Të gjithë së bashku për Kushtetutën, për të ardhmen…

848

Prof. Bujar Kapexhiu
Nderi i Kombit*

Të nderuar motra dhe vëllezër, bashkatdhetarë të mi të çmuar e të shtrenjtë!
Jemi mbledhur sot këtu së bashku për dy veprime, për dy detyra: të mbrojmë dhe të mos pranojmë. Për mbrojtje të ligjit, të së vërtetës, të progresit e të moralit; dhe më shumë kundër së keqes, regresives, gënjeshtrës e babëzisë.
Nuk kam qenë kurrë anëtar i ndonjë partie politike e nuk do të jem kurrë. Por, në të njëjtën kohë, në çaste të veçanta jam ndjerë njëkohësisht edhe demokrat edhe socialist, republikan, legalist e ballist. Pikërisht në ato çaste kur është fjala dhe veprimi vetëm në të mirë të Shqipërisë, vetëm në interes të atdheut tim.
Përherë në jetë kam hedhur hapin sipas një divize: “Jam me të gjithë e kundër të gjithëve.” Ja dhe sot, në këto çaste jam me të gjithë, me të gjithë ju që jeni në mbrojtje të ligjit, të Kushtetutës, në mbrojtje të dokumentit themeltar të shtetit të lirë e demokratik. Jam njëkohësisht kundër të gjithë atyre që tentojnë të prekin, shkelin, deformojnë, falsifikojnë e tjetërsojnë ligjet themelore për interesa të ngushta personale apo të një grupi të caktuar.
Ne morëm më të keqen e diktaturës dhe po shpikim më të keqen e demokracisë. Ne kemi zgjedhur t’i japim këtë pamje Shqipërisë. Por, edhe nëse nuk e kam zgjedhur unë, e ka zgjedhur një miku im, një fqinji im, apo dikush tjetër që nuk është këtu sot. Ai është unë. Ai donte që Shqipëria të ishte kjo. D.m.th. unë kam zgjedhur që Shqipëria të ishte kështu. Unë kam ngrënë 1 milion shuplaka, që vendi im të ishte ky dhe ne kemi dhënë 1 milion shuplaka që ta bëjmë Shqipërinë këtë që është sot.
Pse duhet të themi shuplakë për humbësit e nuk themi 1 milion puthje për fituesit?
Mallkuar qoftë ai që shpiku shuplakën!
U bëj thirrje të gjithë intelektualëve partiakë, intelektualëve të pavarur, intelektualëve të vërtetë, të mençur e patriotë, që, të gjithë së bashku, të mbrojmë atë që është e drejtë, e vërtetë, e ligjshme, të mbrojmë Kushtetutën. Të gjithë ne, ne që jemi sot këtu në shesh e të gjithë ata që ndodhen kudo brenda kufijve të Shqipërisë, jetojmë, marrim frymë mbi një grumbull gërmadhash të gënjeshtrave të mëdha. Tani ne jemi një vend i lirë e demokratik, gënjehemi, jemi vend demokratik çalaman me gunga diktatoriale. Jemi një vend pluralist, gënjehemi, jemi një vend njëpartiak. Jemi një vend me progres ekonomik, gënjeshtër! Jemi vendi më i varfër, më i rrënuar, më i sfilitur, çdo ditë në braktisje… çdo ditë drejt boshllëkut.
Në çdo fushatë elektorale, gënjehemi. Në çdo kongres, gënjehemi. Në çdo intervistë, apo seancë parlamentare vetëm gënjejnë. Politika e mbushur me pinokë gënjeshtarë hundëgjatë. Prandaj, miqtë e mi, ju bëj thirrje: Mos u gënjeni! E vërteta mbrohet vetëm nga zëri juaj, nga vullneti juaj, gjoksi, shpirti, e, pse jo, po të jetë nevoja dhe nga grushti juaj. Të gjithë së bashku të veprojmë për të vërtetën, për Kushtetutën.
Politikanë të të gjitha ngjyrave, formave apo kallëpeve, të shkurtër e të gjatë, të gjithë atyre që tashmë janë të shënjuar, injorantë e bastardë, hajdutë e kriminelë, gënjeshtarë e të babëzitur, sharlatanë, mjaft më! U bëj thirrje të braktisin karriget politike të vjedhura, se ndryshe do të përballen me zemërimin e sovranit e të na lënë të lirë e të qetë të jetojmë e të gëzojmë begatinë e këtij vendi ku lindëm e duam të vdesim.
Ky është një podium që e ka ngritur këtu presidenti Ilir Meta. Herë tjetër ka qenë i Sali Berishës, i Edi Ramës, i Lulzim Bashës… Pikërisht këtu, pikërisht për të njëjtën arsye, për të mbrojtur demokracinë. Po ç’rëndësi ka se podiumi i kujt është, kur ajo që dua të them është se… Unë dua… Unë kam një ëndërr, ëndrrën e një vendi ku njerëzit nuk i japin nga një shuplakë njëri-tjetrit kur zgjedhin të ardhmen e tyre. Nuk qëllojnë me shuplakë sepse duan një jetë më të mirë. Unë nuk dua të qëlloj e të më qëllojnë që e kaluara e jetës pa jetë të kthehet, me një pamje tjetër.
Sa bukur do të ishte sikur sot, kur të kthehemi në shtëpi, t’i premtonim vetes në heshtje: unë s’do të godas më, unë s’do të godas më, unë s’do të godas më!
Miqtë e mi!
Të veprojmë të gjithë së bashku, për ligjin, për Kushtetutën, për të ardhmen, për veten, për fëmijët tanë, për Shqipërinë!
Faleminderit!

*Fjala e mbajtur në protestën e 2 Marsit, e thirrur nga Presidenti i Republikës, ShTZ Ilir Meta