Ramazan Kica dhe kolana e tij për historinë e Skënderbeut dhe të Dibrës

15

Ramazan Kica e ka kaluar periudhën e martirizimit politik në sistemin e kaluar. Kohët e reja, teknikat e reja moderne të kërkimit, e drejta e fjalës dhe liria e shprehjes, e kanë armatosur atë t’u futet atyre shtigjeve që ende nuk janë hulumtuar si e sa duhet

 

Sali ONUZI

Pak kohë më parë ne gjysmën e dytë të këtij viti, doli në qarkullim libri i studiuesit Ramazan Kica, “Historia e Dibrës dhe e Dibranëve”.

Ky libër i shtohet dhe është pjesë përbërëse e kolanës së autorit per historinë e mesjetes shqiptare, në veçanti asaj të Skënderbeut dhe të Dibrës. Njëri pas tjetrit janë shkruar, botuar e dalë në qarkullim librat e Kicës: “Beteja e parë e Skenderbut” (2017,) “Beteja e parë dhe e katërt e Skenderbeut me Ballabanin”, (2020) “Sfetigradi  – fundi i një enigma” (2021); “Modrisa”, (2022) “Qyteti i Bardhë” (Albanopolis) me 2023 dhe tani 2024 “Historia e Dibrës dhe e dibraneve” dhe “Nga ishin kastriotët”. Pra, 7 libra për 7 vjet. Kjo tregon se autori ka bërë me kohë një punë të madhe përgatitore, ka krijuar një sfond të përgjithshëm dhe pastaj e ka trajtuar në disa nga të veçantat e tij. Natyrisht, në çdo botim të Kicës ka trajtime te thelluara e konkrete, po kudo duket një bosht i përbashkët.

Kemi këtu një kolanë librash, me Dibrën dhe Skënderbeun në qendër të tyre. Autori ka krijuar një lloj akademie të tij për këtë temë skënderbejane e dibrane. E lidhur qartë me parimet kryesore dhe gjetjet më të mëdha të historiografisë shqiptare, Kica ka sjellë për temat qe ka trajtuar një pamje të re, një vështrim tjetër, më konkret e më të qartë. Mbi të gjitha tek ai nuk gjen kundërthënie. Librat e tij vijojnë të argumentojnë njëri tjetrin. Janë të kapur si vargmal, dorë për dorë dhe si fushat me shtretërit e lumenjëve etj. Në këtë pikë qëndron edhe origjinaliteti i tij,  më saktë, saktësia e tij.

Duket se Kica u ka hyrë studimeve dhe librave pikërisht për të saktësuar disa emra dhe ngjarje të mëdha të historisë sonë mesjetare.

Sa herë është ndërruar deri tani vendodhja e Sfetigradit, apo e Betejës së parë të Skënderbeut me Ballabanin, vendndodhja e Mokrës, apo e Albanopolit(?!).

Natyrisht kjo ka një farë justifikimi, me prapambetjen e studimeve tona historike para shekullit të XX, deri diku edhe pas tij, po edhe me natyrën e historiografise që ka nevojë për një kohë për të zbuluar të vërtetën.

Për Kicën ka rëndësi që të saktësohen vendndodhjet e ngjarjeve, të kalave, që qyteteve, të rrugëve etj. Për këtë ai u drejtohet burimeve të vjetra antike dhe i ndjek ato nëpër shekuj, se si kanë ndryshuar madje deri ne ditët tona, për shumë arësye historike, sidomos edhe të pushtimeve të njëpasnjëshme. Prandaj Kica ka shpallur se ai vë në qendër të studimeve të tij burimet origjinale rreth ngjarjeve e figurave historike, dhe nuk merret pothuajse fare me interpretuesit e tyre të mëvonshëm edhe kur ata janë autoritet në atë lëmë të dijes. Pa le kur janë si Xhamharia Biemi, një mashtrues profesionist që shpik vende dhe ngjarje!

Autori ka gjetur edhe metodën efikase për të realizuar këto studime. Ndërsa i studion ngjarjet e figurat, ai bën çmos t’i vendos ato në kohën e caktuar dhe në vendin e vet. Kjo për të është thelbësore. Ai kështu ka shkruar në fakt edhe një histori të gjeografisë usharake. Koha dhe vendi (relievi), këto dy faktorë të pathyeshëm e kanë çuar Kicën në Fushën e Korabit më 1444 kundër Ali Pashës, në Kalanë e Modrisës, në Mokrën poshtë Shkupit, në Sfetigrad te malet e Peristerit, e kanë çuar në Valikardhë për betejat kundër Ballabanit dhe prapë në Valikardhë për qytetin e Albanopolit.

Po me këtë metodë ai arrin edhe të përcaktojë rrugën e dërgatës së Perseut për në Shkodër te Genti, edhe zotërimet e Kastriotëve në Mat. Prandaj Kica shkruan se “qyteti Dobera (i Ptolemeut) që ekzitonte në shekullin V para erës sonë, kampi i Kastriotit në Dibër të Sipërme dhe kalaja Belçe në kodrën Straishta janë e njëjta gjë në kohëra të ndryshme”.

Me kompasin e tij mat kohën e ngjarjeve dhe e përplas atë mbi terrenin shqiptar, që është po ai i kohëve të mesjetës, dhe që është një orintues i pavdekshëm. Kështu ai na tregon ku shtriheshin helidonët, pse Uskana e penestëve bie në rrënojat e Grazhdanit të sotëm, ku banonin stefanakasit, ku bie Iliria e shkretuar, ku kanë qenë dardhanët në Dibrën e Poshtëme, po fisi i Bardhëve, po qyteti Oenea (Stelushi apo qyteti i Skënderbeut) etj.

Ramazan Kica nuk beson aq lehtë. Nuk i ndjek kohën dhe vendin vetëm në letër e në libra. Ai me një grup miqsh të tij mendjehapur, ish kolonelë te Ushtrisë, kanë bërë ekspedita të njëpasnjëshme në ato vende historike për të cilat shkruan. Edhe termat hitorikë e gjeografikë, bën çdo përpjekje t’i zbërthejë nga pikëpamja gjuhësore, falë edhe njohjes së tij të disa gjuhëve edhe të vjetra.

Kica është një studiues i përgjegjshëm e korrekt. Nuk vetmburret e nuk lëshon rrufe ndaj të tjerëve. Madje edhe kur gjen nje detaj te ri, a një kohë a nje vend të ri, Kica i vlerëson kontributet e të tjerëve për keto tema. Madje ai është lodhur duke bërë thirrje që për këto gjetje të reja të thotë fjalën e saj arkeologjia, linguistika, etj. Po në fakt institucionet shkencore tona nuk preken nga këto kërkime, gjetje e përfundime të Ramazan Kicës, meqë ai nuk ka një gradë shkencore (!). Më duket se disa prej tyre janë mbyllur në kullat e ngurta që kanë krijuar vetë, dhe nuk kërkojnë e vlerësojnë mendimin e gjetjet e vërteta e të reja. Ato i trullos titulli e grada shkencore edhe atëhere kur doktori i shkencave thotë me kryelart se vetëm demokracia pjell antifashizëm, edhe kur tjetri thotë se antifashizmi shqiptar i ka rrënjet në kryengritjet e shekullit të XIX, kur fashizmi vetë ka lindur një shekull e ca më vonë.(!)

Në historinë e shkencës botërore ka jo pak raste që dijetarët zyrtare janë mbajtur pas “tokës së sheshtë”, (madje ka edhe sot të tillë), dhe që kanë djegur e internuar dijetarët e vërtetë. Po historia e shkencës këtyre martirëve u ka dhënë të drejtë.

Ramazan Kica e ka kaluar periudhën e martirizimit politik në sistemin e kaluar. Kohët e reja, teknikat e reja moderne të kërkimit, e drejta e fjalës dhe liria e shprehjes, e kanë armatosur atë t’u futet atyre shtigjeve që ende nuk janë hulumtuar si e sa duhet.

Unë kam pasur rastin a fatin të jem disa herë konsulent, reçenzent a redaktor i disa librave të Ramazan Kicës dhe e dij se sa serioz është ai në punën e tij. Askush i vetëm nuk e ka zbuluar historinë e botës, a të popujve dhe vendeve të ndryshme. Kica si çdo studiues është sa kërkues aq dhe realist. Edhe sikur disa nga gjetjet e tij të mos i rrezistojne kohës, Ramazan Kica, e ka thënë fjalën e tij me dinjitet, me argumente mbi dokumente e fakte të njohura deri më sot dhe është futur në listën e autorëve seriozë.

Me këtë rast unë i uroj Ramazan Kicës, punë të mbarë e gjetje të reja!