RRUGËTIMI I SUKSESSHËM I HAMIT KOÇIT NGA VAJKALI I BULQIZËS

24

Ish-partizani e kuadri që u ndëshkua për shkak të dënimit padrejtësisht të gjyshit të tij

Halil RAMA – Mjshtër i Madh

  • Ai kujtohet dhe vlerësohet me nderim të veçantë edhe 47 vjet pas ijkjes nga kjo botë, si njeriu me shpirt human që ka lënë gjurmë tek të gjithë. Sepse ka mundur të jetë dhe të mbetet mishërues dhe përçes i vlerave më të mira njerëzore dhe intelektuale. Mesazhet që përcjellin shembullin e tij kanë emrin KRENARI

Pesë dekada të veprimtarisë jetësore të Hamit Koçit, si pjësëmarrës aktiv në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, si drejtues në ushtri e në disa sektorë të rëndësishëm të ekonomisë shqiptare, janë shembulli më i mire për të kuptuar se jeta është e bukur dhe se askush nuk duhet të dorëzohet, pavarësisht problemeve me të cilat përballet.

Hamit Bajram Koçi nga Lagja Vajkal 1 e qytetit të Bulqizës ishte vetëm 23 vjeç kur u rreshtua në formacionet e Brigadës së 18 Sulmuese Partizane, që u krijua në Sllatinë të Dibrës më 18 gusht 1944 nga batalionet partizane të Dibrës, Çermenikës e Martaneshit, si dhe me vullnetarë të rinj nga krahinat e Dibrës, e që u organizuan në katër batalione. Ai mori pjesë aktivisht në luftimet e kësaj brigade deri në çlirimin e plotë të atdheut nga okupatori nazifashist.

Në këtë vit të jubileut të lavdishëm të 80 vjetorit të çlirimit të atdheut, ai meriton të vlerësohet dhe nderohet, jo vetëm për kontributin e tij si ish-partizan i kësaj brigade, por edhe për kalvarin e mundimshëm të viteve të pas çlirimit, ndonëse kontribuoi në sektorë të rëndësishëm.

 

ORIGJINA

Hamit Koçi i përket një prej familjeve atdhetare të Bulqizës, burrat e së cilës, sa herë atdheu u ndodh në rrezik nga pushtimet e huaja turke, serbe, austriake e bullgare do të rreshtoheshin me armë në dorë parkrah luftëtarëve dibranë të lirisë. Paraardhësit e Hamitit, gjyshi Isufi e babai Bajram Koçi, njihen për qëndresën ndaj pushtuesve të huaj.

Këta burra të shquar të Vajkalit, këtij  fshati famëmadh e historik në qarkun e Dibrës, – vendi i dy prej betejave gjakatare që Skënderbeu zhvilloi e fitoi kundër ushtrisë osmane të drejtuar nga renegati Ballaban Pashë Badera (1465), shekuj më vonë do të ishin parkrah patriotëve shqiptarë që do të organizonin kryengritjet e mëdha kundër pushtuesve turq.

Ashtu si dhjetra patriotë nga treva e Bulqizës, edhe ata shfaqen ndër beteja si shqipja në palën e flamurit që nuk u asimilua. Përballë joshjeve të armiqve nuk u shitën e nuk u përkulën, por qëndruan heroikisht për të mos e lënë vendlindjen nën pushtimin turk. Isuf Koçi (i vjetër) ishte pjesë e  rebelimt të armatosur kundër Perandorisë Osmane në pragun e shpalljes së pavarësisë kombëtare.

Isuf e Bajram Koçi i përkasin pikërisht Vajkalit, fshatit ku i madh e i vogël, burra e gra, u rreshtuan në llogore gjatë luftës 9-vjeçare të Dibrës kundër pushtuesve serbë (1912-1921). Ata do të ishin përkrah patriotit Mehmet Duriçi (1852-1925), udhëheqësit të çetës bulqizake midis viteve 1912-1921.

Ndaj nuk është e rastësishme që kulla e vjetër e Koçajve është djegur dy herë, nga pushtuesit e huaj.

Pikërisht në këtë vatër atdhetarie lindi, kaloi fëmijërinë, u  edukua dhe u formua si luftëtar e patriot edhe Hamit  Koçi.

 

KONTRIBUTI NË LANÇ DHE USHTRINË SHQIPTARE

 

Hamit  Bajram Koçi lindi në 20.06.1920 në fshatin Vajkal, Bulqizë. Pas mbarimit të shkolles fillore dhe shtatëvjeçare ai ka mbaruar shkollën 2 vjeçare ekonomike.

Hamiti, si dhe familja e tij ka dhënë, një kontribut të rëndësishëm gjatë LANÇ-it. Madje, kur në Vajkal u regjistrua një nga aksionet e para antifashiste në Shqipëri, para se Haxhi Lleshi të kthehej nga konferenca e Pezës në shtator 1942, Hamiti ishte ndër të rinjtë më aktivë në këtë aksion luftarak.

Më pas do të ishte përkrahës i Çetës partizane të Dibrës si dhe bashëkohës dhe bashkëluftëtar i dëshmorëve Latif  Përkola e Asllan Keta.

Që me krijimin e saj më 18 gusht 1944 ai u rreshtua në Brigadën e 18-të Sulmuese  si partizan,  ku ka marrë pjesë në të gjitha luftimet e kësaj brigade deri në çlirimin e vendit.

Qysh me aksionet e para të kësaj brigade ai u shqua për forcën e organizimit, të disiplinës e të veprimeve, duke dhënë shembullin e një djaloshi luftarak kundër pushtuesit. Bashkëkohësit e mbajnë mend për dinamizmin, guximin dhe shpirtin e sakrificës dhe të disiplinës.

Këto virtyte do ta karakterizonin Hamit Koçin edhe pas vitit 1944  kur u transferua në Gjirokastër si shef prapavije në Divizionin Ushtarak.  Por ndonëse shquhej si kuadër me vizion bashkëkohor dhe i përkushtuar ndaj detyrës edhe ai nuk do t’í shpëtonte luftës së klasave.

 

KUADRI SHEMBULLOR QË E NDOQI NGA PAS

“HIJA E BIOGRAFISË SË FAMILJES”

Në harkun kohor të viteve të para të pasçlirimit kur kryente me devotshmëri detyrën e shefit të prapavijës të Divizionit të Gjirokastrës, Hamit Koçi, do të ndëshkohej padrejtësisht, për faktin se gjyshi i tij, Bajram Koçi do të dënohej me 15 vjet burgim me akuzën absurde për “veprimtari kundra pushtetit popullor”, pasi kishte strehuar tre miq të tij të ardhur nga Gostivari i Maqedonisë, të cilët ishin në ndjekje nga sigurimi shtetit të asaj kohe. Pasi beri tre vjet burg mori pafajësinë, por ndërkohë, nisur nga kjo ngjarje, Hamiti transferohet, ku për një periudhë të shkurtër ka punuar si zëvendës drejtor në Maternitetin e Tiranës.  Tashmë, i martuar me Jeme Hasan Gjimi nga Fushë Bulqiza do të gëzoheshin nga lindja e djalit të parë, Isufit që ndër vite e dekada do të bëhej një nga kuadrot drejtues më të aftë që ka njohur Bulqiza. (Ai, nuk harrohet kurrë, si drejtori që drejtoi me zotësi dhe solli veç të mira për njerëzit, si drejtues i bujqësisë dhe themelues i fermës në Fushë Bulqizë)

Ndërsa Isufi rritej, ata jetonin në ish – pallatin e Qazim Mulletit, e ndërkohë familja e tij trashëgonte si pronë edhe një dyqan ushqimor tek Pazari i Ri. Këtu spikat edhe dimensioni i tij në rrafshin njerëzor, sepse kishte ndjeshmëri shumë të theksuar për miqtë e shokët, sidomos për ata nga vendlindja e tij. Ndaj nuk ishte rastësi që të priste e përcillte me bujari vajkalorët e të tjerë nga fshatrat përr rreth Vajkalit që vinin në Tiranë për hallet e tyre. Hamit Koçi përpiqej t’u gjendej pranë në çdolloj forme, për t’u zgjidhur problemet e tyre.

Kush trokiti asokohe në derën e Hamit Koçit dhe nuk gjeti zgjidhje për hallet e veta?!

Por megjithë kontributin gjatë LANÇ e në këto funksione të rëndësishme si kuadër shembullor, ai do të provonte kalvarin e mundishmshëm për shkak të “hijes së biografisë së familjes”, duke e degdisur si punëtor në ish-NB Peshkopi, sektori Bulqizë dhe NFP Bulqizë.

Në vitin 1946 transferohet drejtues në minierën e kromit Bulqizë, në sektorin e furnizimit të punëtorëve . Vështirësitë ishin të shumta, dhe pikërisht në ato kushte të pamundësisë së sigurimit të gjërëve më të nevojshme e më jetike, familja e tij do të shtohej edhe me dy fëmijë: Këtu lindën Uke dhe Rihana Koçi.

Megjithë përvojën dhe aftësitë profesionale, Hamit Koçi do të provonte disa herë ulje-ngritje në karrierën e tij.

Kështu, në vitin 1948 transferohet në Rubik si drejtor i NFP ku ka jetuar 8 vjet sëbashku me familjen e tij, tashmë edhe me dy fëmijë të tjerë, Kadriun dhe Dallëndyshen.

 

SI SHPËTOI NGA “DEFIÇITI” I 2 KG SHEQER?!

 

Është vërtetë sa qesharak aq edhe tronditës rrëfimi i veteranit Isan Bundo, luftëtarit, patriotit e kuadrit që e pësoi me burgje e internime, pas përplasjes me të mëdhenjtë e ish nomenklaturës komuniste në të famshmen Konferenca e Tiranës e vitit 1956.

Me urdhër të Kadri Hazbiut, atë e dërguan në Rubik të verifikonte akuzën e ngritur nga operative i sigurimit të zonës ndaj Hamit Koçit, nëse vërtretë ai kishte vjedhur dy kg sheqer nga mgazinat e NFP-së, ndërmarrje të cilën ai e drejtonte, dhe ku një nga magazineret kishte dalë defiçit, pikërisht me dy kg sheqer.

“Troktika në derën e zyrës së Hamitit dhe ai më ftoi të hyja brenda. Pasi i thashë qëllimin e kësaj vizite, Hamiti më thotë: Nëse ta bëj kafenë me sheqer, vërtetë i kam vjedhur ato dy kg! Nëse jo, duhet gjetur hajduti i vërtetë…Pas pak troket sërish dera dhe shfaqet operativi i sigurimit të zonës që kërkon të më takojë mua. Pasi i thashë të presë jashtë, Hamiti më thotë: Ja kush është hajduti i sheqerit! Kemi bërë inventarin e magazinës dhe magazinierja që doli defiçit na ka deklaruar se  sheqerin e ka marrë operative i sigurimit.

Pasi e takova operativin i thashë se kam ardhë me urdhër nga lart të arrestoj atë që ka vjedhur sheqerin. Pas dy ditësh vjen një grup nga Ministria e Tregtisë që provoi atë që më kishte thënë Hamit Koçi, se sheqerin e kishte marrë operativi. Zbulimi i kësaj të vërtetë më solli përplasje me Ministrin dhe përfundova në burgje e internime, por amë Hamit Koçi mbeti miku im”, rrëfen Isan Bundo”, .

 

PËRJASHTIMI NGA PARTIA PAS PËRBALLJES

ME ISH SEKRETARIN E PARË MUÇO PAJENGA

 

Në vitin 1960,  Hamit Koçi transferohet familjarisht në Ulëz, si drejtor i NFP-së. I përkushtuar ndaj detyrës dhe familjës së tij, tashmë me 5 fëmijë sepsë këtu lind edhe Bukuroshi (sot ndër sipërmarrësit më të suksesshëm në rang vendi), kur sapo kishte mbushur dy vjet në këtë detyrë me përgjësi, për të rikthehen sërish hijenat e luftës së klasave. Në vitin 1962, ndaj tij sajohen akuza absurde që do të vijonin deri në përplajsje me ish Sekretarin e Parë të Komitetit të PPSH të rrethit të Matit, Muço Pajenga dhe në një plenum partie të atij viti e përjashtojnë nga partia.

Vërtetë situatë kritike për kuadrin vizionar që po ndëshkohej me akuzën se babai i tij ishte dënuar për veprimtari kundra pushtetit popullor. Dhe jo vetëm kaq, por falanagat e atij pushteti kishin hulumtuar edhe më thëllë, duke “zbuluar” edhe kleçka tjera në biografi, pse dajat e tij ishin shpallur “kulak”, ngaqë s’pranonin të dorëzonin tokë e bagëti në ish-kooperativën bujqësore .

Sërish Hamit Koçi nuk inkurajohet por rikthehet në vendlindje për t’iu përkushtuar familjes së tij. Nis kështu sërish rrugëtimin e jetës së tij me ecejake.   Pesëmbëdhjetë vitet e fundit të jetës së tij, (nga viti 1962 deri në 7.07.1977 kur ndrroj jetë nga një sëmundje e rëndë, hemoragji  cerebrale), punoi në NFP me ndërshmëri, i rrethuar nga miq e shokë të shumtë që e donin dhe e respektonin.

MESAZHET QË PËRCJELLIN SHEMBULLIN E TIJ KANË EMRIN KRENARI

Në rrugëtimin e këtij idealisti elitar, që nisi nga radhët e forcave partizane; vijoi si Shef Prapavije në Divizionin Ushtarak të Gjirokatrës, si zëvendës Drejtor i Maternitetit të Tiranës, Përgjegjës sektori e Drejtor i NFP në Bulqizë, Rubik e Ulëz, gjejmë episode dhe fakte që e rendisin personalitetin e tij me atë të personaliteteve të shquara shqiptare, të cilët gjithë jetën ia kushtuan atdheut të tyre. Ai bën pjesë në plejadën e luftëtarëve të lirisë e drejtuesve të Ushtrisë shqiptare që kontribuan për rindërtimin dhe konsolidimin e disa sektorëve të rëndësishëm dhe ia doli të jetë kurdoherë i sukseshëm. Me performancën e tij të shkëlqyer, falë përkushtimit ndaj profesionit, ai do të dallohej kudo e kurdoherë, si kuadër kompetent e me përvojë. Vlera e veprës së tij qëndron jo vetëm në kryerjen më së miri të detyrave të tij funksionale, por edhe në atë të punës praktike për t’i shërbyer sa më mirë nevojave të popullit. Kësisoj ai bëri realitet ëndrrën për t’u shërbyer hallexhinjve nga Bulqiza, Mati e Mirdita, jo vetëm me kompetencën profesionale, por edhe me papërtueshmërinë e fjalën e ëmbël. Ai ishte kuadri shembullor që manifestone cilësi të shquara profesionale, humane dhe sociale dhe si i tillë edhe me një rreth të gjerë miqsh dhe një popullaritet mahnitës. Marrëdhëniet me njerëzit i konsideronte të shenjta. Ai i donte dhe i çmonte shumë shokët e tij, qofshin ata kolegë, shokë të rinisë, fshatarë, qytetarë, të rinj apo pleq. Përveç dashurisë për njerëzit dhe mikpritjes, kishte edhe një pikë tjetër të fortë, që ishte bashkëshortja e tij fisnike, Jeme Hasan Gjimi. Ai e vlerësonte dhe e konsideronte këtë si fat të madh. Sepse jo çdokush do të kishte qenë e gatshme që të priste pa pushim dhe në çdo orë atë fluks miqsh e vizitorësh në shtëpi. Banesa e tij (ish shtëpia e Qazim Mulletit) në Tiranë, në ato vte qe kthyer në një shtëpi të dytë për bulqizakët e dibranët e shumtë, sa herë që u duhej të vinin për një vizitë në spital apo për të parë fëmijët e tyre ushtarë e nxënës. Megjithë ngarkesën në punë, Hamit Koçi kishte mirësinë dhe gatishmërinë që të angazhohej pa kursim në zgjidhjen e çdo halli të njerëzve në nevojë. Madje edhe kur ishin probleme që nuk i kishte në dorë vetë, ai shfrytëzonte të gjitha mundësitë dhe lidhjet miqësore për t’ua zgjidhur njerëzve ato. Ndaj, me të drejtë, ish partizanin e kuadrin shembullor nga vendlindja e tyre, kur shërbente në kryeqytet, bulqizakët e kanë konsideruar si “Ambasador i Bulqizës në Tiranë”. Madje çdo ambasador do t’a kishte zili përfaqësimin dinjitoz të humanizmit dhe vlerave të familjes dhe vendlindjes nga ai vinte, si dhe humanizmin e pashtershëm e virtytet e pashoqe që ai shfaqte në të mirë të njerëzve. Në profilin e Hamit Koçit ishin bërë bashkë krenaria individuale, krenaria e fisit, krenaria e vendlindjes, e krahinës dhe krenaria kombëtare e bazuar tek historia, luftërat legjendare, puna dhe arritjet e të parëve të tij, punëtorë dhe bujarë, por dhe të shokëve të luftës e të Ushtrisë, si lajtmotivi i jetës dhe veprës së tij. Ai u nda nga jeta më 7.07.1977, duke mbetur në kujtesën e bashkëqyetarëve nga Bulqiza, miqve e shokëve të tij të shumtë, si simbol i njeriut të virtytshëm, duke lënë pas fëmijët e tij shembullorë (Isufin, Uken, Rihanen, Kadriun, Dallëndyshen e Bukuroshin) që të gjithë njerëz emërmirë për familjen e shoqërinë.

Mesazhet që përcjellin shembullin e tij kanë emrin KRENARI.