Kënga e Dibrës kundër Hajredin Pashës, mbledhur nga Haki Stërmilli

34

…dhe një fakt me vlerë se si Mid’hat Frashëri këshillon Stërmillin të ruajë dialektin e Dibrës

 

Haki Stërmilli, shkrimtar, atdhetar e luftëtar i paepur për lirinë e Shqipërisë, dëshmohet të jetë një pasionant i madh i folklorit, siç e dëshmon botimi i vitit 1944 në vëllimin XIV, “Fyelli i Dibrës”, botuar në “Visaret e Kombit”, nga shtypshkronja “Gurakuqi”, në Tiranë. Natyrisht, këngët janë mbledhur shumë vite më përpara, gjatë kohës së mbretërisë, ndoshta edher nga autorë të ndryshëm, por merita e Stërmillit është se i ka përmbledhur dhe botuar këto këngë. Madje, në hyrjen e librit, Haki Stërmilli na kujton se këngët ia ka marrë kushëririt të tij Musa Stërmilli, që në atë periudhë ishte 75 vjeç, por me kujtesë të shkëlqyer.

“Veç kësaj, me qëllim që në të ardhmen të vlejë si dokument studimi për kompetentët, u mundova ta ruej, besnikisht, fonetikën dhe dialektin e Dibrës, punë për të cilën më këshilloi edhe z. Midhat Frashëri e z. Gjergj Kokoshi”, shkruan Stërmilli në parathënien e librit që e ka botuar Ministria e Arsimit e kohës.

Në një postim të mëparshëm ne ju njohëm me këngët e Sheh Fejzës dhe Dalip Karajt nga Bulqiza, këngë që përkojnë me ngjarjet historike të vitit 1860 dhe 1872, respektivisht kundër Avdi Pashës e Demir Pashës. Sot po ju njohim me një nga këngët himn të Dibrës, kënga e Maleve të Dibrës në luftë me Hajredin Pashën, këngë që këndohet edhe sot me të njëjtin pathos. Ne po e paraqesim këtë këngë në versionin origjinal të Haki Stërmillit, që është një version i dialekteve të Dibrës (ndoshta Dibra e Madhe, ndoshta Peshkopia, le ta gjykojë secili me vetveten). Stërmilli thotë se Hajredin Pasha shkeli në Dibër në vitin 1840 me 60 mijë ushtarë (sipas këngës), por ne e dimë tashmë se ngjarja ka ndodhur në vitin 1844 dhe Hajredin Pasha ka hyrë në Dibër, në betejën e Gjoricës, me 12 mijë ushtarë.

 

Lufta e Dibrës kundër Turqisë

 

Hajredin Pasha po vjen Radikës,

Pejt(1) ku jon malet e Dibrës.

Vall ku jon malet e Dibrës?

Bojn xhilis(2) në foush të Gjuricës.

Bojn xhilis e lidhin besën

Çi Hajredin Pashën do t’a presin

Moj Gjuricë, moj kasaba,

Çon pasha e të bon rixha;

Po rixhaja s’ju ka digju,

I thkej(3) topat me luftu,

Sheh Zerqani fjalë ka çou:

Thoj Kaloshit me na ndihmou.

Grik’n e Madhe e kan rrethou;

Për rreth Drinit tu luftou.

Për rreth Drinit tu luftou,

Ximxa(4) mbet e ximca pjagou,.

Mustaf Jakini musteqe bardhë

Boni irish(5) e zou në Dardhë:

Hiçu Pashë se të kom falë

Kom kuvend me Mirallajnë.

Ditën e Martë u zou nizaja(6),

Hajredin pashën e xhet belaja;

E xhet belaja çi e ka xhetë,

Shtatë taboret i jon shkretë;

Nandëmij vorret kush i boni?

Të Nand Malet e Sheh Zërqani;

Rizvan Halla me at sokore

S’po pushon tue bomun vore;

Kush ja prejshi fesin Pashës?

Fazli Malja e Plaku i Krajkës.

———————

Fjalorth

1.pejt=pyet

2.xhilis=mexhlis=kuvend

3.thkej=kthej, ktheu

4.ximxa=gjysma

5.irish=perpara, sulm

6.nizaja=grindje

7.kosore=cakorre=sëpatë e vogël

8.fesin=qeleshen=plisin

Florian Fusha, faleminderit qe e mundesuat nepermjet librit te gjetur prej jush kete informacion me vlere!

 

(Nga faqja e Dr.Adriatik Balla në facebook)