Pasiguria e jetës, kërcënim serioz për sipërmarrësit shqiptarë

871

Hektor MORINA

 

Për shqiptarët jeta po bëhet gjithnjë e më e pasigurtë. Madje pasiguria e jetës, kërcënimet ndaj sipërmarrësve e qytetarëve të thjeshtë nga eksponentë të krimit të organizuar, mafia e lidhur me qeverinë, po i detyrojnë shqiptarët të braktisin atdheun e tyre, në kërkim të nje jetë më të qetë e të sigurtë.

Pikërisht për të shpëtuar prej kësaj tragjedie kombëtare më shumë se 500 mijë shqiptarë kanë braktisur vendlindjen e tyre këto gjashtë vitet e fundit të qeverisjes së pseudomazhorancës së majtë.

Sipas INSTAT-it, nga viti 2011 deri më 2017, janë larguar nga Shqipëria 330 mijë shqiptarë si emigrantë. Po aq është shifra e të larguarve edhe këto dy vitet e fundit. Dhe nuk është vetëm kriza ekonomike pa rrugëdalje që i detyron shqiptarët të largohen, por kërcënimet e hapura, persekutimi e përndjekja politike si në kohën e diktaturës. Shembujt janë të shumtë… Si të mos mjaftonte politika arbitrare e qeverisë ndaj biznesit me taksat e larta e gjobat marramendëse, përfaqësues të sipërmarrjes shqiptare përballen me kërcënime të formave nga më të sofistikuara deri tek ato më të thjeshtat. Shteti ka falimentuar para krimit.

Vetëm në ditët e para të janarit 2020 u ekzekutuan barbarisht dy biznesmenë të njohur. Pronari i një lokali dhe pike karburanti në Tropojë, Guxim Gjyriqi, 47 vjeç, është vrarë më 5 janar me armë zjarri para lokalit të tij që ndodhet në rrugën e spitalit të qytetit Bajram Curri.

Dy ditë më vonë, Rrësheni u trondit kur u ekzekutua në qendër të qytetit biznesmeni Kastriot Reçi, ortak në televizionion lokal “Media Plus” që operonte deri në vitin 2018.

Pa kaluar as katër javë, një tjetër ngjarje krininale në Bulqizë, ku gjendet i hedhur në një kanal biznesmeni i njohur i kromit Murat Duriçi, i cili më pas vdiq në spital. Tre ngjarje tejet të rënda kriminale ende të pazbardhura nga policia vetën brenda një muaji.

Vetëm para disa muajsh, 20 plumba u qëlluan ndaj 35-vjeçarit Ferdinand Polia, pronari i një bujtine në zonën e Thethit. “Nardi i bujtinave”, siç njihej ndryshe 35-vjeçari, i cili ishte edhe punonjës në Administratën e Zonave të Mbrojtura, është qëlluar me armë teksa po udhëtonte me fuoristradë, së bashku me një person tjetër, në fshatin Grudë.

Janë të njohura gjithashtu atentati me eksploziv në Durrës para disa vitesh ndaj  biznesmenit Xhemal Çela që humbi jetën. Po ashtu vrasja pas një shpërthimi me eksploziv e biznesmenit Baki Xhabafti në Vorë, si edhe në Shkodër vrasja e biznesmenit Ndue Cuni,  nga vrasës të dyshuar me pagesë.

Opinioni publik është trondur nga vrasja ende e pazbardhur edhe pas disa vitesh e biznesmenit të mirënjohur Artan Santo – bankierit dhe biznesmenit të disa mediave, në zemër të kryeqytetit shqiptar, që ka treguar se mafia ka gjetur terren dhe po fuqizohet, duke triumfuar herë pas here ndaj shtetit. Janë edhe dhjetra raste të tjera vrasjesh biznemenësh në Shqipëri, si në Fushë-Krujë ku është vrarë biznesmeni i kromit Gjin Nika, etj, etj.

Këto vrasje tregojnë se mafia shqiptare është sofistikuar, përdor vrasës profesionistë me pagesë të sjellë nga jashtë apo edhe vendas, të cilët paguhen me dhjetëra mijëra euro për të goditur biznesin. Dhe pothuajse të gjitha kanë qenë vrasje të paralajmëruara me shantazhe e kërcënime paraprake, në forma të ndryshme.

Në këtë situatë biznesi shqiptar njehet krejt i pasigurtë.  Për këtë flet fare qartë edhe rasti i biznesmenit të njohur Afrim Laçi që ushtron aktivitetin e tregtisë me shumicë dhe pakicë mobilje, shitje gjeneratorësh, materiale ndërtimi, makina dhe grumbullim skrapi në një segment të rrugës Kamëz-Fushë Krujë. Ky biznesmen i njohur që ushtron aktivitetin tregtar prej 10 vitesh është detyruar të depozitojë dy kallzime penale në Prokurorinë e rrethit Tiranë për kërcënimet që ka marrë nga muaji tetor 2019 e në vijim nga persona të paidentifikuar, që siç duket e konsiderojnë atë konkurrent të fortë. Me thirrje telefonike pa shfaqje të numrit hyrës (me fshehje), në orë të ndryshme të natës dhe të ditës i kanë ardhur kanosje e kërcënime me jetën e tij dhe të familjes së tij, duke i kërkuar të mbyllë aktivitetin e biznesit, ndryshe do ta vrasin atë apo edhe pjestarët e familjes së tij. Është vërtetë tronditës ky fakt i kërcënimit të hapur të z.Laçi, një biznesmen i suksesshëm dhe mjaftë korrekt në marrëdhëniet me publikun dhe të tretët. Atë e karakterizon ndershmëria e përkushtimi qytetar, por siç duket “dikush” kërkon ta zbojë ose ta detyrojë të mbyllë aktivitetin, duke e kërcënuar me metoda mafioze.  Të drejtosh një biznes është një punë komplekse që përfshin financën, shitjet, komunikimin, pronësinë intelektuale, krijimin e produkteve, kulturën e kompanisë, marketingun, zhvillimin e teknologjisë etj., etj.  Pikërisht këto aftësi i ka perfeksionuar në vite Afrim Laçi, por tashmë ai, i kërcënuar me jetën e tij dhe të familjes është në dilemën e mbylljes apo të shpalljes së falimentit të biznesit të tij.

Si Afrimi, në forma të ngjashme janë edhe dhjetra biznesmë tjerë të kërcënuar e në këto kushte ata detyrohen ta mbyllin ose të shpallin falimentin e aktivitetit.

Në këto kushte kur ekonomia shqiptare është më e dobët se kurrë ndonjëherë tjetër edhe biznesi është më i kërcënuar se kurrë ndonjëherë. Për të, shteti ligjor po zëvendësohet me atë të bandave kriminale.

Vetëm para disa muajsh dy kriminelë të njohur kanë gjobitur një biznesmen nga Durrësi me inicialet N.L, të cilit i kishin kërkuar 50 mijë euro.

Ja pra pse e braktisin Shqipërinë biznesmenët shqiptarë.

Krimi mafioz dhe politik në Shqipëri ka dal hapur që në fillimet e tranzicionit demokratik. Rastet më flagrante janë vrasja  në maj 1995 e  Abaz Ullirit, biznesmen i prodhimit të mobiljeve si i disa të tjerëve….

Vetëm pas zgjedhjeve vendore të 30 qershorit 2019 në Shqipëri, pesë kryetarë bashkie kanë dalë qartë me rekorde kriminale, disa prej tyre ende të pashkarkuar pasi kryeministri shqiptarë nuk guxon t’i shkarkojë ata edhe përpara fakteve tronditëse të turpshme të kriminalizimit të tyre.

Po ashtu janë 4 drejtorë, 4 oficer policie, denoncues të fortë, luftëtarë në vijë të parë me trafikantët që kanë denoncuar të vërteta tronditëse, të cilët u kërcënuan, u shantazhuan dhe u detyruan të lënë Shqipërinë. Dhe gjithë këto kërcënime e shantazhe dhe ky presion për fajin në “thonjëza” sepse denoncuan trafikantët.

Shqiptarët, në historinë e shtetit të tyre nuk mbajnë mend qeveri më të korruptuar dhe më kriminale se sa kjo e kryeministrit Edi Rama e këtyre gjashtë viteve të fundit.

Në shtator të 2019, një person i panjohur kërcënoi shkrimtarin dhe avokatin e tij Kujtim Cakrani përmes një mesazhi në Facebook.

Rreth 6 muaj më parë, eksponentë të njohur kërcënuan shkrimtarin e mirënjohurt Agron Tufa. Ai në funksionin e Drejtorit të Institutit të studimeve të krimeve të komunizmit, gjatë kësaj kohe, ka patur përplasje, edhe me deputetë socialistë, ndërsa ka mbështetur padinë ndaj ish-komandantit të burgut të Qafë-Barit, Edmond Caja, i akuzuar për dhunë sistematike ndaj ish-të burgosurve.

Dhjetëra tender u ndahen kriminelëve të denoncuar publikisht në median shqiptare edhe në mediat ndërkombëtare. Të gjitha këto janë fakte. Pra është një kriminalizim me fakte tronditëse që flasin vetë, që ulërasin vetë, por të padënuar për shkak të kapjes së drejtësisë në mënyrë kriminale nga mazhoranca e udhëhequr nga i njëjti kryeministër, i cili sot mbas 7 vitesh kujtohet dhe flet sot për kriminalizimin, mbasi kriminalizoi dhe votimet ku votoi vetë, numëroi vetë dhe nxori rezultatin vetë.

Këto janë arsyet e mëdha që nuk ka dhe nuk si të ketë investime të huaja në Shqipëri, e për të cilat dhe biznesmenët shqiptar për mungesën e sigurisë në vend detyrohen ti lëvizin investimet e tyre dhe t’i çojnë dhe të investojnë në vende të tjera dhe në vende fqinje si Maqedonia e Veriut dhe Kosova, vetëm e vetëm se Shqipëria nuk ofron asnjë siguri për shkak të kriminalizimit të jetës së vendit, të policisë, të drejtësisë, të zyrave të shtetit, të dhjetëra drejtorëve, nga të cilët kanë hyrë dhe kanë dalë vetëm në 2 vitet e fundit pafundësisht. Dhe këto janë fakte.

Shoqëria shqiptare ka një problem të madh me bashkëjetesën dhe tolerimin e krimit. Shkaktarët e nivelit të lartë të krimit janë shumë duke variuar nga dobësia e institucioneve shtetërore,

Në gjithë këtë tablo të gjendjes së krimit në Shqipëri, gjatë 25 viteve të demokracisë shqiptare, shteti, ligji dhe politika jo vetëm që nuk e kanë luftuar atë, por kanë qenë dhe janë bashkëpuntorë dhe përfitues të shërbimeve të tyre.

Është fatkeqësi e madhe për Shqipërinë, kur qytetarët e saj e konsiderojnë atdheun një vend të përkohshëm! Vargu i atyre që ikin nga ky vend nuk mbaron dhe popullsia e atdheut tonë tkurret e tkurret, përmes një dukurie që gjithashtu nuk paska fund.