POEZI E BURUAR NGA DAMARËT E TOKËS

1982
Zanafilla e universit artistik, të mjeshtrit të fjalës artistike, Zeqir Hysa, i ka fillesat në burimet e pashtershme karstike të maleve të Gollobordës, të cilat rrjedhin në thellësitë e muzës gurgulluese të këtij poeti, brenda kodeve normative të ligjërimit të tij letrar, të gjuhës artistike dhe strukturës së tij kompozicionale. Duhet theksuar se ky univers artistik, të jep mundësinë të studiosh shtigjet ku ka shtegtuar pena e poetit për realizimin me sukses të përmbajtjes artistike të veprës, nga pika më e lartë e saj, deri në thellësitë e shtresave, ku shpërthen magma e shpirtit të tij lirik e rebel. Përmasat e forcës së fjalës artistike, që natyrshëm kapërcejnë kufijtë e së zakonshmes, në aspektin filozofik, si dhe oazi me figuracione letrare, që mbartin tonalitetin e veprës, e bëjnë këtë univers poetik, të fitojë bukuritë piktoreske, magjinë e natyrës së virgjër të atyre maleve me histori epike, që poeti Hysa, i kanë shtruar sofrën e lashtësisë, me ujin që rrjedh nga zemra e Koritnikut dhe derdhet në lugun e arave të zallit të Ostrenit të madh, duke sjellë me vete jo vetëm përtëritjen e jetës, por dhe grumbuj idesh fabulistike, të cilat poeti Hysa i përdor, për të formuar një trajtë të re poetike, në formatin e universit të tij artistik.”/ Mbi majën e malit Krijoshi, borëngjeshur,/Emrin tënd atdhe, si gollobordas, kam çimentuar/”. Nëse i kushtojmë vëmendje të veçantë këtyre vargjeve, do të ndiejmë jo vetëm peshën e ekzistencës se atyre maleve, por dhe ndjenjën e krenarisë kombëtare, që spikat ndjeshëm, si në këto vargje, por dhe në shumë poezi të këtij vëllimi poetik.
Poeti Hysa ,e sjell vargun poetik si krijim piktorik, imagjinativ e plotë fantazi kreative, me tinguj të ngrohtë lirik ,të cilin lexuesi e kupton dhe e ndjen përmes aftësisë së tij përfytyruese, si tek vargjet e poezisë lirike ”Lirikë…”: “/Kohë dimri. Çdo gjë duket e larë,/me trëndafila bore në parvaz./Të gjitha andrallat tona dashurore,/I lamë si kujtime ne kafaz…/”.
Autori Hysa me individualitetin e tij poetik, dëshmon se është poet me ndjesi të veçanta konceptuale e gjerësi mendimi, në thelb të të cilit qëndron filozofia, që ngjall përfytyrime shumëshqisore te lexuesi, për të zhbiruar thellësitë e vargut, në kërkim të perlave shpirtërore, të cilat i mbushin boshllëkun e përditshmërisë, apo të ndiejë dozën e fortë të hidhërimit a trishtimit apokaliptik, si tek poezia “Heshtje”:”/Ngrirë heshtja jote,/Si stalagmite prej akulli,/Që një vit s’të shkrinë,/Që po i përcjell, me funeral ditët e trishta… /Mungesë jete, mërzi akulli./Fjala, që e ftohur, ilaç kërkon./Dhe si heshtje prej varri,/qivure kristali, më dërgon…/”.Siç shihet dhe nga raporti që kjo poezi krijon me lexuesin, poeti Hysa është mjeshtër në krijimin dhe vizualitetin e figurës, jo vetëm si nocion abstrakt, por edhe konkret, që gjatë procesit të krijimit, fiton format e saj metaforike dhe cilësi alegorike, duke vënë në lëvizje veprimin dramatik, që përcjellë idenë, se nga heshtja e ftohtë e fjalës, që i ngjan stalagmiteve prej akulli, përgatiten qivure kristali.
Siç e theksova edhe më sipër, poeti Zeqir Hysa, di të përzgjedh me delikatesë materialin fabulistik, por dhe ndjesitë që prekin thelbin së bukurës, që venitet nga klithma kumbuese e urisë dhe e trishtimit të pamatë migjenian. Ja si shprehet Ai,në vargjet e poezisë lirike: “Zogu i uritur”: “/Rrëmujë, fjolla të bardha dëbore bien./Qilimin e natyrës pa kuptuar qëndisin,/I ftohti acar, piklat në kristale, i kthen./Një zog pushëbardhë në dritare vjen,/çukit xhamin me mirësi,/në këtë kohë acari, më kërkon miqësi./Nga acari kënga në sqepin e vogël i ngeci…/”.
Si poet i ndjesive të holla poetike, Zeqir Hysa, arrin të përcjellë me finese brenda vargut jo vetëm ethet e natyrës, por edhe ethet e dashurisë, që shkundin e drithërojnë thellësitë e shpirtit njerëzor, me tone të theksuara dramatike. E gjitha kjo dhembje shprehet artistikisht në mënyrë madhështore, rreth së cilës plekset fati vetjak i heroit lirik, ku ruhen notat e dashurisë së humbur, si tek poezia ”Ethe Vjeshte”:”/Kam ethe, në këtë ditë vjeshte./Kam ethe këtu,në bash të shpirtit,/në tik- takun e dashurisë./Ligështimi pemëve vjeshtore,/në shpirtin tim vizitore/”Një persiatje, mendimi të hollë,/ku pika loti koha lëngëzon./Ose, vesë e tejdukshme jete./Kam ethe, një drithërimë pendese,/për kthimin e freskut, nga vjeshta, që paralajmëron dimër./Ndjenjë ironie jeta në natyrë./Shoqëri mes ngjyrash, kur ngjyrat s’kanë, ngjyrë…/”.
Furtuna e ndjesisë së mallit i prish kufijtë kohor  në shpirtin e njeriut,i kthehen në një kohë të përjetshme. Rigëtima e mallit mund të krahasohet me flladin e pranverës që gjarpëron pa shkak në thellësitë e shpirtit dhe djeg e përvëlon, më shumë se një mijë diej të zjarrtë. Dhe pse malli ka detaje të pashpjegueshme sikurse vetë jeta, atmosfera e ndjesive të këtij malli në poezinë ”Mall”,herë vjen si një pëshpërimë, a ledhatim dashurie e herë si ankth e breg që nuk tret asnjë përbërës natyror, sado i fuqishëm qoftë. Këto ndjesi përforcohen akoma më shumë nga metaforat mbresëlënëse, të ndërtuara brenda një imazhi pothuaj piktorik, duke përcjellë ndijime e emocione të fuqishme tek lexuesi:”/Tek bie nata ,/ku kufiri i syrit me qasjen treten,/e fëshfërima dehëse e erës,/lëkurën time gërget./ Ti si një yll që vetëm tretet, ngadalë,/nëpër terrin e natës zbret,/e ankthi im,struket në zemër,/si manari i trembur,që lëshon kopenë…/”.
Duke gjurmuar në thellësi vargjet e poetit Hysa, njohim filozofinë meditative, që kërkon të njohë jo vetëm të fshehtat e natyrës, por edhe të shpirtit njerëzor që lufton për mbijetesë dhe ëndërron për një jetë më të mirë, në një vend ku drejtësia dhe çdo gjë është përmbysur. Me aftësinë e vëzhgimit të mprehtë ndaj fenomeneve negative të kohës, ai shpreh me nota melankolike skepticizmin ndaj realitetit të kohës, rënien morale dhe dekompozimin e shoqërisë. I vetëdijshëm, ngre zërin deri në zenit për fatet e kombit, por thellë në shpirt e frikëson përgjumja letargjike e një populli të tërë. Apokalipsin e kësaj gjendje tragjike e ka kritikuar e fshikulluar ashpër në poezinë ”Bulqizë e kromit vdekjeprurës…”:”/Të ikën truri, ky vend minatori,/sa kufoma fatkeqe të burgut mori./Një grusht me krom, një grusht me dhe’,/për bosët pasuri nga shfrytëzimi u bë./Për afro më shumë se gjysmë shekull,/Kromi më tepër se lufta njerëz ka vdekur./Këtu toka e nëntoka, pjell çdo pasuri,/krenohet Bulqiza, për krom dhe varfëri… /Pak krom, pak krom, thellësive kërkojnë./Fëmijët e vegjël, me kova ngarkuar,/Për pak bukë kromi, jetën shkatërruar./Poema e Migjenit, këtu ka zënë vend,/po njerëzit e varfër, s’kanë zënë mend…/”.
Dramën e madhe njerëzore ,pikëllimin dhe dhimbjen për fatin njerëzor, autori Hysa, e shpreh me thirrjen “Hapu qielli blu “,në poezinë “Sikur…”,me dëshirën e madhe për të jetuar çastet kimerike që i fal jeta, deri në ditën e prehjes së madhe. I kthjellët, ngushëlluar nga fryma e mjeranëve i lutet qiellit t’a godas me shuplakë, i përgjërohet dëborës së ftohtë t’i puth kurrizin e dorës që t’i lëviz gjaku në damarë dhe shpirti të gurgulloi dashurinë parajsore. Kjo qëndresë stoike për ringjallje, e vënë përballë mjerimit dhe fatit njerëzor, mbart bukurinë dhe madhështinë e artit të këtij mjeshtri të fjalës artistike, që pa asnjë dilemë, të nxit për ekzaminim më të thellë të universit të tij artistik e shpirtëror :”/Hapu qielli blu,/mjaftë, se u lodhe i fshehur,/në gërmadhën e ëndrrës./Dhe s’jam i vetëm fillikat,/në këtë copë të botës,/se mijëra gjëra më rrethojnë,/si pikël uji në mes të gotës./Këta njerëz, këto shtëpi,/këta male, kjo kaltërsi,/Ah, ç’katandi, ç’varfëri,/Le të më pushtojë era e tufani,/kur të më ngushëlloj me frymë mjerani,/le t’më fus shuplakë qielli yjeshumë,/me mua idhnak, në lëvizje e në gjumë./Vetëm pak hapësirë, në agim të marr,/Me puth në kurriz të dorës,/të më lëvizë gjaku nëpër damarë sikur më ke falur,/dashurinë e parajsës që ditën e parë!…/”. Klithma e poetit është saga tronditëse dhe realiste e varfërisë së tejskajshme që ka shtrirë kthetrat e vdekjes, jo vetëm në viset e Gollobordës, por në të gjithë vendin. Në këto vise nga kanë dalë njerëz të mëdhenj ,si kryeministri turk Mustafa Qemal Ataturku dhe një pafundësi kuadrosh të lartë me tituj e doktoratura, njerëz të thjeshtë punëtorë e gurëgdhëndës mjeshtra duarartë, prej të cilëve dikur jehonte shprehja legjendë :”Po të digjet Stambolli  e ndërton Golloborda “, kurse sot, shkërmoq majat e thepisura të maleve shekullor, shprehja tronditëse:”Nëse digjet Stambolli e ndërtojnë Gollobordasit, po nëse digjet Golloborda, kush do e ndërtojë ?…”
Si përfundim mund të shprehem, se universi artistik, i autorit Zeqir Hysa, me strukturë artistike unikale, ka në thelb parime estetike, që janë elementët bazë të artit të mirëfilltë, përmes  të cilave finalizohet artistikisht uniteti dhe filozofia e këtij universi magjiplotë. Gjuha e thjeshtë, stili i rrjedhshëm e lakonik, shprehësia tingullore e figuracioni i pasur letrar, u japin vargjeve lirizëm të theksuar mbresëlënës, duke bërë që poezia e autorit Hysa, të ketë imazhe sugjestionuese, e të cilësohet poezi moderne.
Kam mendimin se ky vëllim poetik ka forcë për të përcjellë fuqishëm botën shpirtërore dhe filozofinë e poetit për jetën, dashurinë e dhimbjen njerëzore, ka magjinë për të depërtuar thellë në shpirtin dhe neuronet e trurit të lexuesit. Si i tillë, arkitektura e ndërtimit të tij është e larmishme, e denjë për të qenë pjesë e letërsisë së sotme bashkëkohore moderne.
 Mimoza Çobo – Poete, kryetare e Shoqatës 
Letrare-Artistike ”Princ Muzaka”