Haki Stërmilli shkruan në ditarin e tij: “Mbas Konferencës së Pezës u rrjeshtova në kampin e Frontit Nacional Çlirimtar me besimin se kohët kishin ndyshuar dhe kjo luftë do të çlironte vendin nga fashizmi dhe do të realizohej edhe bashkimi i trojeve shqiptare me shtetin amë”. Besimi i tij se do të realizohej kjo zgjidhje shprehet edhe në fletën e ditarit të datës 29 nëntor 1944, ku thotë: “Divizionet tona çliruan Prishtinën dhe po marshojnë drejt Kosovës”. Por edhe lufta Nacionalçlirimtare nuk i realizoi pritmëritë e luftëtarit patriot, ashtu si edhe të gjithë popullit shqiptar: Dy të tretat e trojeve shqiptare, ku bënte pjesë edhe Dibra e Madhe mbetën pësëri jashtë kufijve të shtetit shqiptar
Beqir Ajet Shehu*
Në historinë e letërsisë shqiptare, Haki Stërmilli përfaqëson shkrimtarin demokrat, jeta dhe veprimtaria e të cilit u lidh ngushtë me fatet e atdheut dhe të luftës së forcave partiotike e revolucionare për një Shqipëri të lirë, të bashkuar dhe të përparuar. Haki Stërmilli përjetoi pasojat e ngjarjeve më dramatike në historinë e popullit shqiptar e në veçanti të Dibrës, vendlindjes së tij. Traditat patriotike dhe jeta e pasur zakonore në vendlindjen e tij, atmosfera që krijuan në Dibër zhvillimet e vrullshme të lëvizjes patriotike të atdhetarëve të shquar dibranë Hoxh Voka, Dervish Hima, Josif Bageri e të tjerë, si dhe rënja e Dibrës nën robërinë e pushtuesve sërbë dhe pasojat e tmerrshme që i sollën vendit, masakrat shtazore mbi popullsinë e pafajshme, qenë atmosfera ku i riu Haki Stërmilli, u rrit u shkollua dhe u formua për të marrë përsipër detyrën e vështirë të dalzotësit ndaj vendit e njerëzve të tij.
Sapo mbaroi gjimnazin në Manastir, ku qe dërguar me ndihmën e interesimin e patriotit Dervish Hima, bëhet një prej drejtuesve kryesorë të shoqërisë “Djelmënia Dibrane” e cila zhvilloi një veprimtari të guximshme patriotike mes vëllezërve të vendlindjes.
Pas Kongresit të Lushnjes, Haki Stërmilli vendoset në Tiranë, në administratën e shtetit të ri dhe merr anën e lëvizjes rinore përparimtare në luftën e ashpër mes forcave politike që zhvillohej në atë kohë. Haki Stërmilli u bë një nga militantët më të shquar të lëvizjes demokratike të rinisë dhe si drejtues i shoqërisë “Bashkimi”, mori pjesë me armë në dorë në ngjarjet e Revolucionit të Qershorit 1924, për të sjellë në fuqi një qeveri demokratike. Pas rënies së qeverisë së Fan Nolit, Haki Stërmilli, si shumë patriotë demokratë, u detyrua të emigronte në disa shtete të Europës e duke qenë edhe anëtar i “KONARE-së”, nuk e ndërpreu asnjëherë veprimtarinë e tij patriotike revolucionare në interes të atdheut e kombit..
Në vitin 1929, me ndërhyrjen e Ahmet Zogut, qeveria jugosllave ktheu në Tiranë Haki Stërmillin dhe Zogu e burgosi, duke mos marrë në konsideratë as protestën e “KONARE-s”, të nënshkruar edhe nga personalitete, si shkrimtari Henri Barbys, fizikati Ajnshtajn, Sen Katajama e shumë deputetë e profesorë nga të katër anët e botës.
E VËRTETA E DITËS SË ÇLIRIMIT NË DITARIN E HAKI STËRMILLIT
Pushtimin fashist të vendit, të cilin e kishte parashikuar në një artikull të botuar në gazetën “Liria Kombëtare”, Haki Stërmilli e priti me shumë trishtim. “Okupacioni fashist – shkruan ai’- më egërsoi tepër. ….Deri në Konferencën e Pezës punova ashtu si ma muer mendja se mund t’i shërbejsha popullit e atdheut. Mbas Konferencës u rrjeshtova në Kampin e Frontit Nacional Çlirimtar”. Dhe ashtu veproi. Megjithëse e kishte kaluar moshën e veprimeve të guximshme, në verën e vitit 1943 u hodh në radhët e luftës partizane duke përballuar vështirësi, rreziqe e beteja deri në ditën e çlirimit të vendit. Dhe ja çfarë shkruan në ditarin e tij më 28 nëntor 1944 luftëtari i shquar, shkrimtari demokrat, Haki Stërmilli: “Në këtë ditë feste, dy herë historike, sytë e zemrave të popullit tonë drejtohen kah vorret e mija, të dëshmorve që siguruen fitoren, dhe me gjakun e tyre të pastër shkruen nji epope të madhnueshme”. Pasi përshkruan aktivitetet e kësaj dite, dy herë historike, duke filluar që nga ora 10’30, me daljen e Komandantit Enver Hoxha me Qeverinë Demokratike, ku nga trbuna e ngritur para Hotel Dajtit, përshëndeti parakalimin e 15 mijë djemve e vajzave të brigadave partizane”, ditarin e kësaj ditë feste, dy herë historike, e përfundon me fjalinë “Festa vazhdon”.
Citova fletë ditarin e kësaj dite dy herë historike pasqyruar në “Ditarin Partizan” të Haki Stërmillit, për dy arsye.
Së pari, se e gjithë veprimtaria e tij, si shkrimtar dhe si luftëtar me armë në dorë, lidhet me këto dy sihariqe: Shpalljen e Pavarësisë dhe Çlirimin e vendit nga pushtuesit nazifashist..
Së dyti, kremtimi i 28 nëntorit 1944, si “ditë dy herë historike”- dita e shpalljes Pavarsisë dhe dita e Çlirimit të vendit nga okupacioni fashist, të pasqyruara në këtë fletë ditari, nga historiani dhe shkrimtari Haki Stërmilli. ëshë një dekument i vërtetë shkencor për historinë.
Rruga e jetës së Haki Stërmillit ishte rruga e jetës së një luftëtari të shquar, i cili tërë qenien e tij fizike e shpirtërore, tërë aftësitë e talentin e tij i vuri në shërbim të luftës për çlirimin e vendit, për ruajtjen e forcimin e identitetit kombëtar, si edhe për demokratizimin dhe prosperitetin e tij. Pjesë e kësaj lufte, madje edhe më e rëndësishmja, që e veçon Haki Stërmillin, është vepra e tij letrare.
Një ndër veçoritë më të spikatura në veprën letrare të Haki Stërmillit është lëvrimi i temës patriotike. Duke qenë nën përshtypjen e ngjarjeve tragjike të zhvilluara në vendlindjen e tij, dhe duke i pëjetuar ato edhe personalisht, si dhe duke i gërshetuar këto me ngjarje e probleme të jetës zakonore, Haki Stërmilli, jo vetëm që na ka dhënë vepra dinjitoze me vlera të veçanta ideo-artistike, por na ka lënë edhe një arkiv vlerash me të vërteta historike për njohjen e jetës dhe të zhvillimeve të kësaj periudhe.
SFONDI I NGJARJEVE HISTORIKE NË ROMANIN “KALORSI I SKËNDERBEUT”
Në këtë trajtim të shkurtër duam të veçojmë disa nga vlerat e romanit historik “Kalorsi i Skenderbeut”, jo vetëm se është shkruar më pak për të, por na intregon edhe fakti: Përse Haki Stërmilli, e ndërpreu në vitin1941, shkrimin e këtij romani dhe filloi përsëri ta shkruante në vitin 1952.
Romani “Kalorësi i Skënderbeut” është ndërtuar mbi sfondin e ngjarjeve të vërteta historike të viteve 1451 – 1456, kur populli shqiptar, nën udhëheqjen e Skënderbeut luftonte trimërisht për mbrojtjen e tokave të shtetit shqiptar dhe për çlirimin e viseve të tjera të trojeve arbërore, të pushtuara nga osmanët, siç ishte edhe Kalaja e Sfedigradit. Duke hyrë në rrjedhën e ngjarjeve të kohës nëpërmjet të dhënave historike dhe traditës popullore, Haki Stërmilli ka arritur të na pasqyrojë atmosferën heroike të atyre viteve, duke na treguar se ndërgjegjësimi patriotik i popullit ishte elementi thelbësor i sjelljes së kësaj atmosfere. Malësorët e thjeshtë trima e fisnikë ishin ata që përbënin ushtrinë e Skënderbeut e cila përballon me sukses hordhitë osmane. Këta malësorë trima janë edhe mbartësit e traditës dhe të zakoneve të tyre fisnike, pjesë e jetës së tyre të përditshme, që i trasmetojnë nga brezi në brez, dhe i ruajnë me fanatizëm si pasurinë e tyre më të shtrejtë. Protagonistët kryesorë të romanit nuk janë marrë nga figura historike por nga bijtë e popullit.Të tillë janë: Mark Spani (Kalori i Bukur) – protagonisti kryesor i romanit, pjesëtar i Gardës Pretoriane të Skënderbeut, i cili mishëron veti e vyrtyte të luftëtarëve të kësaj epoke. Ai është: trim e besnik, kalorës fisnik, dashnor zemërzjarr, luftëtar i devotshëm i kauzës së shenjtë të atdheut.
Mira Mireshi, bija e luftëtarit të paepur të lirisë Zef Mireshi, vajza fytyrhënë me zemër të bardhë, besnike e dashurisë së pastër e të sinqertë me Kalorsin e bukur, por edhe luftëtare e patrembur dhe e vendosur në mbrojtje të lirisë e të jetës së kryetrimit, mbretit të shqiptarve, Skënderbeut.
Këto figura e të tjera, si ajo e Hil Veshkuqit, e Qerimit dhe e motrës së tij, të ndërthurura me ngjarje e situata ku pasqyrohet atmosfera patriotike që rrethon popullin e ngritur në luftë, tregojnë edhe fatin e të rinjve dibranë, fati i të cilëve ishte pleksur me fatet e Dibrës dhe të të gjithë vendit. Figurën e Skënderbeut në roman, për mendimin tim, shkrimtari Haki Srërmilli, na e ka dhënë sipas modelit të shkrimeve për profetin Muhamed. Ndonëse është një figurë episodike, Ai ndiehet në të gjithë romanin. Shkrimtari nuk e ka trazuar kryezotin me intrigat e aventurat dashurore, që ndodhin në trajtesën e romanit. Populli e quan atë diell që ngroh çdo zemër shqiptare. Në roman nënvizohet, jo vetëm misioni historik i Skënderbeut në luftë për tu bërë ballë agresorëve, por edhe për të krijuar një shtet të përqendruar shqiptar.
Në romanin “Kalorësi i Skënderbeut”, pasqyrohen edhe prirjet seperatiste të kohës të cilat kanë gjetur shprehje në trajtimin e dy figurave historike të kohës – Moisi Golemi dhe e shoqja princeshë Zafina. Duke pohuar të vërtetën historike të tradhtisë e të pendimit të princit të Dibrës, Moisi Golemit, dhe rolin intrigues të princeshës Zafina në këtë tradhti, autori jep mesazhin: Të kihet kujdes, se shkak i joshjes drejt seperatizmit e tradhtisë ndaj interesave të atdheut janë po ato elemente e faktorë, që i kanë sjellë zhvillimet historike, që nga agimet e shoqërisë njërzore.
Dua të ndaj me lexuesin, mendimin tim: Përse shkrimtari Haki Stërmilli, romanin “Kalorsi i Skënderbeut”, që kishte nisë ta shkruante në vitet 1937-38, e ndërpreu në vitin 1941, dhe filloi ta shkruante pas Luftës së Dytë Botërore dhe e përfundoi në vitin 1952. Haki Stërmilli ishte burrë me vizion të largët politik dhe njohës i shkëlqyer i gjeopolitikës, vçanërishtë asaj në Ballkan. Vendimet e padrejta të Fuqive të Mëdha për copëtimin e tokave shqiptare, ku përfshihej edhe ndarja e Dibrës në dy pjesë dhe lënia e Dibrës së Madhe me trojet e tjera shqiptare jashta kufirit të shtetit shqiptar, vendosur më 1913, tronditën pa masë edhe zemrën e shkrimtarit patriot, ashtu si të gjithë popullit shqipëtar. Pritmëria se me përfundimin e Luftës Parë Botërore do të rregullohej kjo padrejtësi, jo vetëm që nuk solli zgjidhje, por mbylli dhe shpresat. Kjo bëri që detyrat e shtetit shqiptar por edhe të shoqërisë shqiptare të ishin po ato të viteve 1451-1456, me ndryshimin e vetëm – atë të pushtuesit, nga turk në sllav. Ndaj në vitet 1937-38, Haki Stërmilli filloi të shkruante romanin historik “Kalorsi i Skënderbeut”, shkrimin e të cilit e ndërpreu me fillimin e Luftës Nacionalçlirimtare dhe konkretisht pas prillit të vitit 1941, kur u realizua bashkimi i trojeve shqiptare në një shtet të vetëm me qendër në Tiranë.
NDËRGJEGJËSIMI PATRIOTIK I MASAVE POPULLORE PËR DOMOSDOSHMËRINË E BASHKIMIT KOMBËTAR
Haki Stërmilli shkruan në ditarin e tij: “Mbas Konferencës së Pezës u rrjeshtova në kampin e Frontit Nacional Çlirimtar me besimin se kohët kishin ndyshuar dhe kjo luftë do të çlironte vendin nga fashizmi dhe do të realizohej edhe bashkimi i trojeve shqiptare me shtetin amë”. Besimi i tij se do të realizohej kjo zgjidhje shprehet edhe në fletën e ditarit të datës 29 nëntor 1944, ku thotë: “Divizionet tona çliruan Prishtinën dhe po marshojnë drejt Kosovës”. Por edhe lufta Nacionalçlirimtare nuk i realizoi pritmëritë e luftëtarit patriot, ashtu si edhe të gjithë popullit shqiptar: Dy të tretat e trojeve shqiptare, ku bënte pjesë edhe Dibra e Madhe mbetën pësëri jashtë kufijve të shtetit shqiptar. Kjo ishte dhimbja më e madhe e këtij luftëtari të paepur. Por me gjithë këtë dhimbje, me gjithë rëndimin e viteve e lodhjes që i solli lufta trevjeçare në radhët e Ushtrisë Nacionalçlirimtare, shkrimtari patriot nuk dorëzohet. Ai i rikthehet shkrimit të romanit, e përfundon atë, duke na bërë me dije se detyra nuk kishte mbaruar dhe me gjuhën e Dibrës, do të sugjeronte edhe rrugët për realizimin e saj -, në radhë të parë ndërgjegjësimi patriotik i masave popullore, që të viheshin në lëvizje për të realizuar bashkimin e trojeve shqiptare.
Nuk ndaj të njëjtin mendim edhe për kritikën që i bëhet veprës së Haki Stërmillit, sidomos asaj të viteve të mbretërisë, kur thuhet se kufizimet botëkuptimore nuk e kanë lejuar shkrimtarin që në krijimtarinë e tij të shtrojë nevojën e përmbysjes së rendit shoqëror ekzistues, por kufizohet vetëm në mohimin e disa normave të moralit dhe mentalitetit sundues të kohës. Unë mendoj se nuk janë kufizimet botëkuptimore, por vizioni dhe symprehtësia e shkrimtarit, që i lexonte në thellësi zhvillimet gjeopolitike të kohës, për të mos përdorë “grushtat migjenian” për rrëzimin e monarkisë.
Shkrimtari patriot e kishte të qartë se në vitet ‘’30, kur të gjitha shtetet e Ballkanit ishin monarki dhe kur synimet e tyre grabitqare ishin në rend të ditës, rrëzimi i monarkisë do të ishte një rrezik real për copëtimin e plotë të tokave shqiptare. Ai e kishte të qartë gjithashtu, se monarkia do të ishte një siguri më e madhe për ruajtjen e pavarësisë së shtetit të ri shqiptar. Haki Stërmilli, kur viheshin në rrezik interesat e atdheut e të kombit, për të cilat kishte luftuar gjithë jetn, me gjithë kundërshtitë që kishte me Mbretin Zog, dhe persekutimin që ai i kishte bërë, nuk do t’ia lejonte vetes kurrë që veprimtaria e tij të cënonte interesat madhore të kombit.
**Studjues – “Bashkëpunëtor i vjetër shkencor” i Institutit të Studimeve historike të Akademisë së Shkencave – Tiranë, që nga viti 1978