Skënder Cala – “Mjeshtër i Madh”, në gjerdanin e artë të kulturës kombëtare

1247

Ky event i organizuar nga Shoqata “Bashkësia Dibrane” dhe Shtëpia Botuese “M & B” të dielën e 10 Nëntorit, u moderua me mjeshtri të rrallë artistike nga prof.dr.Bujar Kapexhiu – “Nderi i kombit”

 

Sakip Cami

Me prezencën e ish-Presidentit Bujar Nishani dhe të elitës së artistëve të skenës, ekranit e muzikës, si: Robert Ndrenika, Guljem Radoja, Dervish Biba, Zef Çoba, Edmond Zhulali e Arif Vladi u promovua libri i 15-të i publicistit dhe shkrimtarit Haliil Rama, “Në gjerdanin e artë të kulturës kombëtare”. Ky libër i kushtohet artistit të mirënjohur Skënder Cala, regjizor, këngëtar, aktor, që ka interpretuar përkrah të mëdhenjve Sandër Prosi, Marie Logoreci, Stavri Shkurti, Rajmonda Bulku, etj, në filmat e ish-Kinostudio “Shqiperia e Re”, “Skënderbeu”, “Çeta e Vogël”, “Bardhësi”, “Përballimi”, “Kërcënimi”, etj., që ka themeluar Teatrin Profesionist të Peshkopisë ku ka vënë me sukses dhjetra premiera si regjisor dhe aktor, në kuadrin e 80-vjetorit të lindjes.
Me këtë rast në sallën e madhe të Muzeut Kombëtar, qindra personalitete të artit, kulturës e letrave ndoqën me interes e vëmendje edhe dokumentarin me të njejtin titull të autorit Halil Rama. Dukumentari qe mjaftë mbresëlënës për faktin se artistë të njohur evidentonin vlerat e Skënder Calës si këngëtar, regjisor e aktor, ndërsa në mbyllje jepen çaste nga dekorimi i tij me titullin “Mjeshtër i Madh”, ku Presidenti i Republikës Bujar Nishani, pasi vlerëson aftësitë artistike dhe ato njerëzore të këtij artistit që janë shijuar edhe vlerësuar si brenda edhe jashtë vendit shprehet se: “Vlerat e Skënder Calës shkojnë përtej kontributit të artit shqiptar. Ai mbi të gjitha kontribuoj në zbulimin e artistëve të rinj, i cili i përgatiti duke ju dhënë shumë nga vetja e tij, në mënyrë që ato të ishin të përgatitur për të konkuruar në skenën e artit shqiptar por edhe më gjerë. Dhe sot ata, duke ecur në hapat e mjeshtrit të tyre, profesorit të tyre kanë një emër në jetën artistike si brenda ashtu edhe jashtë vendit”.
Ky event i organizuar nga Shoqata “Bashkësia Dibrane” dhe Shtëpia Botuese “M & B” të dielën e 10 Nëntorit, u moderua me mjeshtri të rrallë artistike nga prof.dr.Bujar Kapexhiu – “Nderi i kombit”.
Për vlerat e librit dhe të dokumentarit folën: znj.Dhurata Çupi – ish deputete e PD, piktori i mirënjohur Buron Kaceli – ish nënkryetar i Bashkisë Tiranë; administratori i Shtëpisë Botuese “M&B” Bujar Karoshi, redaktori i librit Ramazan Kica dhe reçensentja dr.Gidiola Hysa.
Pas interpretimit të këngëve me motive dibrane nga këngëtarët e talentuar Vera Laçi e Sherif Dervishi, pjesëmarrësit i përshëndeti protaagonisti i këtij eventi, artisti 80-vjeçar Skënder Cala. Ai tha se monografia “Në gjerdanin e artë të kulturës kombëtare”, veç të tjerash prezanton jetën artistike të një qyteti, në të cilin gumëzhuan qindra amatorë e profesionistë, që në 40 vite mbajtën gjallë jetën artistike të Dibrës në përgjithësi e të Peshkopisë në veçanti.
“Në këtë 80-vjetor të ditëlindjes time, Zoti më la dhe më freskoi memorien, për të dëshmuar për bashkëkohësit e mi artistë, që me kontributin, sakrificat dhe emocionet e tyre, bënë që Dibra të gëzonte në dekada, 4 trupa profesioniste: Estradën, Teatrin e Kukullave, Ansamblin gjysëm profesionist dhe në Maj 1984, Teatrin Dramatik – trupa artistike profesioniste këto që bënë emër edhe në shkallë Republike”, tha ndër të tjera z.Cala.
Në këtë rast kaq solemn, ai u bëri homazh artistëve që nderuan vehten dhe Dibrën me artin e tyre, por që nuk i kemi më midis nesh: Shkondranit Tefë Krroqi, Tonin Rrota; Munir Shehu; Adil Shehu; Hazis Ndreu; Vera Nura; Hiqmet Elezi; Muharrem Zajmi; Fatime Bojaxhiu; Haxhi Mata; Bajram Mata; Izet Dardeshi; Xhevat Fana; Vehap Isaku; Ymer Seferi. Duke mos u ndalur tek të gjallët artistë dibranë që kanë “pushtuar” skenat, jo vetëm brenda por edhe jashtë vendit, Z.Cala falenderoi dashamirësit e tij, që me urimet dhe përgëzimet e sinqerta i ngrohën shpirtin në këtë 80-vjetor të ditëlindjes dhe të gjysëm shekulli martese me Ferihanë, njëkohësisht dhe bashkëpunëtore e tij.
Një falenderim të veçantë ai bëri për autorin e librit monografik Halil Rama – gazetar & publicist dhe prej disa vitesh shkrimtar – autor i 15 librave, në të cilët i bën jehonë historisë tonë, të luftrave dhe të punës…dhe jo vetëm të Dibrës. “Falenderimi ndaj tij është i pafund, ashtu sikurse dashamirësia e tij për artistët e Dibrës, ka qenë dhe ka mbetur pa kushte dhe pa interesa. Urtësia e tij prej gjurmuesi e hulumtuesi ndaj vlerave kulturore, artistike dhe historike, bëri që me librat e tij të rrënjosen në memorien tonë përjetësisht dhe në funksion të edukimit të brezave”, u shpreh “Mjeshtri i Madh” Skënder Cala.
Pasi falenderoi edhe shokët dhe miqtë që bashkëpunuan me autorin H.Rama dhe që ndihmuan që monografia dhe dokumentari të marrin jetë, ky artist i madh i skenës dhe ekranit, mes emocionesh të papërshkruara u shpreh se “Dashuria dhe përkushtimi i derdhur në faqet e këtij libri më shton adrenalinën për të qenë aktiv edhe në të ardhmen”.