80 – vjetori i shkollës 8 – vjeçare të Viçishtit të Dibrës

17

Shkolla 9 vjecare e Vicishtit që mban emrin e dëshmorit të Atdheut Fasli Cami, feston 80 vjetorin e saj, por e kërcënuar nga mbyllja për shkak të largimevet të nxënësve, nga largimet e banorëve të fshatit dhe të zonës. Shpresojmë që kjo të mos ndodhë, që kjo shkollë të rritet e të forcohet, pasi ka një histori të lavdishme

Fëmijët e fshatit Vicisht, Dibër, deri në vitin 1944, mësimet e shkollës 5 vjecare i bënin në Gjoricë me mësues Haxhi Skënderin, duke udhëtuar 3-4 orë në ditë. Në vitin 1940 bëri përpjekje për të hapur shkollën në Viçisht, biri i këtij fshati, normalisti Fasli Fetah Cami.

Mësimet e para banorët e fshatit Viçisht filluan ti marrin jo zyrtarisht nga mësuesi Fasli Cami, banor i këtij fshati, që në vitin 1940. Ai kishte mbaruar shkollën Normale të Elbasanit dhe ishte emruar mësues në shkollën e fshatit Gjoricë.

Për shkak të vrasjes së tij nga fashistët italianë në prill të vitit 1941, mësimi u ndërpre dhe shkolla u hap vetëm në fund të vitit 1944.

Sot shkolla e Viçishtit mban emrin e dëshmorit të atdheut Fasli Camit, ndërsa ajo e Gjoricës mban emrin e Ahmet Camit.

Fehmije Ahmet Cami, Drita Ahmet Cami dhe Meribane Kurt Cami ishin 3 vajzat e para që ndoqën shkollën 7 vjecare në Gjoricë, fill pas hapjes së saj në vitin 1948. Udhëtonin në këmbë që nga Golevishti.

Zyrtarisht shkolla në Viçisht u hap me 28 dhjetor 1944, një muaj pas çlirimit te Shqipërise. Hapja e shkollës, sipas kujtimeve të mësuesit të parë nga Dibra e Madhe, Fehmi Kodra, u shoqërua me një festë të madhe të shoqëruar me të shtëna armësh. Filloi mësimi vetëm në klasën e parë në të cilën u regjistruan 31 nxënës.

Programi përfshinte lëndët: Abetare – Gjuhë, Arit’hmetikë, Vjersha, Punë kopshti, Mësim Jete, Gjimnastikë dhe Punë dore. Një nga vështirësitë kryesore të asaj kohe, ishte mungesa e teksteve dhe e mjeteve mësimore. Kjo bënte që mësimi të zhvillohej në kushte jashtëzakonisht të vështira. Mësuesi banonte në familjen e Rrahman Xhekës dhe në muajt e parë mbahej vetëm nga kontributet e fshatarëve dhe të familjes ku banonte. Në vitin 1945 ju caktua një rrogë mujore nga shteti. Ai punoi për dy vite shkollore 1944-1945 dhe 1945-1946. Në këtë vit mësues Fehmiu transferohet në një shkollë tjetër dhe në vend të tij emrohet mësuesi Qeramudin Luka. Ai punoi deri në vitin shkollor 1950-1951. Në vitin shkollor 1951-1952, rikthehet përsëri mësuesi Fehmi Kodra duke punuar tashmë me katër klasa kolektive. Pas Fehmi Kodrës mësuese në shkollën fillore të Viçishtit erdhi Fehmie Ahmet Cami.

Në vitet 1960 në Viçisht dha mësim si mësuese Fehmije Ahmet Cami derisa u largua pas martesës për në Tiranë

Më pas erdhën Tahir Velia, Ilmi Gjura, Fisnik Manjani, Destan Cami, Fehmi Lika etj. Destan Cami erdhi nga Fushë Studna ku jepte mësim dhe shërben në Viçisht derisa doli në pension.

Në vitet e para një mësues bënte mësim në 4 klasa kolektive, ku klasa e parë kishte 18 nxënës, klasa e dytë, 10 nxënës, klasa e tretë, 8 nxënës dhe klasa e katërt 10 nxënës, në total 46 nxënës. Pas vitit 1960 një mësues jepte mësim në dy klasa kolektive, e para dhe e treta, njëri mësues dhe e dyta dhe e katërta jepte mësim mësuesi tjetër. Njëri kishte përgjegjësinë e klasës së parë dhe tjetri përgjegjësinë e provimeve të lirimit të klasës së katërt.

Në vitin shkollor 1967-1968 u hap për herë të parë klasa e pestë dhe pas një viti u hap klasa e gjashtë.

VITET KUR U HAPËN SHKOLLA E PARË 8-VJEÇARE DHE E MESME. KUJTIMET E ISH DREJTORIT AVNI MERA

Shkolla e parë 8 vjeçare në Viçisht është hapur në vitin 1968 me mësues dhe drejtor të parë Emin Camin. Në vitin 1972 drejtoreshë u bë bashkëshortja e Eminit, Lirije Cami, pasi Emini kaloi si oficer në shërbimin aktiv. Në vitin shkollor 1968-1969 shkolla e Viçishtit kaloi me drejtori më vete. Drejtor i parë u emrua Emin Cami. Hapja e shkollës 8 vjeçare krijoi mundësinë e regjistrimit edhe për shumë fëmijë të zonës së Gollobordës.

Për rreth 20 vjet kjo shkollë funksionoi si shkollë 8 vjecare. Për të vazhduar shkollën e mesme kishte tre mundësi: të merrje bursë shteti, të vazhdoje shkollën në Shupenzë ose tek ndonjë i afërm që banonte në qytet.Vazhdimi i shkollës së mesme në Shupenzë në kushtet e mungesës së transportit ju kushtonte nxënësve katër orë rrugë në këmbë njëlloj si dikur nxënësit e shkollës 8 vjeçare shkonin në këmbë në Gjoricë.

Në kujtimet e tij ish drejtori i kësaj shkolle Avni Mera shkruan: “Me mbështetjen e ministres së arsimit znj.Tefta Cami, në fshatrat Viçisht dhe Gjoricë në vitin 1985 nisi ndërtimi i shkollave të reja të cilat u inaguruan në vitin 1986. Me kërkesën e banorëve të fshatit Viçisht dhe dëshirën e ministres së arsimit për të kontribuar në arsimimin e banorëve të fshatit Viçisht, ku ajo lindi dhe u rrit si dhe zonës për rreth, në vitin shkollor 1986-1987 u hap arsimi i mesëm. Bindja ime e hershme për banorët e fshatit Viçisht si njerëz të besës, punës, mikpritës dhe vullnetit për shkollim u provua kur hapi dyert arsimi i mesëm i përgjithshëm në këtë fshat të thellë por me shumë traditë. Nuk mund të harroj përpjekjet e vazhdueshme të njerëzve arsimdashës të këtij fshati për të mbështetur punën e mësuesve të kësaj shkolle dhe mua si drejtor shkolle”.

Në shkollën e mesme u regjistruan 40 nxënës në vitin e parë. Në këtë shkollë u regjistruan edhe shumë nxënës nga Çereneci, Lubaleshi, Tërbaçi, Sepetova, Mireshi, Pasinka etj.

Pas vitit 1990 për shkak të lëvizjes së popullsisë drejt qendrave urbane si Peshkopi, Bulqize, Durrës, Tiranë etj u mbyll shkolla e mesme dhe ndërkohe bie shumë edhe numri i nxënësve të shkolles 9 vjeçare. Në vitin shkollor 2004 – 2005 drejtorisë së shkollës Viçisht i bashkangjitet dhe shkolla e fshatit Lubalesh për shkak të rënies së numrit të nxënësve në këtë fshat. Në vitin 2007 hapet për herë të parë shkolla fillore e Çerenecit të Epërm, shkollë e cila i kaloi edhe kjo në varësi shkolles së Viçishtit.

Në këto 80 vjet histori të shkollës së fshatit Viçisht kanë punuar dhe kontribuar me qindra mësues. Shumë prej tyre kan punuar jo vetëm në shkollën e Viçishtit por edhe në disa shkolla të zonës së Gollobordës si Pasinkë, Lladomericë, Tuçep, Ostren, Klenjë, Llangë etj. Disa drejtues shkolle në vite kanë qenë Emin Cami, Lirie Cami, Xhavit Sulku, Rustem Murrja, Avni Mera, Dritan Ramizi, Fisnik Manjani, Rushit Suma, Femi Lika, Idriz Mera, Ajet Suma, Xhevrie Cami, Lirije Gjura Teodori etj. Po kështu shumë ish nxënës të kësaj shkolle kanë vazhduar studimet e shkollës së mesme dhe studimet e larta. Disa prej tyre kanë marrë edhe grada shkencore. Nga kjo shkollë kanë dalë deputetë e ministra.

Deri në vitin 1969 shkolla fillore e Vicishtit varej nga drejtoria e shkollës 8 vjecare Gjoricë me drejtore shkolle Bukurie Kaja (Lleshi).

Në vitin shkollor 1967-1968 u hap për herë të parë klasa e pestë. Mësues i klasës së pestë u caktua Emin Cami, biri i këtij fshati, që sapo kishte përfunduar studimet në Institutin Pedagogjik të Shkodrës. Ai zhvillonte të gjitha lëndët, megjithëse kishte mbaruar studimet për gjuhë dhe letërsi.

Më 30 nëntor 1967 ndodhi një tërmet i fuqishëm. Shkolla e vjetër u shemb. Me kontributin vullnetar të fshatarëve, mësuesve e nxënësve dhe me ndihmën materiale të shtetit u ndërtua shkolla e re. Pas një viti u hap klasa e gjashtë. Mësuese erdhi Fiqirete Lila. Lëndët i ndanë në të dy klasat në mënyrë të barabartë. Në ciklin e ulët jepnin mësim Rexhep Lika dhe Ferit Gugushi.

Në vitin shkollor 1969-1970 shkolla e Viçishtit kaloi me drejtori më vete dhe drejtor i parë u emërua Emin Cami. Filloi edhe klasa e shtatë dhe shkolla mori fizionomi të plotë. Erdhën si mësues Hashim Suti, Liljana Skuka dhe Fatmira Skuka. Hapja e shkollës 8 vjeçare krijoi mundësinë e regjistrimit edhe për shumë fëmijë të zonës së Gollobordës.

Shkolla fillore e Tërbacit kaloi në vartësi të Shkollës 8 vjecare të Vicishtit. Në Tërbaç jepnin mësim Vesel Shabani dhe Tahir Velija.

Në klasën e tetë erdhi një tjetër mësues nga ky fshat, Fehmi Lika, që më vonë do të bëhej një nga drejtuesit më jetëgjatë të kësaj shkolle.

NGA DITARI IM I ATYRE VITEVE

Duke parë nivelin e ulët të kuadrove dhe bashkëfshatarëve të mi u hap shkolla 8 vjecare e natës, ku paralel me klasën e pestë ditën, jepja mësim edhe në klasën e pestë të mbas ditës. E filloja mësim fill mbasdite që të mbaroja pa na zënë nata sepse ishte malësi dhe zonë e ftohtë, bënte dimër i jashtëzakonshëm. Njerëzit më donin dhe më respektonin. Mësuesi ishte figurë e dashur dhe e repektuar. Ne mësuesit nga ana jonë punonim fort. Jepnin shpirtin tonë në mësimdhënie.

Gëzimi më i madh ka qenë si mësues dhe drejtor shkolle ka qenë provimi i lirimit me nxënësit të parë dhe me ato kuadrot dhe bashkëfshtarët e mi, që ndonëse ishin më të moshuar më respektonin më shumë se fëmijët e tyre.

Pas përfundimit të Institutit fillova punë direkt në fshatin tim, Vicisht i Dibrës, sot Bashkia e Bulqizës dhe isha i pari mësues në ciklin e lartë dhe drejtues i parë i shkollës 8 vjecare të këtij fshati , shkollë që tanimë ka një histori 80 vjeçare.

Në vitin 1971 Emini thirret për të kryer shërbimin ushtarak. Forcat e Armatosura e pikasën aftësinë dhe talentin e tij dhe e mbajtën si kuadër të Forcave të Armatosura për 19 vjet më rradhë. Ai ka kryer detyra të rëndësishme në ushtri.

Pas largimit për të kryer shërbimin ushtarak, vendin e Emin Camit si drejtor shkolle e mban e shoqja e tij, Lirije Cami, e bija e Veli Zogut, që vinte nga Kruja, me arsim të lartë dhe me përvojë të madhe. Ajo shërbeu edhe 4 vjet të tjera si drejtore shkolle duke lënë gjurmë me punën e saj pasionante.

Pas transferimit për në Peshkopi të Eminit dhe Lirijes, drejtor shkolle erdhi Nazif Sulku. Në vitin 1979 drejtor shkolle ishte Rustem Murrja. Rustem Murrja banonte tek Fisi Xheka në një shtëpi ku personat ishin larguar. Në ciklin e ulët (shkollën fillore) jepnin mësim Destan Cami, Beqir Mera, Rakip Krrusa dhe Zurie Murrja. Në ciklin e lartë 8 vjecar jepnin mësim: Fisnik Manjani jepte lëndën e gjuhës dhe letërsisë shqipe, historisë etj, Bashkim Lila jepte biologji, kimi etj, Festim Kola jepte matematikë, fizikë etj., Fadil Cami jepte fiskulturë, gjeografi etj. Unë isha edukatore kopështi dhe punova tre vjet.

Në vitin 1984 drejtor shkolle ka qenë Avni Mera. Bashkëshortja e Rustemit, Zurie Murrja ishte edukatore kopështi.

Në ciklin e ulët jepnin mësim Merjeme Cami, Destan Cami, Fehmi Lika dhe Rakip Krrusa.

Në ciklin e 8 vjecares punonin Festim Kola, Bashkim Lila, Fisnik Manjani dhe Fadil Cami. Në këtë periudhë është bërë edhe ndërtimi i shkollës së re dy katëshe që ju vu emri i dëshmorit të fshatit, mësuesit të parë dëshmor Fasli Cami.

E pranishme në ceremoninë e përurimit të shkollës ka qenë Ministrja e Arsimit dhe Kulturës, bija e këtij fshati, Tefta Cami.

Shkolla 9 vjecare e Vicishtit feston 80 vjetorin e saj, por e kërcënuar nga mbyllja për shkak të largimevet të nxënësve, nga largimet e banorëve të fshatit dhe të zonës. Shpresojmë që kjo të mos ndodhë, që kjo shkollë të rritet e të forcohet, pasi ka një histori të lavdishme.