25 vjet “Oda dibrane”

1903

• Në këtë festival si për çdo vit mori pjesë edhe grupi folklorik i qendrës kulturore Bulqizë. Këtë vit atij ju bashkuan edhe grupe valltarësh nga zona e Martaneshit dhe ajo e Gollobordës të cilët performuan valle me motive të zonës së tyre si dhe kostumet e larmishme që përdorin

Për tre ditë me radhë, në datat 3, 4 dhe 5 Tetor është zhvilluar edicioni i 25-të i festivalit Oda Dibrane. Më shumë se 25 grupe me rreth 650 artistë mbushën rrugët e Peshkopisë dhe Dibrës së Madhe për tre ditë me rradhë. Oda Dibrane është festivali folklorik më i madh që zhvillohet në trevat Shqiptare. Në këtë festival marrin pjesë artistë nga të gjitha trevat Shqip folëse, dhe nga shtete të ndryshme. Ky festival është i veçantë pasi mbahet në dy shtete. Në Peshkopi (Shqipëri) dhe në Dibër të madhe në (Maqedoninë e Veriut). Këtë vit për të përshëndetur ishte ansambli shtetëror i Maqedonisë. Profesori i muzikës në Universitetin e Tetovës Jeton Pustina, anëtar i Jurisë, tregon se si u rrit Oda Dibrane dhe sot numëron 25 vite. Ai ka luajtur në edicionin e parë si kitarist, më pas ka qenë pjesëmarrës si drejtues i ansamblit të Tetovës, dhe sot si anëtar Jurie. Koreografi i Ansamblit të Shtetit Shqiptar Gëzim Alimehmeti, vlerëson prurjet e reja nga grupet konkuruese, pjesëmarrjen e të rinjve dhe kostumografinë e larmishme. Ky festival që nga krijimi ka menduar të risjellë në kohë folklorin e bukur, ritin, alegorinë, këngën alegorike të trevave apo zonave nga vijnë artistët, dhe këtë qëllim e ka arritur më së miri, duke i qëndruar peshës së kohës, ai sot është në vitin e 25-të Prof.dr. Isak Shehu dekan i fakultetit të muzikes në Tiranë thotë se janë kriteret strikte që Oda Dibrane ka vendosur nga fillimi që e kanë mbajtur, por edhe grupet e përzgjedhur me kujdes kanë bërë që publiku ta mbështesë maksimalisht. Për të përshëndetur në 25 vjetorin e Odës Dibrane këtë vit ishte Ansambli shtetëror i Kosovës “SHOTA”, i cili performoi përpara publikut artdashës Dibran, gjatë kohës që juria merrte vendimin për çmimet. Në fund në natën e tretë juria ndau disa mirnjohje për artistë, grupe apo këngë të ndryshme. Çmimin e parë e fitoi ansambli i Rugëvës nga Kosova, çmimin e dytë e fitoi Ansambli nga Mati, ndërsa çmimin e tretë e fitoi ansambli nga Reka e Epërme në Maqedoni, i cili u vlerësua edhe për kostumografinë. Drejtori i festivalit Veli Vraniçi tregon sa vështirë është të mbash një festival të tillë të këtyre përmasave.
Në këtë festival si për çdo vit mori pjesë edhe grupi folklorik i qendrës kulturore Bulqizë. Këtë vit atij ju bashkuan edhe grupe valltarësh nga zona e Martaneshit dhe ajo e Gollobordës të cilët performuan valle me motive të zonës së tyre si dhe kostumet e larmishme që përdorin.
Garues në festivalin mbarëkombëtar “Oda dibrane” 2019 ishte edhe ansambli “Mati”, i cili performoi natën e dytë të këtij festivali që u mbajt në pallatin e kulturës “Haki Stërmilli” në Peshkopi.

Oda Dibrane ka qenë porta e parë hyrëse e shqiptarëve nga matanë kufijve për në Shqipëri

Këtë vit, festivali Oda Dibrane zhvilloi edicionin e 25-të. Kjo jetëgjatësi e vazhdueshmëri ka ardhur për shkak të vlerave që sjell.
Oda Dibrane e ka zhvilluar edicionin e parë të saj në vitin 1994. Ishte një iniciativë e përbashkët e artistëve dibranë dhe e Shoqatave Kulturore artistike të shqiptarëve të Maqedonisë që kishin nevojë për më shumë hapësira për jetën e tyre artistike.
Ky festival, që nga ajo kohë, vazhdon pa ndërprerje. Edhe në vitin 1997, ky festival dha shprese në atë kohe se jeta vazhdonte.
Oda Dibrane në gjuhën popullore simbolizon dhomën e pritjes së mikut. Ajo është simbol i vatrës së besës e bujarisë, qëndresës e trimërisë së shqiptarëve, ku bëheshin dasma e kuvende, ku shpalosej urtësia e mençuria e këtij populli.
Oda ka shërbyer ndërkohë dhe si vendi ku thureshin e merrnin udhë këngët e bukura epike e lirike, ku pritej e përcillej miku i shtëpisë, ku përdorej fjala e urtë e dialogu alegorik.
Në këtë “Odë”, fjala kishte peshë shumë të rëndë. Jo më kot thuhej se: “kur të shkosh në odën e Dibrës duhet të marrësh me vete një metër, një kandar dhe një gjilpërë”.
“Unë kam mbaruar Universitetin e Oksfordit, por mbarova dhe një Universitet të dytë, atë të Dibrës”, ka shkruar studiuesi anglez Riginald Hibbert në gazetën “Albania Life”.
Festivali “Oda Dibrane” ka si qëllim të parë të bashkojë artistët shqiptarë, pavarësisht kufijve, me idenë që Oda Dibrane të jetë mikpritëse e Odës Shqiptare.
Është një takim specifik, origjinal në llojin e vet, jo vetëm në Shqipëri, por dhe më gjerë. Është takim i këngës e valles humoristike, riteve e lojërave popullore. Qëllimi është t’i rizgjojë këto vlera të papërsëritshme të kulturës tonë, t’i sjellë në kohë e t’i bëjë të asimilueshme për publikun e kohës.
Specialistët më të mirë në këtë fushë e kanë quajtur këtë festival një zbulim dhe kontribut të çmuar në traditën e kulturën shqiptare, si festivali më i rëndësishëm në Shqipëri në fushën e traditës, pas atij të Gjirokastrës.
-Në shkallë kombëtare pasuron me origjinalitet larminë e evenimenteve artistike që zhvillohen në vendin tonë
-Bashkon në një festë të vërtetë artistike popullore, artistë e studiues nga të gjitha trevat shqiptare për të promovuar një mozaik të pasur të trashëgimisë kulturore, artistike, folklorike.
-Pasuron jetën kulturore artistike të qytetit të Peshkopisë, duke edukuar në brezat e rinj thellësinë e mendimit të “shkollës së Dibrës” mikpritjen, bujarinë, artin fin të fjalës, të këngës e valles dibrane.
Festivali “Oda Dibrane” për seriozitetin e organizimit dhe të zhvillimit gëzon statusin e respektuar të 25 viteve.
Në këto 25 vite kanë marrë pjesë mbi 130 grupe e shoqata artistike. Kanë interpretuar mbi 8 000 artistë.
Të gjithë emrat e shquar të artistëve popullorë të trevave shqiptare kanë marrë pjesë në këtë festival. Që nga i mirënjohuri, artisti dibran Hazis Ndreu e me radhë Ndue Shyti, Frok Haxhia, Bujar Qamili, Ilir Shaqiri, grupi çam, Arif Vladi, Liri Rasha, Vera Laçi; grupet polifonike shoqëritë artistike e kulturore nga Vlora, Saranda, Gjirokastra, Berati, Fieri; Korça, Kukësi, Puka, Lushnja, Elbasani, Shkodra, Kolonja, Prishtina, Gjakova, Prizreni, Shkupi, Kumanova,Tetova dhe e gjithë Maqedonia, Ulqini, Presheva, Medvegja e Bujanovci etj.
Nuk ka trevë nga Shqipëria apo trojet shqiptare përtej kufirit që nuk ka marrë pjesë të paktën një herë në “Odën Dibrane”.
Oda Dibrane ka qenë porta e parë hyrëse e shqiptarëve nga matanë kufijve për në Shqipëri.