Nga Kanadaja e Anglia vijnë për trajtim dhe ndërhyje në klinikën e urologjisë të Spitalin Amerikan Prishtinë

20
Sa herë jam pyetur nga njerëz të ndryshëm, ose kam dhënë intervista të ndryshme, gjithmonë kam shprehur krenarinë që jam nga Bulqiza, një zonë me njerëz shumë punëtorë, që kanë kontribuar shumë në të ardhurat vjetore të Shqipërisë, që nga koha e komunizmit. Kam dëshirë që të kontribuoj në ndihmë të pacientëve të rajonit të Dibrës dhe besoj se në të ardhmen, me hapjen edhe të tunelit të Murrizit të Rrugës së Arbërit mund të vij për vizita pa pagesë në rast se kërkohet nga institucionet shtetërore për pacientët që kanë probleme urologjike. Kjo është edhe një nga porositë e lëna nga babai im Pëllumb Xhafa, mua dhe familjarëve të mij para se të ndërronte jetë. Çdokush që ka hedhur themelet e njeriut që është sot duhet të kontribuojë për vendlindjen dhe për njerëzit e asaj zone

 

-Përshëndetje Dr. Xhafa. Tashmë që jeni bërë një nga më të njohurit kirurgë urologë shqiptarë, donim të dinim nëse ishte zgjedhja juaj Spitali Amerikan i Prishtinës?

-Unë kam studiuar në një qendër shumë të avancuar ushtarake ku çdo teknologji e re që dilte në Europë, sillej fillimisht në spitalin tonë në Gulhane Askeri Tip Akademisi (GATA) në Ankara, dhe kam pasur fatin që të punoj me urologë shumë të shquar në Turqi. Kjo është edhe arsyeja që pasi u ktheva nga specializimi po kërkoja një vend ku të kryeja vetë operacionet e reja që kisha mësuar kohët e fundit gjatë specializimit, ndaj kur mu ofrua pozicioni primar në spitalin e sapohapur në Prishtine doja të sfidoja dhe të tregoja vehten pas gjithë asaj experience të gjatë prej 15 vjetësh. Përveç kësaj doja të njihja nga afër shqiptarët e ngelur jashtë kufirit të Shqipërisë të rritur në një shoqëri më të hapur se ajo komuniste si e jona. Për këtë arsye fillova të punoj tre ditë në javë në Prishtine dhe tre ditë të tjera në Tiranë. Por pas një kohe udhëtimet me makinë u bënë të lodhshme dhe duhej që të vendosesha në një vend bashkë me familje, ndaj zgjodha të punoj në Prishtinë. Pas një kohe të shkurtër në Prishtinë gjeta një popull që megjithëse sapo kishte dalur nga një luftë e egër, kishin ditur të ruanin mirësjelljen dhe respektin ndaj njëri tjetrit dhe sidomos ndaj mjekëve dhe personelit shëndetësor. Më pritën shumë mirë dhe më pas arrita të krijoj besim te populli i Kosovës. Kam vazhduar punën dhe operimet prej vitesh dhe jam shumë i kënaqur me zgjedhjen që kam bërë.

-Sa operacione të ndërlikuara keni realizuar në vitit 2024?

Çdo muaj kryej rreth 300-350 vizita, dhe rreth 35-40 operacione të ndryshme.Nga këto raste rreth 25% e tyre janë me të vërtetë raste sfiduese për shkak se pacientët në rajon vonohen dhe vijnë kur problemi është zmadhuar më shumë se ç’duhet. Kjo është edhe arsyeja që jemi bërë një qendër shumë e mirë për urologji, sepse kemi trajtuar raste të veshtira dhe të rënda në bashkëpunim me ekipin e anestezisë dhe reanimacionit si dhe kolegëve të tjerë. Zakonisht trajtojmë raste të vështira me gurë në veshka, zmadhim të prostatës, probleme me infertilitetin, kancere në rrugët urinare si dhe probleme urologjike te fëmijët. Kemi raste nga gjithë rajoni e nga diaspora, si dhe operacione të personelit ushtarak të huaj në Kosovë. Këto raste më herët transferoheshin me helikopter në qendra ushtarake në Gjermani. Kohët e fundit asnjë rast nuk është dërguar për trajtim urologjik jashtë Kosovës për ndërhyrje. Kemi shumë shqiptarë që jetojnë në Gjermani, Zvicër, Finlandë etj, që vijnë për trajtim në urologji për shkak të kohës shumë të gjatë të pritjes në këto vende. Gjithashu kemi patur pacientë edhe nga Kanadaja, Anglia, etj, që kanë ardhur  për trajtim dhe ndërhyrje në klinikën e urologjisë në Spitalin Amerikan. Jemi një nga qendrat që kemi kryer operacionet e para për gurë në veshka me shpim (Nefrolitotomi perkutane), operacione me lazer për gurë në veshka, operacione me laparoskopi dhe shumë ndërhyje të tjera. Më herët pacientët largoheshin për ndërhyje të vogla në qendrat e Shkupit, Beogradit, Stambollit, por sot neve na vijnë pacientë nga vendet e tjera,. Javën e kaluar operova një pacient suedez të ardhur për ndërhyrje, i cili u kthye brenda tre ditësh në Suedi.

-Si e gjykoni nivelin e shërbimit shëndetësor në spitalet shqiptare dhe çfarë duhet ndrequr?

Unë nuk mund të jap ndonjë mendim profesional për spitalet publike në Shqipëri sepse nuk kam patur punë me menaxhim spitalor. Kam punuar vetëm si kirurg me pacientë me probleme urologjike, por nga eksperienca ime dhe e kolegëve në Turqi jemi në gjendje të japim këshilla të vleshme se si menaxhohej puna atje dhe si ishte hierarkia brenda spitalit. Wshtë një grup shumë i madh mjekësh të diplomuar jashtë që punojnë në institucione publike dhe private që mund t’u kërkohet që të japin mendimet e tyre për përmirësimin e kushteve dhe të gjendjes nëpër spitale. Por për shkak se spitalet në Shqiperi drejtohen nga njerëz që janë aktivë në parti politike dhe nuk kanë shkollimin e duhur për menaxhim spitalor, atëhere kjo çon në prishjen e ekuilibrit mjek-infermier-pacient dhe krijohen vazhdimisht probleme në funksionimin e spitalit dhe dhënien më të mirë të shërbimit mjekësor.

-Sa i lidhur jeni me vendlindjen tuaj Bulqizën?

Unë, sa herë jam pyetur nga njerëz të ndryshëm, ose kam dhënë intervista të ndryshme, gjithmonë kam shprehur krenarinë që jam nga Bulqiza, një zonë me njerëz shumë punëtorë, që kanë kontribuar shumë në të ardhurat vjetore të Shqipërisë, që nga koha e komunizmit. Kam dëshirë që të kontribuoj në ndihmë të pacientëve të rajonit të Dibrës dhe besoj se në të ardhmen, me hapjen edhe të tunelit të Murrizit të Rrugës së Arbërit, mund të vij për vizita pa pagesë në rast se kërkohet nga institucionet shtetërore për pacientët që kanë probleme urologjike. Kjo është edhe një nga porositë e lëna nga babai im Pëllumb Xhafa, mua dhe familjarëve të mij para se të ndërronte jetë. Çdokush që ka hedhur themelet e njeriut që është sot duhet të kontribuojë për vendlindjen dhe për njerëzit e asaj zone.

Dibra gjithmonë ka nxjerrë njerëz të shquar që kanë kontribuar shumë në mbarëvajten e vendit tonë dhe do vazhdojmë të jemi të tillë edhe për shumë vite. Me anë të prestigjiozes fjalaelire.com dua të përshëndes të gjithë njerëzit e zonës së Dibrës dhe veçanërisht minatorët e Bulqizës, të cilët rrezikojnë çdo ditë jetën në punën e vështirë që kryejnë. Një këshillë miqësore për të gjithë dibranët është që të mbajnë dhe të përkrahin njëri-tjetrin si dhe të ndihen mirë dhe të krenohen me sukseset e njerëzve që kanë origjinën nga ai vend i vogël, i ftohte por shumë i dashur.

Me përulje për të gjithë zonën: Kirurg Urolog Ajet Xhafa.

INTERVISTOI: HALIL RAMA