Kauza e dibranëve do të fitojë

13

Nga Bashkim LAMI

Është me shumë rëndësi bashkimi i dibranëve për ti thënë ndal një investimi që na i përmbyt vlerat e Dibrës tonë. Kryesia e “Shoqatës Bulqiza” është shprehur publikisht për të qenë të bashkuar, në krah të njëri tjetrit, për çdo rast që dëmtohen interesat e dibranëve dhe të Atdheut. Unë sjell këtu për të gjithë ju zërin e kryesisë së “Shoqatës Bulqiza” që jemi kundër ndërtimit të hidroçentralit Skavica dhe jemi për ta mbrojtur Dibrën nga përmbytja e të gjenden forma të tjera të investimeve dobiprurëse.  Zëri i intelektualëve dibranë dhe i studjuesve e shkencëtarëve të këtij vendi për ne është shumë i qartë se ky investim është jashtë llogjikës ekonomike e sociale dhe argumentat janë dhënë shumë të sakta e të shpjeguara në të gjitha takimet e protestat që janë bërë.

Dua të përgëzoj të gjithë studjuesit që na kanë sjellë argumentat e duhura për të qenë kundër këtij investimi, sot të përmbledhura edhe në librin e botuar për këtë rast. Jemi të befasuar që qeveria që na drejton mban qëndrim të pa justifikuar, për këtë investim. Populli dibran që banon në sipërfaqet që i përfshin ky projekt prej 44 vitesh janë në dilemë që “do bëhet”, “s’do bëhet” hidroçentrali dhe jetojnë me stres, që i ka lodhë me pa të drejtë dhe i ka detyruar të kërkojnë me doemos zgjidhje të tjera për jetën, duke lënë trojet e tyre të brengosur, pasi as nuk janë pyetur dhe as nuk u është siguruar e drejta e tyre njerzore mbi pronën, pasurinë, për vlerat e trashëgimisë historike e kulturore, etj. Ky investim përmbyt shumë sipërfaqe toke dhe është jashtë llogjikës ekonomike për energjinë që mendohet të përfitohet. Gjithashtu dhe efektet rregullatore nuk arësyetohen, pasi specialistët i shpjegojnë shumë qartë me argumente shkencore.

Sot ka edhe metoda të tjera të investimit për të prodhuar energji, pa u përmbytur një trevë e tërë, që ne kemi detyrë ta mbrojmë për shumë arësye, prandaj ta dëgjojë mirë qeveria zërin shkencor e llogjik të specialistëve, por edhe të qytetarëve dhe të heqë dorë nga kjo marrëzi. Mendoj se mbrojtja e fushave të Drinit do të inkurajojë dibranët të kthehen në pronat e tyre dhe të lulëzojnë investimet private në pronat e tyre për bujqësinë, blegtorinë, pemtarinë, turizmin e veprimtari të tjera ekonomike që do të jenë disa herë më shumë se fitimi i pretenduar nga një koncesionar.  Padrejtësia historike e ndau Dibrën, por nuk e zhduku dhe këtë e bën përmbytja, që ne kurrë nuk duhet ta lejojmë të mbulohet fusha e Drinit me ujë.  Në emër të kryesisë së “Shoqatës Bulqiza” ju bëj thirrje të gjithë dibranëve kudo që ndodhen dhe të gjithë shqiptarëve, të qëndrojmë të bashkuar për të mbrojtur nga përmbytja pjesën më vitale të vendlindjes tonë.

Bashkohemi në thirrjen ndaj qeverisë të anulloj zbatimin e këtij projekti që është në dëm të interesave të popullit të krahinës së Dibrës.

Rroftë e përparoftë populli dibran kudo që ndodhen!

Kauza e dibranëve do të fitojë!

*PËRSHËNDETJA NË KONFERENCËN KOMBËTARE, QË U MBAJT NË TIRANË ME 6 DHJETOR 2024, PËR SOLIDARIZIM ME POPULLIN DIBRAN, QË TË NDALET MBYTJA E FUSHËS SË DRINIT NË DIBËR