur, veçanërisht me galeritë e kromit. E para, prioritare është siguria në punë të cilën do ta monitorojmë në bashkëpunim me institucionet përkatëse në nivel qëndror. Është domosdoshmëri krijimi i një mjedisi të sigurtë dhe të shëndetshëm pune për ata që punojnë në galeritë e kromit, ndaj dhe do të kërkohet marrja e të gjitha masave të nevojshme për sigurinë e tyre. Gjithashtu, do të kërkoj marrëveshje me kompanitë e minierave që punojnë në zonën tonë për të garantuar se ata respektojnë të drejtat e punëtorëve dhe që kontribuojnë në rritjen e ekonomisë së Bashkisë Bulqizë në mënyrë të qëndrueshme.
Gjithashtu do të inkurajoj përdorimin e teknologjive të avancuara për të zvogëluar ndikimin e proceseve të shfrytëzimit në mjedis, si dhe për të përmirësuar kushtet e punës për punonjësit në galeri. Gjithashtu, do të punoj për të rritur kontributin e industrisë së kromit në zhvillimin ekonomik të Bashkisë Bulqizë.
Në përgjithësi, do të punojmë që Bashkia Bulqizë të ketë një plan të qartë dhe të zbatueshëm për shfrytëzimin e pasurive natyrore, duke marrë parasysh kujdesin për mjedisin dhe për mirëqenien e banorëve të kësaj zone.
Intervistoi: Halil RAMA