LAMTUMIRË JASHAR GJOKA, INXHINIERI E DREJTUESI I GJEOLOGJISË SË BULQIZËS

360

• Lamtumirë miku e shoku ynë Jashar Gjoka! Do të kujtojmë me shumë respekt e dashuri ashtu siç ishe i përkushtuar e i dashtur në punë e shoqëri.

Me dt 7 nëntor 2023 mësuam me hidhërim të thellë nga njoftimi i familjarëve, se ka ndërruar jetë nga një sëmundje e rëndë inxhinieri i çpimit dhe ish drejtuesi i gjeologjisë në Bulqizë, Jashar Gjoka.
Jashar Hamit Gjoka ka lindur në vajkal në 15 nëntor 1954. Arsimin 8 vjeçar e kreu në vendlindje dhe në vitin 1972 i jepet bursa për në shkollën e mesme për teknik çpimi në Kuçovë, ku mbaroj me rezultate të larta dhe kreu stazhin në NGJ Bulqizë. Në vitin 1977 fillon Universitetin e Tiranës në Fakultetin e Gjeologji Minierave në degën e çpimit, që e përfundoj në vitin 1982.
Emrohet inxhinier çpimi në Ekspeditën Gjeologjike në Bulqizë, ku shumë shpejt u njoh me gjëndjen e sondave dhe nevojat teknike për përballimin e detyrave të kërkimit të kromit nga kjo ekspeditë. Shumë specialistë apo punonjës kanë marrë nga inxhinier Jashari këshilla teknike e teknologjike, duke e pasur atë në krah, që me devotshmëri ai realizonte detyrat e ngarkuara, pamvarsisht vështirësive. Në këtë kohë në Bulqizë u montuan edhe sondat 2000 ml për çpime të thellësisë në zbulimin e shtrirjes së trupit të kromit, që do të siguronin perspektivën e minierës me rezerva në zonën veri perëndimorë. Jashari ishte një inxhinier novator dhe bashkë me inxhinierë Flamur Sula, Halil Bushi, Sefedin Shabani, Naim Karaj, Adil Alku, Saim Keta, Sami Bruçi, Sulejman Alija Osman Rexhepi; me teknikët gjeologë Fatmir Alla, Vjollca Snalla, Peme Murati, Imerr Toluli, kryesondistët e brigadjerët e çpimit Rakip Karaj, Pal Bilaçi, Hazis Hoxha, Selim Baloshi, Fitim Strazimiri, si dhe me personelin e ofiçinës së ndërmarrjes Rushit Toçi, Osman Lala, Vebi Konesha, Vebi Hyka, Ibrahim Balla, Ramiz Halili, SabedinToluli, Shaqir Xheka, Avdulla Torba, Xhemal Muharremi, kanë realizuar, arritje teknike në mbështetje të ecurisë së kërkimeve gjeologjike me shpime, në ekspediten Bulqize dhe ekspedita të tjera të NGJ Bulqizë. Në bashkëpunim përballonin me sukses problemet e vështirësitë duke arritur të realizonin zbulimet e rëndësishme të trupave të mineralit të kromit në thellësi mbi 1000 ml.
Inxh. Jashar Gjoka dallohej për analizën e problematikës teknike, për ecurin dhe zgjidhjen në kohë, kur ishte specialist, kryetar ekspedite dhe së fundi drejtor i Ndërmarrjes Gjeologjike Bulqizë në vitin 1992 deri në fund të vitit 1996. Në këtë periudhë kërkohej reforma e gjërë që përfshiu gjeologjitë në të gjithë Shqipërinë, kur Ndërmarrja Gjeologjike e Bulqizës u zvogëlua nga 1200 punonjës në një bërthamë të vogël. Jashar Gjoka prej vitit 1998 punoi në Minierën e Kromit Bulqizë, inxhinier shpimi dhe më pas drejtues i sektorit Energo-Mekanik në Minierë. Jashar Gjoka në çdo detyrë shërbeu me përkushtim dhe profesionalizëm, duke kaluar me sukses çdo sfidë, sado të vështira. Jashari ish person i dashur, komunikues me koleget dhe punonjesit. Ai ish nje njeri i apasionuar pas teknikes dhe i kushtonte vemendjen dhe kohen e duhur. Me daljen në pension në vitin 2021 Bashkia Bulqizë dhe Kompania Albchrome e vlerësoi me Çertifikatë Mirënjohje, për kontributin e tij në vite në gjeologji dhe në sektorin Energo-mekanik.
Miku ynë Jashari, ishte krenar për familjen e tij, bashkëshorten dhe fëmijët e tij, vëllezërit e motrat, që i qëndruan pranë dhe e mbështetën me shumë dashuri në jetën e tij në Bulqizë. Ndarja e tij nga jeta është një humbje e madhe për familjen, të afërmit, shokët e miqtë e tij.
Kryesia e “Shoqatës Bulqiza” shpreh ngushëllime familjes, bashkëshortes Kadife, fëmijëve të tij, vëllezërve, motrave, të afërmve e kolegëve të të ndjerit, Zoti ju dhëntë durim të tejkaloni dhimbjen!
Lamtumirë miku e shoku ynë i dashtur Jashar Gjoka! Do të kujtojmë me shumë respekt e dashuri, ashtu siç ishe i mënçur e i dashtur në familje, në punë e shoqëri kudo që punove.
Shpirti i Jasharit u prehtë i qetë në parajsë dhe i qoftë i lehtë dheu i Bulqizës! Të rrojnë e ta kujtojnë familja, të afërmit dhe të gjithë miqtë e tij!

Pregatiti: Bashkim Lami
8 nëntor 2023